Yzedin Hima - Proze - Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull

Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull

 

Liria individuale si shenjė nė poetikėn e Buharasė

 


      Dija e kishte bërë të lirë djaloshin Buharaja. Falë dhuntive me të cilat e kishte paisur Zoti dhe punës së tij titanike për të kultivuar mendjen dhe shpirtin, ai në një moshë fare të re sheh qartë atë që të tjerët nuk e dallojnë. I dituri dhe i padituri nuk shohin kurrë të njëjtën pemë, thuhet. Por ndërsa Buharaja i ri zgjeron kufijtë e lirisë personale, vendi bie në robëri. Ai krijon një atdhe tjetër, atë sublimin, atdheun poetik. Nuk ishte një dukuri e re. Edhe poetë të tjerë para tij kishin bërë të njëjtën gjë. Pse? Ose atdheu është i papërsosur dhe shkrimtari krijon një atdhe të ri, sipas kredos së tij ku ndihet mirë, ose poeti nuk mund të ekzistojë pa atdhe dhe kur atë ia mohojnë dhe e dëbojnë, ai krijon një të ngjashëm, por shumë më dinjitoz. Dantja, kur e dëbuan nga atdheu i tij, nga qyteti i Firences, plot dhimbje ndërtoi atdheun nga e njëjta lëndë, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtit njerëz, me miqtë dhe armiqtë e tij, me poetët e gjallë dhe poetët e vdekur, me tiranë e humanistë. Ndërsa ndërtonte këtë atdhe, vuri re se i kishte kaluar kufijtë e Firences së dashur, kufijtë e Italisë së ndarë dhe kishte ndërtuar botën. Dantja është, ndoshta, kozmopoliti i parë i Rilindjes. Me Komedinë Hyjnore ai krijoi Italinë dhe Botën, me jetën tokësore dhe atë të amëshuar, sipas ideve të tija. Dhe vetë si qytetar i botës shëtiti botën e amëshuar. Gjuha e Dantes, e cila flitej në atdheun e krijuar, u bë më vonë gjuha e italianëve. Po le të kthehemi te Buharaja ynë.
Poeti Buharaja, pasi krijon atdheun, një atdhe universal, nuk pasqyron asnjë lloj realiteti në poezinë e tij, përkundrazi, ai krijon një realitet të ri artistik, ku mungojnë pushkët dhe krismat, tanket dhe traktet, parrullat dhe patrullat. Po janë të pranishme dhimbja dhe dashuria, vuajtja dhe bukuria. Nga korriku i vitit 1940, kur gjejmë të botuar poezinë e tij të parë e deri në vitin 1945, kur boton poezinë e tij të fundit, autori në atdheun e tij poetik magjepset pas bukurisë teksa shkruan në vitin 1941: “ Kaq e bukur si ke mbirë?!”
Në një diskurs autori ndalet në poezinë e tij te dhimbja individuale, duke shpëtuar kështu nga hipokrizia e të vuajturit kolektivisht. Ai ndjek fatin e individit duke e veçuar atë nga turma. Diskursi i tij duket qartë në këto vargje të botuara në gazetën “Tomorri” të 12 gushtit 1941:

T’i mësoja botës se si dashuria
Ndizet si kandili… hapet si shkëndia…
Qan pa derdhur lotë,… ndizet pa nxjerrë zë…
Dhe pastaj mëshihet,… shuhet përgjithnjë…*

Në këtë kohë në Shqipëri bashkëmoshatarë të poetit predikonin krejt gjëra të tjera. Kishte nisur rezistenca kundër pushtuesve, ndonëse në fillimet e saj.
Ndoshta, në mënyrë instiktive, Buharaja e kuptonte se liria individuale fitohet çdo ditë me punë, me njohje. Sa më të gjerë të jenë kufijtë e punës dhe të njohjes, aq më të gjerë janë edhe kufijtë e lirisë. Ai ishte besimtar dhe, natyrisht sheh te Krijuesi atë energji pozitive mendore dhe shpirtërore me të cilën ai privilegjon krijesat tokësore. Kjo duket qartë te fillimi i poezisë “Përpara Tomorrit”. Gjithçka e bukur, plot dritë vjen së larti dhe ulet duke dëbuar errësirën që ngrihet së poshtmi:

Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie
Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie
……………………………………………………………………………………………………
Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime

Liria individuale për Buharanë është krijuese e bukurisë dhe përsosmërisë. Në poezinë “Se je lule që s’humbet” ka një varg që tregon qartë këtë dukuri. Pas dy pyetjeve: “Lule jetën kush ta fali?/ Kaq e bukur si ke mbirë?!”, vjen përfundimi se: ”Je mbi shoqe, ndaj të themë/ Të ka vën’ një Dor’ e lirë.”
Siç shihet, autori thekson se këtë bukuri përmbi shoqet e ka krijuar pikërisht një “Dorë e lirë”, me D të madhe, siç edhe e ka shkruar poeti. Nga ky detaj vijmë në përfundimin se Buharaja i ri e vlerësonte mjaft lirinë personale,(nuk përmend duar të lira, por përdor numrin njëjës, Dorë.) Nga individë të lirë formohet, pa asnjë dyshim, një shoqëri vërtetë e lirë.
Duarve të lira u kanë kënduar edhe poetë të tjerë si Pol Eluar, etj, për mrekullitë që ato mund të krijojnë si të tilla.
Edhe në krijimet e tjera letrare, veç poezisë, Buharaja i ri në esetë e tij e përmend fjalën liri së pari si një ide, e cila duhet të rrënjoset te njerëzit. Në esenë “Islam Vrioni ndërroi jetë” ai perifrazon: “ Nuk del gjë, nuk ka asnjë vleftë vetëm shpallja e e lirisë, nëqoftëse nuk i rrënjoset si duhet ideja e lirisë; pra, mundohuni që t’ia rrënjosni pakëz populli këtë ide.” Në kohën kur e botoi këtë ese Buharaja ishte 21 vjeç. Ai e kuptonte më së miri se shpallja e lirisë në një vend ku jetojnë njerëz me mentalitetin e skllavit e bënte të pavlerë lirinë kolektive të shpallur. Buharaja po në këtë ese, kur flet për atdhetarin Islam Vrioni shpreh një qartësi mbreslënëse për lirinë: “… u mundua që ta kthjellonte lirinë, kuptimet dhe rrjedhimet e saj…”
Ky është një këndvështrim modern për lirinë si koncept. Nuk mund të jesh i lirë pa patur koncepte të kthjellta se çfarë është liria, nuk mund të bëhesh i lirë pa e kuptuar poliseminë e kësaj fjale. Rrjedhimet e të qënit i lirë janë frytet e mrekullueshme e të pakrahasueshme me asnjë gjendje tjetër të individit. Buharaja i ri është i vetdijshëm për vetdijen e qytetit të tij në atë kohë kur thotë: “Liria, një fjalë e padëgjuar, ose e dëgjuar rrallë në qytetin tonë deri në atë kohë, u përhap menjëherë me anën e zërit të urtë të Islam Beut. Islam Vrioni fillon si një mësonjës i palodhshëm t’ia mësojë popullit kuptimin e lirisë në thellësinë e saj.”
Po çfarë ndodhi pas vitit 1944? Buharaja bie në një gjendje absurde pas Luftës. Ai nuk mund të kuptonte deri në fund atë që po ndodhte, atë që do të ndodhte. Duke qëndruar larg luftës, larg urrejtjes klasore, larg etjes për pushtet, por pranë librit, mësimeve të Zotit, letërsisë së madhe dhe punës krijuese, ai binte në një kontrast të thellë me mjedisin revolucionar të viteve të pasluftës. Tani ai nuk ishte i lirë as të krijonte atdheun e vet poetik, ku mund të strehohej pas largimit nga atdheu real me elegancën që e karakterizonte. Poezia ishte shpallur shërbetore e partisë. Nëse nuk shkruhej si e tillë, atëherë dënohej ajo dhe autori i saj. Buharaja tani veç atdheut të lirë që dëshironte humbi edhe atdheun poetik. Ky atdhe i krijuar në vitet e pushtimit fashist u burgos në fondin e rezervuar të regjimit komunist. Absurdi i madh për Buharanë tani qendron në faktin se atdheu nuk mund të krijohej dhe nga atdheu nuk mund të largohej. Ai ishte i dënuar të jetonte në “atdheun e çmendur”, sikurse shkruan në një poezi Visar Zhiti. Po për njerëzit me mëndje të ndriçuar gjendet gjithëmonë një zgjidhje. Buharaja nuk ishte nga ata që zotohej të përsoste atdheun real. Ai nuk kishte asgjë prej revolucionari. Pasi ia mohuan edhe krijimin e atdheut virtual poetik, ai gjeti ndoshta të vetmen rrugë, të vetmin shteg, letërsinë e madhe perse, aty “ku syri i lakmisë edhe pas vdekjes kërkon të shohë, ndonëse trupi është zbërthyer e bërë pluhur”*. Me energjinë e një krijuesi të vërtetë, por që e ka të ndaluar të krijojë atë që di dhe dëshiron, ai e derdhi tërë këtë energji në përkthimet e tij, të cilat janë, në fakt, rikrijime të tij. Ky njeri u ndje i lirë dhe i magjepsur në vetminë e tij, teksa gërmonte në gjuhë dhe gjente smeraldë të tillë:

U drodh nga llahtari Dahhak pamjeferri
Për pak mushkëritë i shkuli nga tmerri.*


*Firdeusi, “Shahnameja”, pwrktheu Vexhi Buharaja.

 

 

Copyright © 2008