HOMAZH ERËS
Poezi 1994
Shtepia botuese Uegen
Këtë natë
jam peshk i kapur në rrjetë
dhe përpëlitja e tij mbi zall.
Jam bredhi i lartë
me sharrën në trup
Jam bora e shkëmbit
nën shiun përvëlues
Jam dre i mbërthyer
dhe klithma pa shpresë
Jam kallam i vetmuar
nën erën e marrë
Këtë natë
Ti ike larg
Uji më ngriu në pellgjet e syve
brenda tyre
portreti yti krisur.
Shqisat janë tendosur si hark
Nga muret
Gurët lëshojnë sythe të gjelbër.
Hapat e saj
Ndihen që larg,
Xhamat e dritareve
si liqenet në dimër ngjethen
Dera fërgëllon si vajzë e virgjër
Nga pritja për t’u hapur
Macja më shikon me sy të çuditshëm
E dëboj, e godas, e qortoj
i lutem të iki,
ajo nuk leviz.
Ngjesh putrat mbi pravaz
e më vështron në sy
Ajo vjen
me hapa bore
Shikimi i maces më tmerron.
pastaj gjithcka shkrihet, rimet
edhe muret me sythet e gjelbër
edhe xhamat si copa valësh
nën një puthje të gjatë
të prerë nga mjaullimat e maces.
Pemët kanë harruar të hepohen
dhe trungjet kanë vënë dhjamë
pemët qëndrojnë drejt si qirinjtë në kishë
dhe degët krahë të tepërt i kanë
Zogjtë përtojnë të fluturojnë
me milingonat shëtisin në bar
dhe krahët i heqin zvarrë
Flokët e vajzave më nuk flladiten
të mbulojnë intimitetin në buzë.
Gjihtcka u tha e mbeti posulat
edhe nata, edhe dita, edhe pluhuri në rrugë.
Lumi është kthyer në një pellg vaji
dhe zvariset në shtratin e vjetër
pa një dallgë, pa një rrudhë.
Njerëzit i krehin flokët një herë në javë
dhe gurët janë fiksuar si pllaka varri.
Gjithcka ka zënë vend si në një manastir
ka kohë ëe nuk fryn erë
ka kohë që mungon sfida e erës.
Njerëzit ecin ngadalë në homazhin e erës.
1987
Lumenjtë i dua…
edhe ujëpakët edhe valëshumë
Po turbullohem nga turmat
që lumenjtë imitojnë
kur dalin në rrugë
Lumenjtë dinë ku shkojnë
Lumenjtë dinë ku rrjedhin
Dhe para detit
nuk kanë asnjë kompleks,
Turmat e irrituara,
Turmat pa shtrat
Që nuk kanë një burim
Që nuk synojnë një det
Verbërisht si ai nxënësi i dobët
kopjojnë lumenjtë.
Zogjtë ikën larg
dhe kupa eqiellit u kris.
Degët e gjelbëra një nga një dhanë shpirt.
Mbeta një trung si shtrat i tharë lumi
Ku vetëtimat yakohen dhe bëjnë dashuri
Foletë bosh, braktisur nga zogjtë
kupa iluzionesh prehen nën shi.
Zogjtë ikën larg.
Kope milingonash vërshuan nëpër shtat
Kotësisht zbresin poshtë
idiotsisht ngjiten lart
Tani po pres vetëtimat
miket e mia të vetmisë
Një ditë të shprasin flakën, të ndezin zjarrin
Të djegin stërmundimin e kotë të insekteve
Nga poshtë lart
Nga lart poshtë
Dhe trugun vorrezë me rradhët kohore
Që asgjë nuk thanë
Që asgjë nuk thonë
Që asgjë s’do të thonë.
Copëza qielli kanë rënë mbi asfalt
Vajzat vrapojnë e qeshin si të marra
Me këmbët e përgjakura
nga qelqet e kaltra.
U zhveshën fjalët
Nga nuditeti i tyre i prekshëm
ajri u skuq.
Fjalët nudo tallen me semantikën
dhe fluturojnë në erë
Si puplat e pëllumbave të trembur.
Kuptimet e gjera
fjalët i flakën një e nga një
si pallton, bluzat; këpucët e rënda
që rëndojnë fort në pragverë
Fjalët u thanë të lira, të lehta
si të linjtat e vajzave të virgjëra.
Unë jam
çfarë i mungon këtij mëngjesi
edhe terri edhe drita.
Unë jam
çfarë i mungon kësaj rruge
edhe hapat edhe heshtja.
Unë jam
çfarë i mungon këtij guri
edhe bari edhe rrokullisja.
Unë jam çfare i mungon kësaj porte
edhe hapja edhe trokitja.
Unë vrapoj
Të mbush mungesën e sendeve
Ajri më vjen pas.
Këtu
gjithcka është e rrafshët
Këtu gjithcka është e rrafshët
edhe fjala
edhe mendimi
edhe dëshira.
Të rrafshta si reliev i këtij vendi.
Pemët
shtëpitë
maja më e lartë e fushës – bregu
dhe njerëzit, sidomos njerëzit
këtu janë të niveluar.
Dhe s’ka asnjë rrezik animi
dhe s’ka asnjë rrezik rrëshqitjeje
dhe s’bëhet fjalë kurrë për përmbysje.
Këtu gjithcka është e sheshtrë
edhe grindja
edhe pendesa
edhe dashuria
Ka kohë që jetoj këtu
dhe kam humbur përmasat.
Është ditë feste
Dhe njerëzit dolën në rrugë
brenda kostumeve të rinj
të varur në kravata të reja
me buzëqeshje të vizatuara në buzë.
Sot është ditë e shënuar
Kalendarët i urdhëruan njerëzit
Veçanërisht sot të jenë të lumtur.
Ata fshinë pluhurin e kalendarëve
dhe dolën në rrugë.
Qyteti ngazëlleu nga lumturia
e banorëve të tij,
të cilët nuk dinin ku t’i mbanin duart
të hutuar befas nga lumturia.
Pylli pozon
sikur është pyll
dhe drurët i humbi një nga një
Malet, kodrat, fushat
humbën kuptimin
dhe u kthyen në flamuj të hiçit.
Njerëzit ditë pas dite harruan të jenë njerëz
ishin veç krijesa të lumtura
dhe vlenin sa një fletë lavdërimi.
Deti u shpall armik
Fillimi dhe fundi i një shprese të tretur.
Lumenjtë: Po, ata rridhnin
dhe na kujtonin si dikur në këto vise
jetonin njerëz.
Sa herë nis të bjerë shi rrebesh
më lind dëshira
të kapem pas rigave të shiut
dhe të ngjitem lart, lart
për të ndershkuar retë.
Nga dëshira e marrë
rigat e shiut u perplasën në kryet emi
dhe m’i përgjakën mendimet.
I rrahur në shiun që bie nga lart
i fyer nga demoni i reve gri
e ftohta më shkoi deri në asht.
Kam ftohtë, kam ftohtë.
Më shumë senga shiu i akullt
Nga rigat e fyerjes
që përplasen mbi kryet e mi
mbi supe të brishta, mbi degë të gjelbra
mbi shpirtra të ndjeshëm
si mbi asfalt.
Kur është kohë e bukur
mjegulla e reve zbret poshtë
dhe na përqafon
deri në tallje.
Prilli me gishtat e erës
mollën e trazon.
nga trupi i saj i xhveshur
është i dehur.
ajo përflaket në mijëra burbuqe
e mezi prêt tëgjethojë
hiret për t’i fshehur.
Ai është i dobishëm
si një gozhdë a si një vidë
që gjithmonë mungon diku
Ai është i dobishëm
si një manekin në market
ku vizitorët ndalojnë hapat një cast.
Ai është i dobishëm
si një dordolec në mes të arës
që u fut tmerrin zogjve.
Qëllon shpesh që ai të ngjitet tribunave
për të bërë fotografi
a për të marrë dekoratë
Ky njeri a shpend I dobishëm
nga ne njerëzit a shpendët grabitqarë
Dallon qartë.
Nata me hapat e maces afrohet ngadalë
duke u lëpirë në strehët e mëhalles
Të dehurit me të fashojnë mallin dhe brengat
Te dashuruarit paketojnë me te opinionet
per t’i nisur të nesërmen sa më larg
Afrohet e shtriqet e mpihtë nata
të marrët flenë në krahët e saj
të famshmit, dehur nga drita dhe lavdia
tërë natën pijnë terrin dhe mërzinë
Nata e pushtoi gjithësinë apo gjithësia natën
gjithësia në natë fsheh fytyrën dhe dobësitë
Në mëngjes fshesarët me fshesat e gjata
fshijnë copa terri, mendime të vrara
dhe dita shfaqet e virgjër sërish.
Në dorën e shtrirë të lypsit
unë jam krahu i thyer i zogut
Ne hapat e nxituara të prostitutës
unë jam hijeshia e saj e ikur,
në trishtimin e vajzës në park
unë jam dashuria e saj e humbur.
Në letrën që po niset larg
unë jam malli i saj i bardhë
Ne gjestin e vrasësit që u fsheh
unë jam pendim i tij i zi
Në hipokrizinë e politikanit në TV
unë jam fëmijëria e tij e dlirë
Në librin me poezi që u botua
për krahun r thyer të zogut
për hijeshinë qe s’vjen më
për dashurinë e humbur
për mallin e bardhë
për pendim e zi
për fëmijërnë e dlirë
unë jam poezia më e mirë
Që nuk u shkrua kurrë.
Rrathët kohorë
ka kohë që janë zbehur
Në portat e hirta
të lagjes së vjetër.
Plakat e mëhallës
i shtyjnë ngadalë
I trëmb rënkimi
i shpirtit të portave
vajtim i trishtë
i drurit të vjetër
për nuset e reja
që u bënë plaka.
Portat e vjetra,portat e rënda
Me gjurmë duarsh, trokitje të hershme
Me grishin t’i hap
Si libra të rrallë.
Ma vodhën lumen e fëmijërisë sime
Nuk e di
Në isha fjetur apo zgjuar
Dhe mbeta pa udhë në mes të udhës
Dhe mbeta pa portë në prag të portës
Aty ku fryjnë erëra të ngarkuara me pluhur të zi.
Ma vodhën lumen e të djeshmes sime
dikush i vuri frerët dhe poshtë ngau me trok
Në udhëkryq mbeta, semafor I kohës së re
të tjerëve u them ndal,
kalo,
kujdes,
kalo majtas,
kalo djathtas;
Lumi diku shkon, diku mbetet, diku rrjedh
Lumi i përgjakur
i fëmijërisë sime të trishtë.
Sot kam mall të jem
degë e njomë rrapi
që fërgëllon mbi lumë
Një grua e bukur kalon në rrugë
e grimca nga kurmi i saj
Shpërndan në eter
Një plaku që kalon praën saj
i bie shkopi por për çudi
nuk përkulet,
zgjatet tek një mimozë,
dhe me duart eshtake
lulet i përkëdhel.
Befas e dashur
si dallëndyshe
hyre në qiellin e shpirtit tim.
Ndër harqe drite dhe kaltërsie
hapësira kërkoje pa mbarim.
Falmë o zot hapësira shpirti
dallëndyshe bukur
të mos thyej krahët në mur e terr
ndryshe ajo do t’më braktisi
si shpirti braktis kurmin për tmerr.
Një ditë
e dashur ti shtegëtove
në një tjetër qiell, në një tjetër hapësirë
qielli shpirt e shpirti sa qielli
për mua mbeti vec një dëshirë
Herë – herë trokas në portat e ajrit
Rreth meje veç ajri u drodh
këmbanat e hiçit
kumbojnë në një hapësirë bosh.
Redaktim
i thjeshtë
…Jotja do të jetë Bota, me çka Brenda
dhe Burrë do të jesh, o biri im.
RUDYARD KIPLING
Të rrish me vite të tëra me spiunë
pabesisht të spiunohesh dhe të mos jesh spiun
të rrish me vrasës
të vritesh çdo ditë e nga pak
dhe vrasës të mos bëhesh kurrë.
Të rrethohesh nga hipokritë
dhe nga gjithë veset
hipokrizinë të urresh më shumë.
Të rrish me gënjeshtarë ,të besosh te gënjeshtra
dhe si i gënjyer të mos gënjesh kurrë.
Të ngresh kështjella
dhe të nesërmen i hutuar nder gërmadhat e tyre
sërish të nisësh të njëjtën punë.
Një jetë të tërë
një jetë pa fund
dhe Bota s`është imja, s`është jotja
e tyre është gjer në fund.
E uritur erdhi pasdite pulëbardha
Klithi dhe u fut mes ditëve tëmia
dhe ditët nisi t’i këpusë një nga një
deri tek fleta e fundit e kalendarit.
Midis ditëve
Sa shumë ditë si fletë të bardha
Ditë të ikura ende pa jetuar
Ditë të fshehura thellë në vete
si margaritarë të rremë
apo si xhama të thyer në arkë
që kurrë s`do reflektojnë pejsazhet në dritare.
Shpirti im ka kohë i sëmurë
sot dhe unë
i shkova për vizitë.
Ai më ledhatoi duart
dhe u përlot për rininë time
që po ikën.
Pastaj nisi të lexojë
poezitë që i çova për dhuratë.
Një infermiere e re
erdhi t`i ndërrojë plagët
ndërsa unë ktheva kokën nga lumi
si vrasësi që fsheh një mëkat.
Pastaj shpirti më tregoi për vizitorët.
Kishin ardhur rrugët
dhe i kishin sjellë hapat e të dashurës
shpirti im qe tronditur shumë
nga zbehja e hapave në rrugë.
Kur ika
ai më përcolli deri tek porta
duke u dridhur nën fashat e bardha.
Çatitë me qeramidhe të kuqe
çati të pjerrëta dhe mure të bardhë
Qyteti zhytet në gjol e del në breg
dhe shpupuris krahët si pulëbardhë.
Në mbrëmje zjarr merr liqeni
kaltërojnë shtëpitë pranë
nimfat dalin nga uji dhe shëtisin netëve
përqafuar me djemtë sin ë përrallë.
E pinë liqenin vajzat e Strugës
nga xhelozia për nimfat.
E nimfat mërguan larg
rrjedhave të Drinit.
Nuk e di ku t`i hedh rrjetat
për të peshkuar kujtimet.
Ndoshta tek sytë e liqentë
të vajzave të Strugës.
Këtë mëngjes pikat e shiut
rrokitën fort mbi asphalt
Njerëzit u fshehën strehëve
Njerëzit u mbrojtën nën çadra, mushama.
Këtë mëngjes pikat e shiut
goditën fort mbi çati ,mbi njerëz
Njerëzit sërish i mbrojtën kokat,kërrusën shpinat.
Fshehën fytyrat e bukura, sytë e trishtuar
Veç ndërgjegjen e lanë në shi
Dhe pikat goditën fort e fort
Shpirtrat e mbetur nen shi
Shprtërat e lagur pa çati
Njerëzit u fshehën.
Por shpirtërat lakuriq protestojnë
në asphalt, nën ka mzhikët e shiut.
Kur e pashë atë vajzë
në sy e shpirt më vrau drita
kur u njohëm
skutat e errta tek unë
morën dritë
dhe unë njoha veten thellë
më ndjeh ,o Zot
që prej saj u largova me tmerr.
Shpirtrat
tanë takohen fshehur
I përzumë ditët
me fjalët
puthjet
mallin.
Çnjerëzore
si shpend të plagosur
i strukëm në vete.
Befas u bëmë të panjohur.
Netëve,
Zgjohemi bosh
me shpirtëra ta braktisur
nuk e dimë se ku,
Mëngjeseve
të lodhur, të trishtuar meditojmë
kur takohen vallë shpirtrat tanë netëve
Ku?
Bashkë me të tjerët
Skeletet dolën në rrugë
me kafka të dënuara të qeshin përjetësisht
Oratorët bërtasin tribunave:
S`ka më tela, poshtë telat.
Dhe telat u kthyen në fjalë.
Dhe gardhi u ngrit sërish
Brenda gardhit të fjalëve
Kafkat,
Me skeletet e shpuara nga plumbat
kërcejnë rep, kërcejnë rrok.
Frika u vra ,thonë oratorët.
Po nga kush?
Plumba më s`ka.
U shkrinë e u bënë shkronja
Dhe mbushin gazetat çdo ditë
Ca skelete të vjetër
të humbur larg, të tretur
Diç duan të thonë
Diçduan të kujtojnë
Po janë larg e s`vijnë dot.
Formoj numrin 2…..5…
Heshtja si insekt zukat ndër tela
Eshtë një orë aspak kompromentuese
Formoj numrin …..9…
Heshtja si gur midis dhëmbëve
Heshtje si një procession
Një zë i largët
Një zë i lagur
dhe telat dridhen
dhe telat ftohen
edhe telat ngrijnë
zëri i saj
i revolton
E dashur keni harruar …
Një unazë?
Një perlë?
Nuk i dua ,mbaji
si relikë a si kujtim.
E da… e panjohur keni harruar
diçka më të vyer se një unazë apo perlë
keni harruar shpirtin tuaj të bukur
dhe unë s`di ç`të bëj me të.
Heshtja dhe zëri kthehen në tela
E telat turfullojnë
Me zëheshtjen sipër
Me zëheshtje si gjëmba.
Një burrë ecën hipur mbi kalë
fundosur në xhufkat e velenxës
me ornamente kuq e zi
gruaja dhe qeni
e ndjekin pas me besnikëri.
Këtu udha merr fund
Këtu nis një udhë pa fund
Fundrrugë që prêt e përcjell njerëz
Me portën e rregullit a të mosbesimit në mes
Pasaportat në duar si kafazë ëndërrash
Shtrënguar fort
Prej frikës së braktisjes së ëndrrës
të burgosur në kafazin pasaportë
Doganierët kontrllojnë pasaporta
Vënë vula ,grisin viza
dhe ëndrrat marrin krahë,përpëliten
dhe vdesin si zogj të vrarë
nën këpucët e rënda të doganierëve
Zogjtë nga pullazet e doganave
vështrojnë njerëzit
dhe fluturojnë lirshëm ndër dy anët e të njëjtit
qiell
megjithëse s`kanë pasaportë.
Fluturojnë dhe në qiell
vizatojnë harqe ironie.
Mbi rërën e plazhit shpirtrat prehen
duke hyrë në mëkatet e vjetra-guacka
leshterikët u bëjnë hije, u fshehin plagët
Ndërsa peshqit u bëjnë shoqëri
shpirtrat e zhveshur hyjnë e dalin në ujë
Kripa e detit djeg mbi plagët mëkatare.
Vrapojnë të lemerisur shpirtrat drejt rërës
dhe fshihen fatkeq në guacka.
I bren vetmia, i bren mëkati
ulërima e tyre brenda guackave
Peshqit i bënë të shkrihen gazit
shpirtrat e vegjël djegur nga rëra
Shpirtrat e zhveshur përvëluar nga kripa
dalëngadalë vdesin.
Mëkatet kthehen sërish në të tjera guacka
dhe brenda tyre
Nga miliona guacka
Nga miliona shpirtra vtë zhveshur
Një shpirt fatlum
kthehet në margaritar.
Kjo grua u ngrit mbi çdo fyerje
Ai vdiq në burgun e zi
ajo mbeti degëz e njomë në kujtimin e tij
pranë varrit të imagjinuar
Ajo u ndez qiri e u tret pike-pikë
dhe për 40 vjet nuk u shkri.
Sot,
Bashkë me miqtë e burrit të vrarë
edhe vrasësit erdhën për ngushëllim.
E përhumbur ,larg çdo fyerje
Ajo shikon udhën e thinjur
ku lotët bien
e bëhen tela me gjëmba.
Dritat e mbrëmjes Beratin
e rritin e dyfishojnë në lumë
qyteti me zambakët e valëve
niset drejt detit për udhë.
Pikëzojnë të kuqtë karafilat
mbi kalldrëmet e bardhë në dyer
me siguri ngjiten lart në hapësirë
për të formuar netëve yje të tjerë
Qyteti me shtat të gurtë
me legjenda, të sotme dhe ëndrra
qëndron mbi rrëpirat e s`rrëzohet kurrë
me spirancën e hedhur ndër zemra.
Era
i theu këmbanat këtë mëngjes
midis ëndrrës, jehona e këmbanave
theu cipën e akujve
dhe u përcoll larg.
Shpirtrat lakuriq u drodhën
e mbërdhinë fort këtë mëngjes.
Era
i theu këmbanat
midis jetës dhe vdekjes
shpirtrat u drodhën
midis krimit dhe mëshirës
shpirtrat u lodhën.
Eshtë kohë pendese
për shpirtrat e lerosur
Eshtë kohë ringjallje
për shpirtrat e varrosur
era i tundi fort këmbanat
dhe theu cipën e akujve.
•••
Ne
edhe dje
edhe sot
jemi nisur për udhë
kapur prej dore me vdekjen
me udhërrëfenjësen tonë të vjetër
Me të kemi nisur të bëjmë dashuri
Dhe vdekja me ne ka mbetur shtatzanë
Ne dashavdekës të krisur
Preferojmë më shumë të vdesim
se sa jetën ta zbulojmë.
Në udhët tona nuk fryn erë
ndihet frymëmarrja e vdekjes
Në udhët tona nuk ka pemë
Po drurë të zinj të heshtjes
Ne dimë të nisemi për udhë
Se ku do të mbërrijmë nuk e dimë
të pluhurosur udhëve të botës
fatin tonë në fytyrë e pështyjmë
ne i harruam emrat tanë
krenarinë grisëm dhe bëmë brekë
Që bota të mos na shohë zbuluar
Flemë rrallë, nën ura e basifonde
shpesh qëllon të mos çohemi përsëri
Por arkivolet e bukura janë gati
për të na kthyer në Shqipëri
Ne jemi nisur për udhë
se ku do shkojmë
as vetë s`e dimë
Ne jemi eksploratorë
të jetës dhe vdekjes
dhe dje
dhe sot
edhe
nesër.
Dikush tha:
E vërteta është ky gur
Ai besoi dhe me gurin shpatullave
u nis për udhë.
Dikush tha:
Ky gur është mallkim
Ai sërish besoi
dhe gurin e ktheu në pllakë varri.
Dikush tha:
E vërteta është ky lumë.
Natyrisht ai besoi
dhe në lum u hodh pa hezitim.
Tek varri i tij mbi pllakën e hirtë
Dikush shkroi:
“Ky besoi në çdo rast”.