HOMAZH ERËS
Poezi 1994
Shtepia botuese Uegen
Peizazh i lagur
U lanë statujat në park
Rruga u çlirua nga
hapat dhe gjurmët
Nga shpirti i hershëm rebel
shkrepin vetëtimat
e fundit
të cilat digjen e bëhen shkrumb
në pellgjet e argjendtë
të rrugës.
Era i njeh marrëzitë tona
Era e gjen një shteg dhe vjen
Deri te skutat tona timide.
Ajo gjithmonë e fsheh fytyrën
Ose shfaqet me fytyrën e sendeve
Me të cilat ne kemi rënë në dashuri.
Ne nuk na shqetëson prania e saj
me pamjen e pikturës,telefonit apo murit
Ne kemi ndrojtje nga trupat tanë të zhveshur.
Era trazon mendimet tona të errëta
Ne e largojmë butësisht si një mace
Era është dekori i zbehtë valëzues
ku luhen marrëzitë tona të përditshme.
Në ditën e karnavaleve
I gjithë qyteti u bë pyll i vërtetë
me ujqër,dhelpra, arinj e ketër
njerëzit braktisën vetveten
dhe u bënë banorë “të tmerrshëm” të
xhunglës
Ujqërit,dhelprat dhe hienat e vërteta
banorë modern të qytetit
dolën si zakonisht me costume e kravata
me maskën e përherëshme ditore
të njeriut të fortë a njeriut me personalitet
Eshte ditë e thjeshtë karnavalesh
ku njerëzit shfaqen me pamje kafshësh
dhe kafshët ndihen qetë me fytyra njerëzish
Të përhumbur, vështrojnë gjithë çudi
vetë gomerët e pafaj të qytetit.
Pëllumbat e egër
Pa fole mbetën pëllumbat e egër
në foletë e tyre mbërriti qytetërimi
u ngjitën lart në qiellin e kaltër
dhe vizatuan rrathë trishtimi.
Pastaj u ulën në shkallët e postës së vjetër
si pëllumba poste ndoshta
do të nisin fluturimin nesër.
Duart
Erërat nuk dinë të ndalen
në fshatin e harruar malor.
Dëshirat e grave janë varur në tela e gardhe
metaforë e bardhë.
Era i gufon si vela anijesh të humbura
të cilat nuk i pranon asnjë liman
Po duart, ku janë duart?
Fshehur nën përparëse si zogj të trembur
nuk tregojnë kurrë
se ende nuk i ka puthur asnjë burrë.
Metamorfoza
U ndërruan veshjet, mobiljet
fjalori i përditshëm dhe sjellja strikt
U ndryshuan pamja e jashtme, shokët e
dikurshëm
dhe sidomos miqtë.
Ndërsa të shkuarën pse është e pandërrueshme
e çuan në pastrim kimik.
Kali i kujtesës
I lodhur kali i kujtesës sime
u pengua tek gurët e fëmijërisë
gjunjëpërgjakur mbi gurët e bardhë
dha shpirt.
Unë u fsheha në ujin e trubullt të kohës
që rrjedh në përroin e trurit tim
Për shkak të kujtesës sime të ikur
Nuk e ndërtoj dot këtë rrugë,këtë park
Në vënd të pemëve s’ka gropa bosh
Po fidane të vajzave nudo duken nga larg.
Ndërsa tek zgavrat bosh të neonit në rrugë
Shoh sytë e qielltë të së dashurës sime.
Në mesnatë ndjej një thirrje malli
Të dal në qoshe të rrugës e nën dritë sysh
të shes psherëtima të freskëta bari.
Unë nuk e di
Në mbretërinë e dashurisë sime
Unë nuk e di
nëse jam mbret
a në robëri.
Dhe pastaj
Zjarre do të prushojnë tek buzët e tua
unë do tì këpus
një e nga një e në buzë
do të lë një varg poezie.
Dhe pastaj
Tek sytë e tu do ndez një dritë
si vetëtima ndez një pyll
një dritë nga shpirti im
të digjet brënda teje.
Dhe pastaj
Një shënjë do të lë diku
në një fletë a në një gur
në heshtje të mendojnë të tjerët
e paska dashur siç do një burrë.
Pas mesnate
Përpëlitem të hap qindra e qindra dritare
e përmes qelqeve të thyera
vrapoj të dal nga ky terr,
ndërsa pas porte i ftohtë mendimi
përgjon jetën time si cerber.
Diçka ka mbetur
Në një ditë të veshur me vetmi
Kur koha mbetet dhe si këmishë e ndotur
mbi supe të rëndon
Tek mua eja, por jo si dikur
me vërshimin e papërballueshëm të drenushës.
Eja siç shkon në një muze apo galeri
dhe mos u trishto kur
format e papërsëritëshme, cirkuidet e çuditshme
dhe ngjyrat e zërit tënd të dikurshëm
si relike të ftohta të një kohe të largët
do t`i gjesh varur në gozhdët e ndryshkura
të ngulura në trupin tim.
Në një zyrë diku në qytet
gjethen e re shqiponja lindi
prej shumë vitesh në këtë zyrë komode
ky ishte i vetmi akt krijimi.
Të ashpër, të fortë e të pabindur
në vendin e tyre të natyrshëm
Gurët.
Kur njeriu ua njohu zjarrin
të cilin e fshehën thellë tek vetja
u zbutën, u gdhëndën gurët.
Dhe si ushtarë pa identitet
u rreshtuan tek muret.
Korbat
Vjen një kohë kur virtyti I kërkon
ndjesë vesit.
Shekspir
Korbat u ulën mbi qytet
dhe ajrin e masakruan me krra-krra.
Pëllumbat u larguan pasi kërkuan ndjesë
pse rastësisht në të njëjtin qytet jetonin edhe ata.
Gjithçka u bë konkrete
Uji ngriu.Pavarësisht nga koha
harroi se dikur ishte uji.
Ndjenjat, u bënë të prekshme dhe konkrete
si një veturë.
Fjala u kthye në send
dhe vlen sa një tullë.
E dashura ime u bë e dobishme
si një vijë rruge që tretet në pyll.
Gjithçka u bë konkrete.
Njerëzit,vetiu u bënë robër të sendeve.
Kronikë
Dy qelqe
Të ftohta si qelqe
Më vranë një buzëmbrëmje
Me plumba kujtese
Lumenjtë i dua
dhe ujëpakët edhe valëshumë
Po trubullohem nga turmat
që lumenjtë imitojnë
kur dalin në rrugë.
Lumenjtë dinë ku shkojnë
Lumenjtë dinë nga rrjedhin
Dhe para detit
nuk kanë asnjë kompleks,
turmat e irrituara.
Turmat pa shtrat
që nuk kanë një burim
që nuk synojnë një det
verbërisht si ai nxënësi I dobët
kopjojnë lumenjtë.
Tomorri
Buronjat dalin nga gjoksi i malit si rrëfenjat
Pëllumbat dhe ngjyrat nderin krahët si metaforat
njerëzit rriten me Tomorrin brenda syve si legjendat
unë ngjitem në Tomorr tërë komplekse dhe I ndrojtur
Kam frikë mos e bëj pis me civilizimin tim
Faik Konica
Një libër sa një arkëz
ku ruhen perlat e fjalëve
Në një arkëz sa një libër
erdhi e u mboll në dheun e të parëve.
Ndoshta sërish hedh rrënjë e shfaqet
në sythet e fjalëve.
Shi kujtese ra mbi dhe
dhe dheu u bë baltë.
Skëletet e intrigave të hershme
u ngjizën me pluhurin e intrigave të reja
hiri i dashurisë,syve,kurmit joshës
me fosilet e fjalëve të thëna e të pathëna.
Tisi i buzëve të puthura e të paputhura
me blozën e duarëve të fajshme e të dlira.
Të gjitha, të gjitha u bënë baltë.
Njerëzit s`dinë kë të blasfemojnë
Shiun, kohrat, mjegullën apo kujtesën
Të lodhur zvarrisen në baltën e rëndë
robër të mjerë të tiranit me emrin dhe.
Bunkeri
Të lodhur nga kërkimi i një vëndi të qetë
dy të dashuruar
bënë dashuri në një bunker.
Munguan krismat, gazi helmues,të plagosurit
dhe sidomos fitimtarët dhe humbësit e luftës,
ndaj bunkeri me krenarinë e tij ushtarake
u ndje i fyer.
Fjalët e pathëna
Shoh vorrezën e fjalëve të pathëna
vorrezë sa fjala e vjetër.
Nga fjalët e pathëna lindën diktatorë
nga fjalët e pathëna vrasësit u bënë mbretër.
Më tepër se fjalët e thëna
në poema ,tractate e memuarë
janë fjalët që s`u thanë kurrë.
Fjalët e pathëna si gjethet e rëna
ushqejnë rrënjët e pemës shekullore të gënjeshtrës.
Vdekja e lejlekut
Me sqepin e gjatë sa një udhë
U shtri mbi shtratin e njomë të barit
Ndërsa një lot i vogël si rruzull
theu spektrin e mallit të largët.
Këmbët e zgjatura drejt qiellit
Kryqëzohen si rrugë ajri pa emër.
Në vdekjen e tij erdhën edhe fatlumët
një kurorë luspash vendosën peshqit.
Mëngjes i thyer
Copra qielli kanë rënë mbi asfalt
Vajzat vrapojnë dhe qeshin si të marra
Me këmbët e përgjakura
nga qelqet e kaltra.
Lypsarët
Një burrë i veshur disi mirë
Disi artist, në moshë disi të shkuar
Lypsit i fali një kartmonedhë
disi me vlerë. Publikisht
disi me ceremoni.
Lypsi e mori
Kartmonedhën kalimtarëve ua tregoi
dhe lëmosha u nda në mes.
Njeriu i vetmuar
Lumi i fjalëve braktisi shtratin e vjetër
varkat e brishta të mendimit u thyen,
brënda tyre vërshoi llumi i fjalëve.
Varkat hepohen e gati po mbyten
varkëtarët e pagdhëndur i trajyojnë si kuaj.
Hipur në kaiken e mendimit të pavarur
Njeriu i vetmuar çdo ditë braktis veten.
Deti është i ndjeshëm si çdo
njeri
Deti errësohet kur bie në mendime
dhe ngjyhet me qiell kur bie në dashuri.
Ai nuk ka asnjë paragjykim
Në tërë këtë madhështi.
Të gjithëve u fal gjithçka që disponon
pavarësisht nga racat, rangjet e kombësitë
sipas kartës së të drejtave të njeriut.
Deti është demokrat i madh
dhe mik i përjetshëm i poetëve.
Deti është i ndjeshëm si çdo njeri
A i keni parë vajzat e bukura në muzg
kur vrapojnë e zhyten tek ai?
Deti përflaket, dridhet e ngrihet dallgë
teksa i pushton në gjirin e tij.
Prag gjumi
Në livadhin midis pyllit të prerë
Endrrat
Mbijnë dhe vdesin në çast.
Unë vrapoj në pyllin që s`egziston
dhe këpus kërpudha të helmëta.
Vdekja e poezisë
Në mëngjesin e ftohtë të shkurtit
një nga poezitë e mia më të brishta
Vdiq
Kritiku foli për vlerat,
ndërsa njerëzit u trishtuan
vetëm për faktin se ajo vdiq fare e re
e virgjër.
Njerëzit kishin shumë halle e të përhumbur
Nuk dëgjuan asnjë varg të saj.
Një qukapik në qiparisin aty pranë
Nisi të trokiste në trungun e pemës mortore
ritmet e poezisë time të ikur.
Ti u largove me një
gjest qortimi
Ti u shfaqe në një gotë vere
Brenda një gote të zakonshme qelqi
Ti, pjesa e jetës sime më me vlerë.
I etur vrapova drejt teje
i etur deri te kufiri i një puthjeje
realizuar në harkun e një brisku.
Ndërsa vera shterej
Ti largoheshe me një gjest qortimi.
Koha ngurtësohej në fundin e gotës së blertë
Brënda terrir të gojës sime të hapur
vyshkej drita e ftohtë e yjeve indiferentë.
Përshpirtje
Njerëzit erdhën tek vendi i shenjtë
nëpër terr u ulën tek gurët e bardhë
dhe në heshtje thanë fjalët e përshpëritjes……………
Ndërsa njerëzit dhe qirinjtë derdhnin lotë
fjalët digjeshin në flakët e qirinjve
si flutura të pafajshme.
Mynih,ose të jetosh estetikisht
Në Karlplatz
njerëzit hypin dhe zbresin nga tramet
me çanta plot.
Disqet, librat e artit, bluxhinset
të futura në qese me stampa pikturash
të Klesë, Kandinskit e Pikasos.
Mbi një pod qëndron një njeri
një njeri i çuditshëm, i veshur me tunikë
me lëvizjet shprehëse të duarve dhe fytyrës
shoqëron muzikën e Vagnerit
dhe shilingat e kalimtarëve i lyp estetikisht.
Vjeshtë
Gjethet bien mbi gurë
dhe vdesin
Bari ironik me këmbët në dhe
tund fort heshtat e gjelbra.
Njeriu i vetmuar një gjetheje
i jep frymë nga fryma e tij.
Gjethja fërgëllon në buzë
dhe qan me pikëllim
Pelegrinët e hutuar
“Kush ngjitet lart,jeton
në shoqëri me demonët”
(Gëte)
U ngjitën në malin e Tomorrit
njerëz të thjeshtë,
besimtarë dhe mëkatarë.
U afruan tek zoti, prekën lartësitë.
Ata që vinin nga lartësi të tjera,
Natyra e madhërishme, ajri i dlirë i huton,
se s`mund t`i përfytyronin ndryshe lartësitë
veç në shoqëri me demonë.
Plazhi në shi
Sot në plazh erdhën vetëm vajza të bukura
Dielli binte mbi to dhe pikturonte profilet e tyre
Si piktor i moçëm me penelata të shpejta.
Pasdite nisi shiu dhe vajzat u larguan.
Linjat e tyre i braktisën në rërën e lagur.
Nën dritën e vetëtimave
Unë vrapoj të mbledh telajot e rërta.
Përrallë
Me pancirin e bardhë hedhur krahëve
dimri u largua me karrocën që e tërhiqnin drerët.
Si kujtim a si pengesë në rrugën e harresës
disa ngrica ia la pranverës.
Mbërdhijnë fort zogjtë shtegtarë
ngjethen poetët
jo nga të ftohtit por për shkak të kujtesës.
E vërteta
E vërteta vishet sipas modës së fundit
me xhins e minifund.
Ndodh rrallë
në një darkë solemne a në një ditë të shënuar
kur e vërteta vesh kostum kombëtar.
Ajo shfaqet përherë e bukur
pavarësisht se bën edhe tualet.
E vërteta është vajzë e virgjër
jo për shkak të virtytit por të pamundësisë.
Në shpirtin tim
ku rrathët e ferrit dhe të parajsës
nuk kanë kufij të ndarë
kam parë,
vajza delikate dhe vajza të zakonshme
gra interesante me sy si hone.
Tani,
ka nisur bora e parë.
Bashkë me muzgun
shkretëtirat e shpirtit tim po zbardh.
Gjurmët delicate
po vdesin, po shuhen dalë-ngadalë.
Paros
Imazhin e kaltër të fëmijërisë
tretur në terrin e viteve që ikën
e preka në Paros,
teksa qielli dhe deti putheshin fort
nën klithmat e pulëbardhës.
Në fillim denoncoi të njohurit
pastaj me radhë,miqtë dhe të afërmit
deri tek vëllai.
Dhe kur pa denoncuar s`i mbeti më njeri
nisi të spiunonte veten e tij.
Të lirë
Vrapuan njerëzit të preknin lirinë.
E ndjenin,
Ndonëse ende nuk i njihnin tiparet e saj.
Te tregu i lirë i rrobave
blenë bluxhinse, bluza, xhupa të vjetër
paksa të dalë mode.
I veshën te tregu i varfër dhe
duke u parë në xhamat e pistë,
u ndjenë vërtet të lirë, çuditërisht.
Unë këndoj pavarësisht nga ty
Ti u ktheve e dashur sërish
Me brengën time të jargavantë
Çdo ditë bën tualet.
Unë këndoj pavarësisht nga ty
për bulkthat e lagur nga vesa
për flijimin e barit mburravec.
Kam frikë se më nuk të njoh
dikush tha se je e bukur si mjelmë
pavarësisht nga ty unë sërish këndoj
për dashuritë e qullura, për dashuritë e tripsura
tek varen nën diellin e vakët në tel.
S`mjaftojnë sytë për të
gjetur bukuritë
Në çdo pellg
fytyra e nje gruaje me sy bari
Në çdo pemë
shtati i një femre me floknajë dielli
në çdo shtjellë uji
vajzat e kaltra pijnë qiellin.
Në çdo gur
një profil i bukur mezi pret të dalë
tek çdo fjalë
fshihet një margaritar.
Të verbër ecin burrat.
Epitaf
Këtu lumi e ndali vrapin
Këtu humbi edhe fytyrën
edhe shtatin.
Brenda liqenit ai u tret.