Yzedin Hima - Proze - Kenga e neperkes

KENGA E NEPERKES


Ese dhe shkrime te tjera

Poezi 2006
Shtepia botuese Uegen

 

REDAKTOR : SIMON VRUSHO

KORREKTOR : AGIM MEHQEMEJA

 


Liria e tė qėnit i lirė

 

Nėse Autostrada e Jugut do tė kalonte nga Berati …

Qyteti i Beratit gjatë viteve të hapjes së Shqipërisë nuk pati shansin për t’u zhvilluar si qytetet e tjerë, bie fjala si Vlora, Durrësi, Fieri apo Korça. Berati vit pas viti mbeti anash akseve të rëndësishëm që lidhin vendin më Greqinë, Maqedoninë, portet e aeroportet e vendit. Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri qeverisjet kanë pasur ngjyrime të forta krahinore e klanore . Nga Berati kanë munguar lobingjet për të kthyer vëmendjen e qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri drejt këtij qyteti, i cili është vërtetë emblematik në qyteterimin shqiptar. Ka pasur edhe ministra nga Berati, por për shkak të mungesës së vizioneve, peshës së vogël në vendimarrje, meskinitetit të tyre, nuk bëne asgjë për të shmangur këtë qytet nga metamorfoza nga qendër qyteterimi në provincë të harruar e mënjanuar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për deputetët e Beratit gjatë këtyre viteve, të cilët mund të kenë rregulluar shkëlqyeshëm punët e tyre, por Beratin e vërenin pa shqetësim tek zhytej thellë e më thellë në xhepin e harrimit. A janë mundësitë e prioriteteve për qytetin e Beratit? Po! Berati mund të jetë nesër një qytet i rëndësishëm i autostradës Veri-Jug, nëse lobingu i deputetëve dhe ministarve të Zonës së Parë Operative do të zbehet. Autostrada nga Lushnja në Berat dhe nga Berati drejt luginës së Lumit të Plashnikut e mandej në Memaliaj, Tepelenë e Gjirokastër kërkon një kosto sa çereku i autostradës Fier-Ballsh e më tej në Tepelenë e Gjirokastër. Por autostrada është planifikuar nga ajo rrugë e vështirë, sepse ministrat dhe deputetët e majtë të asaj zone kanë qënë gjer dje mjaft të fuqishëm. Nuk dihet ende se si do të veprojë qeveria e re e koalicionit të djathtë. Deputeti i Beratit, dr. Mehmet Xheka është njeriu më i fuqishëm i koalicionit të fituesve në Berat dhe ka një peshë të madhe në parlamentin dhe qeverisjen e ardhshme. Ai duhet t’i kthejë Beratit atë çka i mohuan deputetët e majtë gjatë 8 viteve në pushtet dhe qeveria socialiste. Ai duhet të krijojë lobingun e parlamentit për të mbrojtur Beratin, natyrisht jo në kurriz të qyteteve të tjerë, por të ndalojë prioritetet e sforcuara klanore në dëm të vendit e, sidomos, në dëm të Beratit.
Nëse autostrada Veri –Jug do të kalojë nga Berati (ndërkohë që specialistët e huaj kanë sugjeruar me kohë ndërtimin e hekurudhës dhe autostradës pikërisht nga Berati e nëpër luginën që përmendëm më lart), atëherë ky qytet do të njohë një zhvillim të paparë dhe do të marrë vlerën që i takon si qytet emblematik i qyteterimit shqiptar.

2005

Mėsuesit, midis Sfidės dhe Nderimit

Mësuesit janë qytetarët që e përjetojnë në tërë përmasat realitetin e sotshëm për shkak të natyrës së profesionit të tyre. Ata ndeshen me tërë nyjen e koklavitur të problemeve të shoqërisë sonë. Mësuesit gjatë tranzicionit postdiktaturë u gjendën në radhët e para të njerëzve të varfër, në një shoqëri që sa vjen e polarizohet. Ata gjenden para sfidave të tilla si : të jesh idealist në një shoqëri që sa vjen dhe bëhet më pragmatiste. Të jesh humanist në një shoqëri që, e dalë nga diktatura e izolimi i egër, ka humbur cdo lloj ndjeshmërie njerëzore. Në dorën e tyre është e nesërmja e këtij qyteterimi që synon të integrohet në Europën e pasur. Në dorën e njerëzve më të varfër të këtij vendi gjendet pikërisht e nesërmja e këtij vendi. A e dinë të gjithë këtë? Nëse sot kemi në parlament individë me mendje të ngushtë, nesër mos u habisni kur të dëgjoni fjalime deputetësh që lexojnë me shkronja e rrokje, atë që ua kanë shkruar të tjerët. Mos u habisni kur të japin drejtësi individë që nuk kanë lexuar asnjë faqe libri gjatë gjithë jetës së tyre. Mos u habisni kur në krye të bashkisë të vijnë milionerë që do të firmosin me gishtin e lyer me katran. Mos u habisni kur e gjithë administrata të bjerë në dorë të njerëzve të pagdhëndur,por me diploma e tituj ryshfetike.
Mësuesit sot gjenden në një skuadër me individë që kanë hyrë ilegalisht në shkollë duke blerë nota e diploma. Atë që me mundim e ndërton mësuesi i sakte, orën tjetër e përdhos “i diplomuari” i mbrapshte. Mësuesi i vërtetë sot gjendet vetmuar në turmën gri të atyre që, dikur nxënësit më të dobët në shkolla, u bënë “mësues”, se nxënësit e mirë nuk preferojnë të ndjekin studimet për mësuesi, për shkak të pagave të ulta.
Mësuesit, për shkak të varfërisë gjenden para alternativës : Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur?! Herë-herë fiton alternativa e dytë dhe mësuesi privatizon shërbimin, siç ndodh rëndom në mjaft shërbime publike te ne.
Mësuesi ndjehet i fyer kur paguhet njëlloj me kolegun me të cilin e ndan një mal me libra dhe një det idesh e përvoje. Mësuesi gjendet para sfidës së formimit të qytetarit të nesërm të Europës së Bashkuar. Po si?
Nesër është 7 Marsi, festa e mësuesit, festa e nxënësit, festa e shkollës sonë.Të gjithë qytetarët shqiptarë do të përulen para tempullit të shenjtë, shkollës. Mësuesit do të ndihen të nderuar, por a do të mundet shoqëria jonë t’i bëjë mësuesit të ndihen të nderuar e vlerësuar në gjithë ditët e vitit?!
2006

Matura Shtetėrore, akt reformues i shkollės sonė


Një nga shqetësimet e mëdha aktualisht për grupet e interesit në shkollë është Matura Shtetërore. Aplikimi i praktikës së Maturës Shtetërore në shkollat tona të mesme këtë vit ka shqetësuar maturantët, prindërit e tyre, mësuesit, drejtuesit e shkollave të mesme, drejtuesit e institucioneve arsimore. Ky shqetësim është i natyrshëm, sepse do të zbatohet për herë të parë një formë tjetër vlerësimi për maturantët dhe një formë tjetër pranimi në universitetet e vendit. Në fakt Matura Shtetërore do t’i kthejë dinjitetin e humbur të gjithë hallkave të sistemit tonë arsimor. Tani e tutje çdo nxënësi që synon të shkojë në universitet do t’i duhet të punojë shumë që në ciklin e ulët të shkollës 9- vjeçare e deri ditën e dhënies së Maturës Shtetërore. Ndryshe ky nxënës do të dështojë në provimet e kësaj Mature dhe nuk do të mundë të shkojë në universitet. Provimet e Maturës Shtetërore kërkojnë formim në lëndët që do të jenë provim i detyruar dhe në ato me zgjedhje. Indiferenca në orët e mësimit është me pasoja të pariparueshme që në klasat e 9 vjeçares. Largimi nga orët e mësimit në shkollën e mesme, dukuri mjaft shqetësuese deri sot, do të shmanget, sepse është i sigurtë dështimi në Maturën Shtetërore. Po kështu do t’i kthehet dinjiteti i humbur edhe universiteteve, sepse në shkollën e lartë do të shkojnë ata nxënës që kanë një formim për të qenë studentë, jo si deri tani, kur në degët më të preferuara nuk shkonin nxënësit me formimin më të mirë, por ata që nuk kishin asnjë lloj formimi, por prindërit e tyre kishin aftësi të mirë paguese te komisionet e pranimit,thene ndryshe kishin aftesi ryshfetike.
Me futjen e krediteve të notës mesatare të shkollës së mesme, kjo merr rëndësinë që i takon. Kërkesat e shkollave të larta për kandidatët me më shumë kredite në lëndët e përcaktuara nga fakultetet do të rrisë mjaft ndjenjën e përgjegjësisë te prindërit, nxënësit dhe mësuesit. Provimet e Maturës Shtetërore do të ndalin vërshimin e atyre nxënësve me formim të dobët në shkollën 9 -vjeçare dhe do t’i drejtojë ata drejt shkollave profesionale.
Për shkak se zbatohet një praktikë krejt e re në shkollat tona të mesme dhe pranimi në universitet, është i ligjshëm shqetësimi i prindërve , nxënësve dhe gjithë grupeve të interesuara. Nxënësit e zellshëm që kanë punuar sistematikisht janë të privilegjuarit e Maturës Shtetërore. Ata nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen. Përkundrazi. Duhet të shqetësohen nxënësit që nuk kanë punuar gjatë viteve, nxënësit që i kanë mbushur regjistrat dhe dëftesat me nota fiktive, ata që janë larguar nga orët e mësimit, ata që janë diferencuar padrejtësisht nga mësuesit etj. Të hollat e hequra mënjanë nga prindërit për të marrë të drejta studimi duke paguar nën dorë zhvleftësohen nga Matura Shtetërore. Ata prindër duhet të jenë vërtetë të shqetësuar.
2006

Monumente tė varakta

Berati është një qytet i vizitueshëm për arkitekturën, monumentet e kulturës që zotëron, harmonizimin e lagjeve të vjetra me terrenin e thyer, kodrat, lumin. Thuhet se është qytet i vjetër deri edhe 400 vjet para Krishtit, ndonëse objektet e qytetërimit apo të qytetërimeve që sot ekzistojnë, janë të vonë. Sidoqoftë, kodikët, pikturat mesjetare, muret e vjetra të kështjellës, monumentet e kultit etj. e bëjnë interesant këtë qytet edhe për vizitorin e huaj, edhe për vizitorin vendas, por administrimi, promovimi i këtyre vlerave kulturore lë ende për të dëshiruar.
Herë-herë mungesa e shijes, kultura e mangët, ideologjizimi i verbër kanë zbehur vlerat dhe kanë shquar antivlerat ose hiçvlerat në qytetin e Beratit.
Onufri
Është sa qesharake, aq dhe e trishtueshme kur shikon skulpturën e Onufrit në Kala, të piktorit të madh mesjetar, të lyer me varak sikur të qe një copë llamarine nga ato që tani kanë dalë nga përdorimi. Vepra e Agim Radës, e vendosur në hyrje të lagjes tregonte piktorin e shquar në një tendosje dhe plasticitet në çastet e krijimit. Në fillim i hoqën nga dora penelin, pastaj i thyen edhe gishtat me të cilat mbante penelin. Të jetë një mesazh kundër artit? Kundër kulturës? Kundër qytetërimit? Ndoshta, por një gjë është e sigurtë. E gjithë kjo sjellje buron nga barbaria e mendjes dhe e shpirtit njerëzor. Është një ogur i keq: mirë vlera s'po krijojmë, po pse të prishim ato që krijuan të tjerët? Për ta çuar deri në fund marrëzinë, dikush dha urdhër që Onufri të lyhej me varak. Me të drejtë mund të pyetet: ku shkuan ata që themeluan këtë qytetërim? Ata që zhvilluan dhe mbrojtën këtë kulturë? Në ç'vit erdhën barbarët?
Babë Dudë Karbunara
Skulptori Dhimitër Çani, i cili jetoi e punoi në Berat në kohën e mbretërisë dhe më pas, la në qytetin ku punoi, krahas nxënësve të tij të formuar estetikisht, edhe dy vepra me vlera si: "Monumenti i Dëshmorëve të Kombit" në lagjen me të njëjtin emër dhe bustin e Babë Dudë Karbunarës. Në vitin e mbrapshtë 1997, krahas shenjimit të njerëzve, kallashnikovët sovjetikë shënonin edhe monumentet e kulturës. Një nga veprat që e pësoi ishte edhe busti i Babë Dudë Karbunarës, vepër e skulptorit Dhimitër Çani, realizuar në vitin 1937. U zhvilluan disa biseda zyrtare në bashkinë e asaj kohe dhe pati dy mendime të ndryshme. Portreti i Babë Dudë Karbunarës të vendosej në fondin e Galerisë së Artit dhe në vend të tij të vendosej kopja e origjinalitit të veprës së Çanit dhe ndërhyrja te busti dhe riparimi i tij. Një nga zyrtarët e lartë të asaj kohe porositi skulptorin Vangjel Peço të riparonte bustin. Nezir Ago skulptor dhe punonjës i GA në Berat thotë: "Kam qenë kundër riparimit të këtij busti për këto arsye: duke ndërhyrë dhunohet integriteti artistik i veprës, materiali i përdorur në çdo rast mbetet i huaj për materialin që ka ngjizur veprën. Vepra e Çanit duhet të rrijë në fondin e Galerisë së Artit, ndërsa kopja e saj të ekspozohet. Pas ndërhyrjes që bëri skulptori Vangjel Peço, vërehet se busti ka denigruar. Pjesa e meremetuar ka ndërruar ngjyrë, ndonëse Peço gërreu materialin nga busti ekzistues, duke bërë dy gabime të rënda: ndërhyri në integritetin artistik të një vepre të rrallë në Berat dhe denigroi pjesën e dëmtuar të bustit."
Marrëzia vazhdon...
Në krah të Babë Dudë Karbunarës gjendet torsi i Margarita Tutulanit, Heroinë e Popullit. Dikush nga zyrtarët urdhëroi lyerjen e torsit me llak. Nuk u pyet autori i veprës, skulptori Vangjel Papa, u shkel e drejta e autorit, duke ndërhyrë dhunshëm në këtë vepër. Lyerja me llak ka bjerrur vlerat artistike të veprës, duke lënë një shije të hidhur te vizitorët.
Flautistja
Kjo vepër e skulptorit Nezir Ago u dëmtua nga plumbat më 1997 dhe ende nuk është riparuar. Autori thotë se do të investojë privatisht për riparimin estetik të podit.
Sërish Babë Duda
Një tjetër bust i Babë Dudë Karbunarës është vendosur para shkollës së mesme të përgjithshme që mban emrin e atdhetarit. Një pod i stërmadh ka dëmtuar marrëdhëniet bust-pod. Raporti midis tyre është i pazgjedhur nga ana estetike. Kjo ndodhi, sepse skulptori Vangjel Papa, autori i veprës, nuk u pyet, ndondëse ekzistonte një shembull nga e kaluara. Skulptori Dhimitër Çani, krahas bustit të Babë Dudës, realizoi edhe podin ku do qendronte busti. Të gjithë dallojmë raportin e zgjedhur estetikisht midis bustit dhe podit, ndaj vepra e tij është vërtet interesante.
2004

Elita e braktisur

Të gjithë kombet e qytetëruar, para se të arrinin bumin teknologjik dhe ekonomik, kishin realizuar me mjaft vëmendje e përkujdesje atë që quhet seleksion, për të formuar elitën intelektuale, e cila do të merrte në dorë institucionet e nesërme, do të përsoste teknologjinë, do të formonte një legjislacion modern për t’i prirë përparimit shoqëror.
Dihet se mbi 60 mijë japonezë të seleksionuar nga nxënësit me të talentuar u dërguan në universitetet më të mira të Evropës për të ndjekur studimet e larta. Nga këta studentë dolën mendjet e ndritura të cilat, e ngritën Japoninë në elitën e vendeve të zhvilluara në mënyrë të gjithanshme. Pra, paratë e taksapaguesve japonezë nuk shkuan dëm. Investimi i tyre tek të rinjtë e talentuar u kthye në vlera të jashtëzakonshme.
Po në Shqipëri, e cila doli nga diktatura e dërrmuar, sikurse Japonia nga lufta, çfarë po ndodh sot?
Askush nuk do t’ia dijë për nxënësit e shkëlqyer, të cilët mbarojnë shkollat e mesme. Askush nuk pyet se ku do të venë, ku do të studiojnë, a kanë mundësi ekonomike të studiojnë, për çfarë do të studiojnë.
Studentët shqiptarë elitarë nisen për në Itali apo edhe në vende të tjera në mënyrë kaotike, pa asnjë ndihmesë e përkrahje nga Shqipëria, që thuhet se është vendi i tyre. Kush ka shansin të ketë ndonjë të afërm në SHBA apo në vendet evropiane, mund të marrë një arsimim të mirë, të tjerët duhet të vuajnë shumë.
Në Universitetet e famshme të Evopës dhe Amerikës nuk shkon elita e studentëve, por pinjollët e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, të cilët në shumicën e rasteve shkojnë për t’u argëtuar.
Ende nuk e kemi parë ministrin e arsimit të dalë në konferencë shtypi dhe të deklarojë se nga fondet e taksapaguesve shqiptarë, 30 djem e vajza, nxënës të shkëlqyer nga Shqipëria, do të dërgohen në Universitetet e Oksfordit, Kembrixhit, Harvardit etj, për t’u përgatitur si elitë aq e nevojshme për vendin. Ende nuk kemi parë ndonjë këshilltar të bashkisë të kërkojë nga drejtoria arsimore se kush janë dy nxënësit e shkëlqyer të Beratit, të cilët me paratë e taksapaguesve do të nisen në x universitet të famshëm. Është hipokrizi të ulërish se po ikën truri i Shqipërisë, ndërkohë që shteti dhe shoqëria krijojne mjedis të përshtatshëm për horrat dhe trafikantët. Me këtë përbuzje që ka shteti i sotëm për elitën intelektuale, me indiferencën kriminale ndaj bijëve të talentuar, këtë vend do ta qeverisin tërë jetën kongresmenët dhe Shqipëria do të jetë qilari i errët i Evropës, ku jeton vëllai i marrë i evropianëve.
2004

Heshtje kriminale


Banorët e Beratit, sidomos ata në lagjet nga Ura e Goricës deri te spitali, ka kohë që ankohen për dhimbje të forta barku e diare. Kanë shkuar për vizitë te mjeku dhe kanë marrë me vete recetat me barna. Farmacistët thonë se ndër barnat më të shitur është klorofenikoli.
Banorët pinin klorofenikol, por efektet qenë të përkohshme, ose të papërfillshme.
Askush nuk i njoftoi se dhimbjet e forta të barkut dhe diareja shkaktoheshin nga uji i ndotur keqas nga ujërat e zeza, të cilat qarkullojnë së bashku prej disa mujash.
Gjatë muajit gusht, emigrantët e Beratit, të cilët u kthyen për pushime, sapo pinin qelqen e parë me ujë çezme, përfundonin në spital. Po t’u hedhësh një sy librave spitalorë, në spitalin e Beratit vëren se janë mbushur plot me emra të shtruarish ose të vizituarish.
Asnjë reagim nga spitali. Asnjë reagim nga drejtuesit e tij. Asnjë reagim nga mjekë të veçantë.
Më e pafalshme është heshtja e institucioneve që përgjigjen direkt për ujin e pijshëm në Berat. Nga burime të brendshme të këtyre institucioneve, kur janë bërë analizat, laborantet kanë vënë duart në kokë kur kanë parë parametrat e ndotjes. Madje, është bërë edhe sherr nëpër korridoret e një institucioni. Drejtuesit i kanë përcjellë shifrat alarmante lart, deri në prefekturë.
Prefektura, siç bëjnë të ditur burimet, i ka urdhëruar të heshtin, sepse publikimi i shifrave do të përhapte panik të madh?! Heshtni dhe shtoni klor në ujë, kanë porositur nga prefektura e qarkut të Beratit.
Në vend të vraponin drejt medias për të lajmëruar qytetarët të mos pinin asnjë pikë nga uji i helmuar, drejtuesit e institucioneve heshtën, heshtën në mënyrë kriminale. Qytetarët vazhdojnë të pinë ujë nga çezma, e cila sjell në rubinetat e tyre mut të holluar dhe klor, klor me shumicë, sipas porosisë së prefekturës.
Banorët, duke besuar tek institucionet e tyre, te pushteti vendor, pijnë klorafenikol dhe presin të largohet virusi.
E drejta e informimit është një nga të drejtat themelore të njeriut, e siguruar me ligj. Disa institucione që përgjigjen për shëndetin e qytetarëve, e kanë detyrim ligjor informimin për rrezikun që u kanoset banorëve.
Mosinformimi flet për nivelin mizerabël të shërbimit publik në Berat, flet për institucione të pareformuara, aspak demokratike. Fshehja e gjendjes, madje, përbën krim, krim kundër jetës së qytetarëve në përmasa të mëdha.
Nuk e di ku e gjejnë guximin drejtuesit e këtyre institucioneve për të fshehur të vërtetën. Nuk e di se si do të reagojnë institucionet e tjera, si këshilli i bashkisë, prokuroria, OJQ-të, partitë politike para një çmendurie të tillë.
Nuk mund të flitet për ndërgjegje profesionale. Nuk mund të flitet për humanizëm. Nuk mund të flitet për qytetari. Të lësh në mëshirë të fatit një qytet të tërë, i cili rrezikohet nga kolera, është më tepër se marrëzi. Ligji, të cilin sot e shkelin me të dy këmbët, i ngjet një gjarpri të mpirë në akullin që e rrethon. Nesër akujt shkrijnë dhe gjarpri (ligji) mund të ndëshkojë të pashpirtët, mekanizma të verbër të makinës ideologjike që sot bënë sikur qeveris këtë vend.
2004

Qė gazeta tė jetė zėri i qytetarėve

Gazeta “Lajmëtari” mbushi një vit jetë në tregun e medias. Në ditën e daljes u premtoi lexuesve të thjeshtë se do të qe zëri i tyre. A e ka mbajtur fjalën? Le të na gjykojë lexuesi. Në këtë kohë, kur njeriu ndihet përherë e më i braktisur, në këtë kohë, kur qytetari ndien mbi shpatulla diktaturën e varfërisë, diktaturën e klanit mafioz, diktaturën e klanit partiak, diktaturën e monopoleve, diktaturën e së djeshmes çnjerëzore dhe të së nesërmes aspak premtuese, një gazetë e hapur është një shenjë se nuk je krejt i braktisur, nuk je krejt i vetmuar. A ka gjë më të vajtueshme se sa të marrësh penën dhe nuk ke kujt t’i shkruash? A ka gjë më të vajtueshme kur të gjithë të mbyllin derën dhe veshin dhe nuk ke kujt t’ia tregosh hallin tënd?
Gazeta ka qenë e hapur për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.
Natyrisht, ne jetojmë në një shoqëri parademokratike dhe nuk është e lehtë të hedhësh dritë në labirintet e së keqes. Klima e mosbesimit te institucionet, te media e shpërdorur ndër vite, klima e mosbesimit madje edhe te njëri-tjetri që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare e bënë edhe më të vështirë punën e gazetarit. Mungesa e opinionit publik shpesh vë përballë individin me verbërinë e shtetit, qytetarin me prepotencën e zyrtarit, gazetarin me pashpirtësinë e kriminelit. Ende kolonat e gazetës nuk ndihen nga qytetari i thjeshtë si pronë tij, ku mund të shpallë publikisht problemet, padrejtësitë që i bëhen, ku mund të afishojë idetë e tij për ndryshim e përparim.
E megjithatë “Lajmëtari” e përshkoi harkun e një viti, me të mirat dhe dobësitë e tij. Tani ai ka një fytyrë dhe çdo të hënë lexuesit kanë dëshirë ta takojnë, siç kemi dëshirë të takojmë një mik dhe të bisedojmë për pak çaste me të.
2004

Kujtesa e thyer

Këto ditë ka nisur të shkrijë dëbora maleve dhe lumenjtë janë fryrë. Edhe Osumi është në ditët e tij më të mira, plot e përplot. Anës shëtitores në qendër të qytetit, ndonëse higjiena qytetare është mizerabël, nuk ndihet e fortë era e urinës, sepse rrjedha e fortë e lumit merr me vete gjithçka. Është kanali i hapur përgjatë gjithë shëtitores nga forcat gjermane, të ardhura në ndihmë të qytetit para disa viteve, që e shpëtoi qytetin edhe nga përmbytja, edhe nga ndotja e madhe. Gjermanët, lanë si shenjë një pllakë të thjeshtë, të cilën e mbërthyen në një masiv guri. Këshilli i bashkisë i asaj kohe e nderoi komandantin gjerman për ndihmesën e dhënë duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Beratit”, titull honorifik , të cilin e ka marrë çdo kryetar bashkie i Beratit që ka vizituar kalimthi një qytet amerikan me disa milionë banorë.
Sot qytetarët e Beratit i janë mirënjohës ushtarakëve gjermanë për punën e shkëlqyer që bënë. Ata individë që ende kanë kujtesë, sjellin ndërmend pamjen e shëmtuar të atyre ditëve në qytetin e Beratit. Dhjetra e dhjetra qytetarë bënin sehir oficerët dhe ushtarët gjermanë hipur në skrepa, makina vetshkarkuese e buldozerë, teksa hapnin kanalin e madh. Ushtarakët bjondë , ndërsa punonin, u buzëqeshnin pa të keq ca krijesave, në shumicë esmere, që rrinin duarkryq e vështronin të ardhurit nga Veriu i Evropës. Ushtarët e fuqisë më të madhe ekonomike në Evropë, po u pastronin qytetin krijesave më të varfëra të kontinentit, anëtarë të një kombi të shpërndarë në pesë shtete ballkanike, të cilët një Zot e di se kur do bëhen bashkë.
Komandanti gjerman, në komunikimin me prefektin e asaj kohe, nuk e duroi dot marrëzinë e atij zyrtari të mjerë shqiptar, që nisi t’i jepte urdhëra në një shqipe jo letrare, ushtarakut të lartë gjerman. Koloneli i tha përkthyesit : “Ky zotëria është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?!”
Pas ikjes së gjermanëve, pllaka u thye. Kush e theu? Komunistët e Beratit, të cilët nuk durojnë asnjë pllakë tjetër , veç atyre ku flitet se ku ka fjetur e me kë ka fjetur komandanti legjendar?! Keqbërësit ordinerë?! Nuk dihet. Një gjë dihet me siguri: pllakën e kanë thyer ca shqiptarë të shpifur, të cilët, pasi kanë urinuar në natyrë si stërgjyshërit e tyre, thyen pllakën.
Pllaka u rivu nga bashkia, por përsëri u thye.
Tani qytetarët e lashtë të Beratit vazhdojnë të dhjesin buzë lumit dhe ndërkohë pëshpërisin fjalët e filmit të famshëm : “Po me lumin (urën) ç’patën, xhanëm ?!”

2004

Ku mbaron krimi?! Ku fillon shteti?!

Në shtypin e ditëve të fundit kanë zënë vend akuzat e rënda për ish-drejtorin e policisë së Beratit. Ai akuzohet nga disa banorë për përzierjen në afera dhe krime të rënda. Këto akuza po ligjërohen edhe nga prokuroria, e cila, siç njofton shtypi i ditës, ka ngritur çështje penale në ngarkim të ish-funksionarit të lartë të policisë.
Që segmente të krimit mund të depërtojnë në segmente të shtetit, kjo dhe mund të ndodhë, por që krimi të ngjizet deri atje lart, në krye të shtetit, atëherë kambanat duhen të bien e të bien fort. Në këtë rast nuk thuhet “shteti në rrezik”, por “qytetarët në rrezik”, ose “liria në rrezik”.
Në Shqipëri, pas rënies së diktaturës, shteti ideologjik nuk u zëvendësua me shtetin ligjor (në ndërtim), por me shtetin horro-halabak. Dhe ky shtet horro-halabak, ku ministri ulet në tavolinë me soj-soj plehërash dhe ndihet komod me ta, kur kryeministri ha e pi tërë ditën e Perëndisë me vrasës profesionistë dhe komunikon shkëlqyeshëm në zhargonin e tyre, siç komunikon rrjedhshëm në anglisht me homologët evropianë, u bë edhe më i neveritshëm se shteti ideologjik i dikurshëm, i cili ruante një maskë serioze para fytyrës kriminale.
Pse ndihet komod shteti halabak në marrëdhënie me krimin?
Sepse krimi e sponsorizon, e ushqen me para të pista trafiqesh. Dhe në ndërmarrjen e madhe fitimprurëse të trafiqeve shtetarët janë ortakë. Ata marrin pjesën e luanit, duke mbyllur sytë në rrugë, porte e aeroporte, duke ndërtuar infrastrukturën e kësaj ndërmarrjeje. Sepse nuk mund të ngrihen pallate luksoze, nuk mund të krijohen prona milionadollarëshe me rrogën që të jep shteti ligjërisht, sado e lartë që të jetë ajo.
Në Shqipëri nuk mund të dallosh qartë se ku mbaron segmenti i krimit dhe ku fillon shteti. Sidomos pas vitit ’97, kur bandidët, pasi plaçkitën dhe dogjën shumicën e vendit, pasi zunë troje e rrëmbyen pronat e të tjerëve, u kthyen në bodigardë ministrash, shefa rendi e shefa seksionesh të luftës kundër krimit, drogës dhe terrorit, u kthyen në shoferë deputetësh e drejtuesish të lartë të policisë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë shtet më qesharak në botë se sa shteti pas 97-ës.
Si mund të luftonin krimin ata që qenë zhytur deri në fyt në krim? Si mund të luftonin trafikun e drogës ata që kishin ndërtuar punën (d.m.th. trafikun e drogës)? Si mund të vendosnin rendin ata që gjthmonë qenë problem me rendin?
Kuptohet se armiku i tyre i vetëm qe ligji, ligji që tani i mbronte. Përballë kishin popullin që kishte ulur kokën, sepse ka edhe më keq, kur shteti të braktis, të lë në dorë të horrit pa uniformë, siç ndodhi në pranverën e mallkuar të 97-ës.
Për shkak se Evropa nuk e dallon qartë se ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti, po e lë Shqipërinë mbas derës, pa investime, pa financime, pa integrime.
Kuptohet trafikantët, horrat me kostum shteti, pasurohen, ndërsa qytetarët varfërohen e mjerohen.
2004

Shkolla, vendi ku mund “tė punojė” kushdo

Thuhet se kryeministri Fan Noli, gjatë qeverisjes së tij gjashtë mujore, u ndal në një shkollë në rrethinat e Tiranës dhe priti gjatë së bashku me nxënësit sa të shfaqej mësuesi i asaj shkolle. Mësuesi, pasi kishte kryer të gjitha punët e tij, hyri në shkollë dhe nisi mësimin. Noli dëgjoi lloj-lloj historish dhe marrëzish nga ato që mësuesi u tregonte nxënësve. Priti që mësuesi t’u mësonte fëmijëve shkrim, këndim e matematikë, por më kot. Kur mësuesi i tha Nolit se ai nuk mund t’u mësonte nxënësve as shkrim as këndim, sepse nuk kishte shkollë, Noli flitet të ketë thënë: “Kam dëgjuar e takuar ministra arsimi pa shkollë, por mësues pa shkollë po takoj për herë të parë.”
Shkolla gjatë viteve të tranzicionit në vendin tonë është parë më së shumti si mundësi për të zgjidhur problemin social të punësimit, gjithmonë në dëm të detyrës së saj fisnike, atë të formimit qytetar e profesional të brezave. Dëmi ka qënë i madh edhe ndaj shkollës, edhe ndaj të ardhmes profesionale të qytetarëve. Në shkolla kanë dhënë mësim “mësues” për të cilët folëm më lart. Pa një formim të mirë në shkollën e mesme, mjaft prej tyre janë regjistruar part-time në universitetet tona dhe kanë “marrë” ndonjë provim. Ky kontigjent ka dhënë e jep mësim në shkolla. Mjaft prej tyre mund të ishin bërë profesionistë të mirë në fusha të ndryshme, por duke e parë shkollën si mundësi për zgjidhjen e problemit imediat të tyre, kanë preferuar punën në arsim. Ndaj sot është e vështirë të gjesh mekanikë, elektroute, rrobaqepës, lulishtarë, kuzhinierë, përpunues etj, por takon me tepri qytetarë që presin për të filluar punë si mësues në shkolla, ndërkohë që vazhdojnë studimet me kohë të pjesëshme. Nëse do të kishin një nga profesionet e tjera, për të cilët tregu i varfër i punës në Berat ka nevojë, nuk do të qëndronin pa punë, në pritje të çeljes së ndonjë vendi në shkollat në periferi. Janë qindra e qindra kandidatë për mësues, të cilët, nëse do të qënë orientuar më drejt, sot do të kishin mundësi më të mëdha punësimi. Me ç’duket lipset një politikë më e qartë zhvillimi e punësimi e qeverisë qëndrore dhe një orientim më i mirë i komunitetit nga qeverisja vendore drejt atyre specialiteteve që do të kërkojë tregu i ardhshëm i punës, natyrisht duke u nisur nga prespektivat e zhvillimit rajonal.
2006

 

Festohet me madhėshti 80- vjetori i hiēit


Javën që shkoi në Berat u festua me madhështi 80- vjetori i gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, i cili është hapur në fakt në vitin 1956. Se si i kishin numëruar vitet organizatorët e festës mbetet e pashpjegueshme për opinionin publik në Berat. Ne si gazetë e morëm vesh se në Berat po festohej 80 vjetori i shkollës së mesme të përgjithshme rastësisht, sepse nuk kishim asnjë ftesë nga organizatorët, të cilët nuk kishin lënë asnjë socialist që kishte punuar edhe thjesht një ditë në këtë shkollë për të zëvëndësuar ndonjë mësues pa qejf. Erdhën nga Tirana, Shkodra, Saranda shokët e ftuar në 80- vjetorin e gjimnazit të Beratit. U mbajtën fjalime, u bënë vlerësime për vitet e lavdishme, u bë edhe propagandë elektorale, të gjitha të lidhura ngushtë me 80 vjetorin e çeljes së të parit gjimnaz në qytetin e Beratit. Po si qëndron e vërteta?
Takuam një ndër pionerët e arsimit në Berat , mësues i shquar , drejtor shkolle e drejtor i filialit të Beratit, zotin Aqif Hoxha. Kur e pyetëm për festën, ai buzëqeshi dhe tha se nuk dinte pse u festua dhe çfarë u festua. Shkolla e mesme e përgjithshme nuk është hapur para 80 vjetësh në Berat. Ky 80- vjetor është thjesht fantazi e sëmurë e ndonjë drejtuesi, u shpreh profesori i nderuar.
Po si qëndron e vërteta lakuriq?
Për t’iu afruar sa më shumë asaj shfletuam librin me vlera dokumentare të Shyqyri Lakrës që flet për zhvillimin e arsimit në Berat nga viti 1900 deri në vitin 1944. Në këtë libër me kujtime Shyqyri Lakra deklaron se në Berat për herë të parë u hap një shkollë e mesme në vitin 1927, pa përcaktuar llojin e kësaj shkolle. Për t’iu afruar edhe më të vërtetës shfletuam “Fjalorin enciklopedik shqiptar”. Në të shkruhet e bardha mbi të zezë se para çlirimit ka patur në Berat një shkollë të mesme , e çelur në vitin 1927. Më poshtë tregohet se gjimnazet e parë në Shqipëri janë hapur: Gjimnazi i Shkodrës në vitin 1922, gjimnazi i Gjirokastrës në vitin 1923, ndërsa gjimnazi i Tiranës në vitin 1925. Agjëkundi nuk gjejmë vitin 1925 që përkon me 80- vjetorin “e famshëm”, të festuar me aq bujë e madhështi në Berat.
Në festë morën pjesë mësues historie, letërsie, mësues që e njohin mirë historikun e arsimit në Berat, drejtues shkollash , deri te ministri i Arsimit Luan Memushi. Me ç’duket një pjesë e mirë e tyre e dinin fare mirë se po merrnin pjesë në festën e hiçit , ose në 80- vjetorin e hiçit, por askush nuk bzani, siç thonë elbasanllinjtë. Të gjithë e shikonin mbretin lakuriq, por askush nuk e pohonte këtë fakt. Pse? Sepse pushteti i ka tredhur shumicën e tyre. Sepse pushteti i ka joshur me poste e rroga të mira. Më e trishtueshmja qëndron në talljen që i bëhet ministrit të Arsimi dhe Shkencës, Luan Memushit, i cili ftohet të marrë pjesë, të mbajë fjalime, të shpërndajë dekorata me rastin e 80- vjetorit të Hiçit. Dihet tedenca e qeverisjes së sotme dhe e institucioneve të saj qesharake për të shpallur festë çdo ditë të vitit, sa ia ka zili edhe komuniteti i lirë e gazmor i arixhinjëve, i cili feston çdo ditë, por në ndryshim nga zyrtarët tanë feston e dehet me paratë e veta, ndërsa ahengxhinjtë tanë festojnë e bëjnë zullume me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra tonat.
2005


Protesta ... reagim si popull

Në ka një popull të stresuar në Europë, ky është populli shqiptar. Në historinë e tij ende nuk ia ka arritur të ndërtojë institucione në shërbim të tij, por ka ngritur institucione që e mundojnë, e lodhin, e stresojnë çdo ditë.
Diçka që përsëritet çdo ditë a është ngjarje?
Përditë shqiptarët kthehen në shtëpi dhe, në vend që të shlodhen, lodhen edhe më tepër. Nuk ka as drita. as ujë. Shajnë,mallkojnë, zihen me familjarët dhe shpesh vrapojnë drejt telefonit. Duan të derdhin tërë zemërimin tek shteti. Formojnë numrin e elektrikut 32350. Matanë telit dëgjohet sinjali pip ... pip ... pip. Shteti, si dinak dhe njohës i psikologjisë sonë, e ka prerë komunikimin me ne. E di mirë se ne protestojmë fort në telefon, pa e thënë as emrin dhe fap ... na e pret zërin. Temperatura ka shkuar 40 gradë. Nuk ka një gotë ujë të ftohtë. Nuk mund të takosh një ventilator. As që mund të bëhet fjalë për të ngrënë një drekë të ngrohtë si njeri. Të vetmin shans proteste shteti e ka prerë. Dhe shqiptarët u kthehen familjarëve. Zihen e grihen me ta kot së koti. Shteti hesht si ai telefoni në cep të dhomës.

Shqiptarët kanë lindur për t’i nxirë jetën njëri - tjetrit.
Ndërsa udhëtonim me një furgon, shoferi mori një pasagjer jashtë vendeve. “Futu aty pas. Shtërngohuni ca se ky do të zbresë në Lushnje”. Të gjithë heshtën.Një nga pasagjerët që udhëtonte për Tiranë, i thirri shoferit të ndalonte. “Urdhëro lekët për rrugën deri këtu”, i tha. Po zbres unë. Do të gjej një furgon tjetër.Ai zbriti, por askush nga udhëtarët e tjerë nuk e mbështeti. Të gjithë heshtën, me përjashtim të shoferit që, kur pa se protestuesi u largua, i këputi një të sharë. Sidoqoftë qe një ogur i mirë. Ende protestojmë, pra, reagojmë si popull.

Fyerje në dritë të diellit
Prapa Ministrisë së Jashtme janë dy rreshta me njerëz që kërkojnë të marrin vulat e kësaj Ministrie. Kalojnë orë dhe radha nuk lëviz. Një sekser, 26- 27- vjeçar, me një zinxhir të florinjtë me të cilin mund të bëje zap një qen, i fuste njerëzit pa radhë dhe u merrte nga njëzet mijë lekë të vjetra. Një vajzë e brishtë me syze, murgeshë, tepër e revoltuar e kapi djaloshin prej zinxhiri dhe me një shqipe të çalë, i kërkoi të hapte rrugën drejt hyrjes. Bisha, me shputën e dorës së djathtë, e goditi aq fort në fytyrë sa iu thyen syzet dhe riga gjaku i mbuluan fytyrën. Polici, bashkëpunëtor i bishës ktheu kurrizin dhe u largua. “Ju, nuk jeni burra! ”, iu drejtua murgesha të dy krahëve, në të majtë dhe në të djathtë. Murgesha e brishtë italiane, edhe pse murgeshë , dhe pse prej shumë vitesh në Shqipëri, ende e ruante sensin e protestës.

Pse protestojnë parizienët?!
Dikush nuk e shpjegonte dot pse parizienët protestonin për një ngjarje që ndodhte në Kore, a në Kinë, a në Afrikë. Dikush tjetër u shpjegoi se ata e ndjejnë padrejtësinë mijëra kilometra larg dhe shqetësohen. Nëse nuk protestojnë ato mijëra kilometra kthehen në qindra ..., dhjetëra ... dhe padrejtësia të vihet si kular në qafë. Atëherë do të jetë vonë për protestë.
2003

Arsimi i sotëm, e nesërmja e kalbur

Në botën e qytetëruar arsimi është një ndër tri problemet delikate për komunitetin. Kandidatët që shpalosin programe më të qarta dhe më të efektshme për shkollimin, fitojnë zgjedhjet. Shoqëritë e përparuara janë veçanërisht të ndjeshme për atë çka bën pushteti vendor dhe qendror për shkollën.
Në fakt, krejt ndryshe ndodh te ne në Shqipëri. Indiferenca ndaj shkollës dhe problemeve të saj është katastrofike. Dhe ç’është më e keqja, paralel me indiferencën e komunitetit, shkon edhe indiferenca e shtetit. Në morinë e problemeve, që ka sot shkolla, është vërtetë e vështirë të dallosh kryesoret.
Unë mendoj se problemi më i madh dhe numër një është pikërisht indiferenca e komunitetit. Nëse komuniteti nuk do të reagojë, nuk do të kërkojë, nuk do të kujdeset për gjitheçka që ndodh, për gjitheçka ka nevojë shkolla, atëherë e ardhmja e shkollës do të jetë edhe më e zymtë e, për rrjedhojë, nuk ka gjasa të mira as e ardhmja e shoqërisë sonë.
Ku shfaqet indiferenca e komunitetit për shkollën? Kudo. Nuk kam dëgjuar në salla takimesh me politikanë apo shtetarë që qytetarët të ngrenë problemin e shkollës. Nuk kam parë reagim të qytetarëve për fondet e mjera që miraton shteti për shkollën. Nuk kam parë reagim të qytetarëve për rrogat e mjera të mësuesve. Nuk kam parë reagim të qytetarëve për raste të niveleve mizerabël të mësimdhënies, të marrëdhënieve mësues-nxënës. Nuk kam parë reagim të qytetarëve për mungesën e mjeteve themelore në klasa, për mungesën për vite e vite të teksteve, për emërime që fyejnë shkollën dhe nxënësit.
“Pse nuk na pranojnë në Europë? „ pyeti një nxënës.
“Sepse kemi një ekonomi të mjerë, sepse kemi një infrastrukturë të tillë, sepse kemi institucione të dobta, sepse ...sepse. Por më e rëndësishmja, për mendimin tim, është se nuk jemi ende evropianë . Për t’u bërë të tillë, siç thotë Faik Konica, shqiptari duhet të çvoshk qindra e qindra vite mentalitet joevropian, joshqiptar, që e kanë mbështjellë ndër shekuj. E pastaj duhet të rendë fort për të kapur trenin që të çon në Evropë. Natyrisht, barrën e Sizifit në këtë shndërrim e ka shkolla. Atë e vë në lëvizje komuniteti me kërkesat e tij. Vizionin e tij evropian. Por, si të mos trishtohesh, kur shumica e nxënësve në gjimnaz vijnë se nuk kanë se ku të venë? Se shumica e tyre nuk lexojnë kurrë një temë mësimore? Se shumica e tyre kërkojnë të kalojnë pa e merituar? Se prindërit e tyre, krahas pagesës së faturës së dritave, ujit, bëjnë gati edhe pagesën e faturës së dembelizmit a injorancës së fëmijëve në fundvit për të blerë një pesë të pamerituar? A ka reagim më mjeran se sa ky?
Sëmundja ngjitëse e privatizimit të shërbimit publik nuk ka lënë pa prekur as shkollën. Kur një prind i ofroi 2000 lekë një kolegut tim për një pesë, ai i refuzoi me mirësjellje .
“Po ti nuk je i pasur”, i tha prindi.
“ Është e vërtetë, por ato lekë nuk ndryshojnë asgjë. Thjesht më bëjnë fir.”
Askush nga ne nuk mundi të qortonte edhe thënien e një mësuesi në një shkollë tjetër, kur të hollat- taksë i futi në xhep dhe tha: „ Më duhen për doktorin”.
Edhe më e trishtueshme bëhet gjendja kur nxënësit me mendësinë e tyre, formimin, interesat qëndrojnë shumë më lart se mësuesi( ja) i tyre anadollak. Ky rast i ngjet historisë qesharake të peshkut me policin.
Atëherë për ç’formim evropian të nxënësve mund të flitet? ( Nxënësit bëjnë përpjekje të mundishme për transformimin e mësuesit).
A ka patur reagim për raste të tilla nga komuniteti? Një dukuri e tillë ende nuk pritet të ndodhë. Një pyetje e thjeshtë qëndron para shkollës, para qytetarëve. Këta nxënës që formojmë sot në shkollë, a do të jenë evropianët (shqiptarët) e nesërm dinjitozë? Për mendimin tim përgjigjja është negative. Në lumin dhe llumin e prurjes së sotme shkollore po humb, po tretet edhe ajo elitë nxënësish që nuk mungon. Po humb në llumin e masivizimit të mungesës së vizionit qytetar për formimin e elitave intelektuale, aq të domosdoshme për Shqipërinë e nesërme. Me dy paralelet e indiferencës së sotme, asaj qytetare dhe asaj shtetërore, një gjë është e sigurtë: ne po përgatitim masivisht qytetarin e dorës së dytë të Evropës, argatin, trafikantin, kusarin, shkelësin e ligjit, shërbëtorin. Dhe kjo është mjaft e trishtueshme.
2004


Njerėz, hidhni njė sy te lista e kėshilltarėve !

Pushteti lokal është, pa dyshim, pushteti që çdo ditë preket nga qytetari. Te tryeza e madhe e këtij pushteti vijnë, kryqëzohen, ndeshen, marrin udhën e zgjidhjes, pengohen mjaft nga problemet tona të përditshme. Aty në mënyrë të kamufluar marrin vulën ligjore edhe interesa individualësh të fuqishme, apo të grupeve të tilla. Kjo tryezë quhet Këshilli i Bashkisë. Aty ulen parlamentarë të zgjedhur me votën e qytetarëve për të qenë veshi i tyre, mendja e tyre, goja e tyre, dora e zgjatur e tyre. Nëse ky këshill, që del nga listat e çdo partive politike, devijon funksionin e mësipërm, atëherë ai është iligjitim.
Nëse ai kthehet në veshin, gojën, dorën e klanit apo të individit të fuqishëm atëherë kjo është një shmangie e rëndë, një deformim i demokracisë, një tradhti ndaj qytetarëve. Nëse veshi shurdhohet, goja kyçet, dora koman-dohet, është e njëjta gjë, demokracia nuk funksionon. Nga përvoja si anëtar i Këshillit të Bashkisë së Beratit për një legjislaturë mund të sjell shembuj domethënës. Një këshilltar i njerës nga partitë më të mëdha , gjatë gjithë legjislaturës si këshilltar nuk artikuloi as edhe një fjali të thjeshtë bie fjala: “ Rrugët duhen pastruar” Ai vetëm heshti. Votonte siç votonte përgjegjësi i grupit të tij. Edhe sot jam kurioz të di se ç’ngjyrë ka zëri i tij. Ky birboja ende është drejtor i një prej institucioneve më të rëndësishme në Berat. Pushteti i madh, siç duket, vdes pas të pagojëve, atyre që në vend të trurit kanë një lulelakër. Ndonjëherë nga lexuesit mund të më korrigjojë me të drejtë,
-I qafsh hallin. Memec, memec po ka vënë miliona.
Ky person është ende këshilltar i kësaj legjislature që po mbaron dhe kam frikë se do të jetë edhe në listën e legjislaturës që po vjen. Si përherë, të pagojët, gojëshqyerit për interesa të vetes apo të klanit, nuk janë vetëm në njërin krah të tryezës. Ata gjenden në çdo grup të dalë nga listat e famshme partiake që ne i kemi votuar dhe do t’i votojmë. Në përgjithësi parlamentarët tanë janë partiakë të thekur, por nula për profesionet e tyre. Rrallë, tepër rrallë mund të takosh ndonjërin me integritet profesional, moral e pushtetar, apo të nevojshëm për ato karrige të rreshtuara përreth tryezës së pushtetit që po presin të rinovohen.
Partitë politike po hartojnë listat e këshilltarëve. Në krye qëndojnë, si gjithmonë , të njëjtët emra që kanë vegjetuar e ngrohur karrigen për legjislatura të tëra. Që nuk kanë ngritur zërin në mbrojtje të atyre që kanë premtuar në fushatë. Që zbatojnë në mënyrë shembullore qëndrimin: Urtë e butë e plot tigani (e kanë fjalën për tiganin e tyre, jo atë të qytetarëve), që nuk mbrojnë jo më interesat e qytetarëve, por as ato të programit të partisë së tyre. Që gjatë dhjetë vjetëve kanë ndjekur pikë për pikë devizën : “qengji i urtë pi dy nëna,” pra, edhe PD-në, edhe PS-në njëherësh ose herë njërën herë tjetrën.
Meqënëse jemi në prag votimi, njerëz të besuar, hidhni një sy tek listat e këshilltarëve; Qofshi të PD-së, qofshi të PS-së. Dhe ngrijeni zërin për ata që nuk kanë asgjë me hallet tuaj, problemet tuaj, interesat tuaja.
Nëse nuk ju dëgjojnë, atëherë e keni një shans të madh: votën tuaj më 12 tetor 2003.


Sfilatė nė pasarelat e kollonave tė gazetės

Në numrin 5 të “Lajmëtarit të Beratit”, zoti Kadri Kuka, drejtor i drejtorisë së kulturës në Bashkinë e Beratit, krahas disa mendimeve për zhvillimin e kulturës në këtë qytet për të ardhmen, bën një ftesë të hapur për debat për njerëzit që punojnë në kulturë dhe për njerëzit e kulturës, pa dallim, qofshin të dëbuar për shkaqe të pastra politike nga institucionet e kulturës, qofshin të kërcënuar çdo ditë me dëbime po për shkaqe të tilla.
E falënderoj zotin Kadri Kuka, që për mendimin tim është një njeri i hapur dhe sikur të mos kishte frikë nga militantët partiakë, vërtetë do të kishte bashkëpunuar me artistë e njerëz të kulturës, pa dallimet idiote partiake, sepse të gjithë e dimë se kultura është një (natyrisht kultura e vërtetë) dhe krijohet nga njerëzit e kulturës pa dallim.
Që debati për kulturën të mos jetë thjesht një sfilatë në pasarelat e kollonave të gazetave, siç mund të paragjykohet edhe shkrimi i zotit Kadri, mendoj se në debat duhet të sjellin mendimet e tyre edhe drejtues të lartë te pushtetit vendor në Berat, kandidatë për kryetarë të bashkisë, këshilltarë të Bashkisë, të cilët marrin vendime për kulturën dhe është i mirëpritur në debat edhe Drejtuesi Monumental i Qëndrës Kulturore të Beratit, që krahas hiçit të gjatë kulturor, do t’i bëjë vetëm një shërbim të ardhmes: Do të mbetet në inventarin e këtij qyteti si një Monument i Shkëlqyer i Paaftësisë.
Por… më duhet të pohoj me keqardhje se punët e kulturës gjatë këtyre viteve kanë vajtur për dreq. Ndaj, kur lexova mendimet e tua tek “Lajmëtari” zoti Kuka, m’u kujtua Don Kishoti i Mançës i Servantesit dhe fjalët me të cilat i drejtohet Kalorësi i famshëm Sanço Pançës: “Pa hidhi një sy vetes, Sanço!”
Keni qënë, në fakt, me shans si drejtor i kulturës. Me fonde shumë më të mëdha se pararendësit, jo thjesht një përgjegjës zyre si pararendësit, por një drejtor drejtorie, me një mazhorancë dërrmuese në Këshillin e Bashkisë, me përmirësim të dukshëm të ligjit për autonominë lokale etj, etj.
Po çfarë risie i keni sjellë kulturës në Berat gjatë këtyre tre vjetëve, zoti Kuka?
Për mendimin tim pak, tepër pak.. Dhe në shumë drejtime keni sjellë edhe regres. Le të fillojmë me reformën në institucionet e kulturës. Shumica e institucioneve të kulturës janë shumë më pak produktive se sa në diktaturë. Në letër dhe në bordero ekziston Teatri i Estradës. Në skenë ai mungon prej vitesh. Fjala shpërdorim në këtë rast na vjen në ndihmë për politesë, kur mendojmë për fondet me miliona të dhënë për Teatrin e Estradës. Po kështu edhe për institucione të tjera inegzistente si Muzeu Historik, që promovon vend e pa vend vetëm historinë e errët të 50 viteve diktaturë, duke shkelur me të dy këmbët statusin e tij dhe të qëndrës kulturore dhe ligjin. Qendra Kulturore nuk është më qendër kulturore. Nuk e di si e emërtoni ju në dokumentacionin tuaj. Gjithçka mund të jetë , vetëm qendër kulturore jo. Aty marrëzia është pa limit, ka mbërritur deri tek trashëgimi i vendeve të punës nga një familjar tek tjetri.
Gjatë këtyre viteve kultura ka pësuar regres sidomos në paraqitjen e jashtme të qytetit tonë. Ju, edhe nëse nuk jeni inspirues i pllakave - logo të diktaturës të vendosura edhe në muret shekullorë të Kështjellës së Beratit, do të mbaheni mend si drejtor i kohës kur qyteti i vjetër u mbështoll me celefon të kuq për “t’u shitur” tek të huajt si qytet socialist, i viteve të partisë. U falet kjo tendencë veteranëve, por jo juve, që rrogën e madhe të drejtorit e keni nga taksat e të gjithë shqiptarëve dhe nga donacionet e dhuratat e Bashkimit Europian dhe SHBA, për të realizuar politikat e promovimit të kulturës së këtij qyteti dhe politikat e integrimit kulturor në boten e qytetëruar, të shkruara e zeza në të bardhë në programin e partisë tuaj dhe të miratuara ligjërisht nga Parlamenti Shqiptar.
Me propozimin tuaj gjatë këtyre viteve, Këshilli i Bashkisë ka çuar drejt vrimës së zezë miliona lekë, drejt vrimës së zezë që e ka emrin Qëndra Kulturore e Beratit, pa asnjë projekt kulturor e artistik, ndonëse dihet se as një lek nuk jepet në tym, pa një projekt të detajuar e argumentuar. Çdo lek i taksapaguesve duhet t’u kthehet atyre në formen e artit, kulturës, mjedisit të përmisuar, cilësisë së shkollimit etj.
Më duhet t’ju them, zotëri i nderuar, se ju që në fillim e nisët keq. Ju e nisët reformën tuaj duke bërë, në bashkëpunim me Drejtorin e Qendrës Kulturore, pushime nga puna për motive të pastra politike. Më pas sollët disa punonjës nga “klasa punëtore”, pa arsim dhe pa asnjë lidhje me kulturën. Po ato dite vendosët edhe bustin e Ushtarit në mes të qytetit më të vjetër të Shqipërisë. Pastaj shkatërruat Këshillin e Kulturës së Bashkisë duke formuar një tjetër këshill ilegal, për të cilin nuk kemi fare dijeni si banorë e taksapagues të këtij qyteti.(Do të respektonit një të drejtë themelore tonën, atë të informimit, nëse do të publikoni listën e Këshillit të Kulturës së Bashkisë)
Një drejtori kulture bashkie që nuk bën publike listën e anëtarëve të këshillit të kulturës së qytetit, që nuk bënë publike kërkesën për projekte kulurore në fillimviti, projektet fitues që do të financohen nga Këshilli i Bashkisë, për mendimin tim punon në ilegalitet, ose nuk punon fare.
Në ligjin për funksionimin e pushtetit vendor thuhet se pranë bashkive funksionojnë këshillat e kulturës, ku bëjnë pjesë personalitetet e artit, kulturës, shkencës të një qyteti. Aty sillen projekte kulturore, artistike, mjedisore, humanitare, të cilët diskutohen gjerësisht në këshill dhe pastaj drejtoria e kulturës ia propozon për njohje e miratim krytarit të bashkisë dhe me miratimin e këtij, i përcillen këshillit të bashkisë. Jam i sigurtë që këtë praktikë sa ligjore dhe demokratike, drejtoria juaj nuk e ka praktikuar ndonjëherë.
Ndër artistët, shkrimtarët, studjuesit vizionarët e politikave kulturore promovuese dhe integruese, banorë të Beratit, unë do të përmendja (u kërkoj falje atyre që e meritojnë dhe nuk po i përmend) : Shkrimtarin, përkthyesin, eseistin Balil Gjini, piktorin e talentuar, mjeshtrin e fotografisë artistike Bruno Ago, piktorin e njohur dhe menazherin e artit Kastriot Dervishi, publicistin dhe vizionarin Simon Vrusho, mjeshtrin e mjedisit të gjelbër Baftjar Kafexhiu, piktorin dhe restauratorin e njohur Agron Polovina, studjuesin e kulturës së traditës Agim Mehqemeja, muzikantët Neim Veizi dhe Agron Gjyzari, përkthyesin dhe njohësin e qytetërimit perëndimor Agim Lika, historianët Bedri Telegrafi dhe Ymer Kordha, përkthyesen, sociologen dhe veprimtaren e suksesshme të Ojq-ve Fitore Sulejmani, autorin e studjuesin Viktor Papa, inxhinierin me grada shkencore Hazbi Shehu. A është ndonjëri nga personalitetet e sipërpërmendur anëtar i Këshillit të Kulturës së Bashkisë?
Nëse përgjigjia është negative, dhe e tillë është, atëherë me plot gojën mund t’ju them se regresi dhe dështimet tuaja si Drejtor i Drejtorisë së Kulturës e kanë bazën pikërisht këtu. Ju e keni parë kulturën me syze partiake, si kulturë që e prodhon pala socialiste dhë të tjerët janë thjesht konsumatorë të saj. Gabim i madh që nuk korrigjohet në fund të mandatit të pushtetit vendor, zoti drejtor.
Kur përmenda atë punën e sfilatës që ju bëni në pasarelat e kollonave të gazetave, kam parasysh edhe një debat tjetër që ke hapur në një gazetë tjetër lokale, duke më ftuar mua publikisht dhe nominalisht. Unë, në respekt të lexuesit, t’u përgjigja duke të shfaqur edhe mendimin tim për problemet që ju ngrini sot. Pas botimit të shkrimit tim, ju heshtët. Vazhduat punën tuaj tepër të mbyllur, ose tepër të hapur me megafon në gojë në mes të qytetit duke u bërë thirrje qytetarëve për të shkuar tek Sheshi i Dosave. Unë nuk kam përfytyruar ndonjëherë pozitë më qesharake për një drejtor kulture, se sa këtë.
Nëse institucionet që ju drejtoni ofrojnë art e kulturë, qytetarët dinë vetë ku të venë e ku të mos venë. Por ju, gjatë këtyre viteve u morët me veprimtari masive, herë-herë të politizuara, ku mungonte arti dhe kultura dhe mbizotëronte vulgariteti. Arti elitar, kultura e vërtete , në asnje rast nuk erdhi në skenë gjatë viteve që ju drejtoni. Edhe Galeria e Artit “E. Lear”, që është shquar për veprimtari cilësore dhe ekspozim të artit, nga presioni juaj dhe vartësve të tu, kohët e fundit ka ekspozuar edhe surrogato, duke fyer pulikun e zgjedhur të krijuar në vite. Edhe mjaft veprimtari të Bashkisë që duhet të kishin formën moderne të paraqitjes, komunikimit me publikun vendas dhe të huaj, kanë çaluar në këtë drejtim, sepse ju nuk e keni kryer detyrën tuaj të shumfishtë , që ka të bëjë me gjithë shprehjen me kulturë të Bashkisë dhe institucioneve që varen prej saj. Herë-herë ndihej dora e ndonjë pseudoveterani, në vend të dorës suaj kulturore në mjaft veprimtari të Bashkisë.
Pse? Sepse ju nuk keni qënë në lartësinë e detyrës suaj. Nuk keni patur një këshill kulture që do t’i jepte tempin e vërtetë artistik e kulturor tërë jetës së këtij qyteti.
Natyrisht, u ka munguar dhe oponenca, për të cilën çdo shoqëri moderne ka nevojë dhe çdo shoqëri primitive e mënjanon dhe e urren.
Platforma e shprehur në shkrimin tuaj, krahas donkishotizmit, ka edhe elementë realistë. Po pse nuk e keni vënë në jetë, qoftë edhe pjesërisht, gjatë këtyre tre viteve te “mbretërimit” tuaj kulturor? Mos vallë është thjesht një tollumbace elektorale, plot ngjyra?
2004

Hi syve

Po mbushet një javë që Berati ka hyrë në Evropë : drita 24 orë në 24 orë, ujë det. Nuk po u besojmë syve. Pas verës së kaluar, ku qytetarët e Beratit kalonin orët e mesditës pa drita, në një vapë përvëluese, vjeshtës së errët me ujë të ndotur dhe radhë të gjata në spital për të marrë serum për shkak të ujit të përzier me m…, dimrit të mundimshëm nga errësira dhe të ftohtit ja ku erdhi pranvera evropiane e Beratit. Në djall vafshin fjalimet e ministrave, drejtorëve të cilët na kërkonin të bënim durim edhe nja 10 vjet!
Ja ku erdhi pa pritur dita e lume: drita pa ndalim si në Athinë, Romë e Berlin!
Po nga na zbriti kjo mrekulli?! As njoftime në media , as njoftime në tribuna.
Mungesa e energjisë i lodhi shumë qytetarët shqiptarë. Tjetërsimi i tyre arriti deri në atë pikë sa që kur vdiste një person në lagje, individë me humor shpreheshin se çdo e keqe ka edhe një të mirë, do të kemi drita pa ndërprerje sa të përcillet në atë botë i ndjeri.
Po çfarë ka ndodhur që qyteti është i larë në ujë e drita natë e ditë?
Po afrojnë zgjedhjet dhe qeveria kërkon edhe një mandat të tretë qeverisjeje. Nëse e realizon, atëhere socialistët shqiptarë janë të tretët për nga kohëzgjatja e qeverisjes pas etërve të tyre (komunistë) dhe mbretërisë, plot 12 vjet.
Qytetarët e vuajtur shqiptarë ndihen të fyer. Qeveria po i trajton sikur të ishin indigjenë, popull pa kujtesë , ose me kujtesë të shkurtër, 2-3 mujore. Një trajtim i tillë është bumerang për qeverinë. Është hi syve për qytetarët për të shkuar te kutitë e votimit me shikim të errësuar. A do të funksionojë ? Le të presim dhe të shohim.

Prill 2005

Njė task forcė kundėr falsifikimit

Rrënimi i shtetit në vitin 1997 është hiçgjë përpara rrënimit të përditshëm të tij nga dokumentat e falsifikuara pikërisht në zyrat e shtetit.


Një nga rreziqet që e kërcënon seriozisht shoqërinë e sotme është fenomeni i falsifikimit. Qytetarët shqiptarë janë në rrezik të madh nga ushqimet e falsifikuara që mund të vrasin jetën e tyre. Mallrat vërshojnë ngado. Inspektorët tanë edhe në mos qofshin të korruptuar, nuk kanë ose eksperiencën e duhur, ose mjetet e nevojshme për të kontrolluar ushqimet tona të përditshme. Ne blejmë shtrenjtë mallra pa cilësi, me etiketa false, ne blejmë lirë mallrat të skaduara, ne blejmë veshje “made in Italy” të prodhuara në Maminas dhe diku tjetër në lindje të Italisë.
. Ndodh i njejti fenomen me gjitheçka që konsumojmë. Vetëm Zoti na ruan e Zoti na ruajt!
Po falsifikimi nuk është problem që përfundon te ushqimet dhe mallrat që konsumojmë. Falsifikimi ka mbërthyer të gjitha sferat e ekzistencës së shoqërisë shqiptare. Para nxënësve del përditë një individ që ka vetëm 6 klasë, por në dosjen e personelit figuron me universitet, me notë mesatare 9 e lart. Nuk di të shkruajë dhe të flasë drejt shqip, por në dosjen e tij gjenden tre vërtetime që tregojnë se zotëria apo zonja zotëron tre gjuhë të huaja, për të mos folur pastaj për trainimet që ka bërë jashtë dhe brenda vendit. Merreni me mend se çfarë shërbimi arsimor iu ofrojmë qytetarëve me të tillë “kapacitete” që gjenden me shumicë në shkollat e zonave rurale dhe madje edhe në shkollat mu në qendër të qytetit! Dikush mund të pyesë: Po pse nuk verifikohen këto dokumenta? Është një punë e vështirë me të cilën institucionet duhet të merren.
Po nuk është vetëm “mësuesi” i fëmijës tuaj prej plastmasi. Prej plastmasi është edhe polici, i cili fshehur mëson abetaren për të fiksuar shkronjat e shqipes që të mos mbetet si guak para shoferit të dehur me emrin Xhemal, thjesht se nuk e kishte fiksuar atë xh-në e mallkuar. Në dokumenta ky polic figuron me tre vjet universitet, madje për gjuhë e letërsi shqipe. Prej plastmasi është edhe shefi i tij që “mbaroi” juridikun në këmbim të një thesi me para. Fals është edhe ai mjeku që, veshur me bluzën e bardhë pozon si Hipokrati, por e vetmja veprimtari “intelektuale” e përditshme e tij është të numërojë lekët e vjela përditë nga pacientët. Fals është edhe ai burri me shkollë fillore me kohë të pjesshme që pozon me një çantë dhe një kartë gazetari, por që koka e tij nuk funsionon as për të formuar një tekst me pesë- gjashtë fjali. Fals është edhe ai grupi që pi kafe tërë ditën në të njejtën kafe dhe pozon si grupimi më i rëndësishëm, sjellës i demokracisë në qytet dhe më gjerë, kur dihet se midis tyre nja dy – tre kanë qënë spiunë të përvuajtur të sigurimit famëkeq. Fals është edhe ai politikani lokal shpatëzhveshur, që korr majtas e djathtas, ndërsa ka harruar edhe vetë se para ca vitesh ka qënë një trafikant i mbërdhihur droge në parqet e ngrirë të Zyrihut. Fals është edhe ai “doktor-profesori” që i mori këta tituj me studimin për dobinë e thellimit të luftës së klasave për të forcuar diktaturën e proletariatit.(As që i shkoi ndërmend t’i dorëzonte a t’i flakte ata tituj e grada kur diktatura e proletariatit pushoi së qëni. Madje kur shkruan ndonjë artikull për demokracinë nuk harron të vërë para emrit titujt.). Fals është edhe ai fjalimi mbreslënës i atij deputetit që e dërrmoi pozitën (opozitën) dhe në kafene i thotë kolegut opozitar: “Na e do puna, se ajo seance transmentohej edhe në TV dhe ky derr mileti e do shumë sherrin. Përpara punës së “minjve” që brejnë ligjin në zyrat e shtetit duke lëshuar çertifikata false, vërtetime false, dëftesa false, diploma false, pasaporta false, çdo përpjekje për shtet ligjor është e dështuar.
Shpesh thuhet se në aeroporte e porte, në pikat e kalimit të kufijve zyrtarët e huaj sapo shohin pasaportën e kuqe shqiptare mbledhin buzët dhe një hije e thellë dyshimi u bie në fytyrë. Ne, qytetarët e këtij vendi nisim paragjykimet duke pëshpëritur se fqinjët nuk na duan, se Europa nuk na do. Në fakt i gjithë dyshimi i tyre ka vetëm një burim: identitetin tonë të dyshimtë. A është vërtetë diplomat ai tipi që ka pasaportë diplomatike?! A është biznesmen ai tipi që ka pasaport shërbimi?! A është shkrimtar ai personi që ka marrë vizën si i tillë?! A përputhet pasaporta me identitetin e vërtetë të mbajtësit të saj?! A qendron para zyrtarit të huaj një njeri normal apo një kriminel me identitet të ndryshuar?! Me ç’duket në kemi një mori problemesh për të zgjidhur drejt integrimit në botën e qyteteruar, por mendoj se ky është problemi më i mprehtë.
Po si të dalim nga ky det falsifikimesh ku zhytemi çdo ditë?

2006

Lehtėsia e tė marrit pėrgjegjėsi

Në një tekst letrar thuhet se edhe poeti e pëlqen një karrige të lartë, por kur ajo i shfaqet para, ai largohet i zverdhur. Natyrisht, duke qënë njeri me ndërgjegje, ai e ndjen përgjegjësinë para vetes, para të tjerëve, para të sotmes, para të nesërmes për kryerjen e detyrës që i ngarkohet. Duke qenë njeri me vizion ai e di se gjithëçka është e papërsosur dhe ndjen se sado që të përpiqet për ta kryer mirë një punë, ajo kurrsesi nuk është në limitet e kredos së tij.
Po çfarë ndodh në realitetin tonë?
Nëse shpallet një vend i lirë, ku ka një zyrë komode dhe një rrogë të lartë, do të turren drejt tij soj-soj qëniesh, me 5 klasë shkollë realisht, por me diplomë juristi faktikisht, me defekte të tmerrshme në njohjen e gjuhës shqipe, por me vërtetime për njohjen e 3-4 gjuhëve të huaja, me rekomandime akademike në xhep, me çadër partiake mbi krye. Dhe të nesërmen e konkurimit do t'i shohësh me kostum e kravatë të firmave të njohura, tek krekosen në vetura luksoze të blera me fondet publike. Sapo zënë zyrën, sillen si padronë dhe ua nxijnë jetën qytetarëve që i çon puna në zyrat e tyre. Këto qënie nuk flasin kurrë publikisht sepse nuk duan të botojnë marrëzinë e tyre, nuk e njohin transparencën, sepse vijnë nga gjirizet, nuk duan marrëdhënie miqësore me median se vuajnë nga kompleksi i inferioritetit ndaj medias së vërtetë. Pas një farë kohe institucioni që ata drejtojnë kthehet në institucion halabak, siç rezultojnë shumica e institucioneve në qytetin tonë e më gjerë.
Sa herë që shfaqet një karrige bosh në polici, në bashki, në qark, në prefekturë, në arsim, në shëndetësi, sidomos në kulturë, në media, në OJQ, materia jonë e gjallë vë në lëvizje mekanizmin e emërimit apo edhe mekanizmin e "zgjedhjes" dhe, kur ta shohësh si kaposhin në majë të plehut.
Dikush mund të thotë po pse nuk ia hapin kartat. Kjo specie kartat i ka të puthitura sipas ligjit. (natyrisht, gjithçka të falsifikuar në mënyrë të përkryer.). Ndaj sot institucionet tona as mund të flitet se janë të reformuara, as mund të flitet për nivele të shërbimit publik, as mund të flitet për institucione demokratike, as mund të flitet për institucione që do të përgatitin integrimin europian.
Askujt nuk i shkonte ndërmend se në shekullin e 21 do të vinin në krye të institucioneve ca gozhdë të vjetra që edhe partisë së punës i kishin mbetur në dorë si dërri matç, askush nuk e mendonte se në krye të institucioneve në mijëvjeçarin e tretë do të vegjetonin individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me ta, se në karriget e nderuara të këshillit të bashkisë do të uleshin soj-soj individësh që edhe në shtëpinë e tyre i lënë te stoli pas derës.
Ky është realiteti i dhimbshëm që e ka kapur prej fyti të sotmen dhe të nesërmen e këtij vendi.
2005

Liria e tė qenit i lirė

Shpërdorimi i lirisë për ne qytetarët shqiptarë është i dhimbshëm, krejt si shpërdorimi i ujit në mes të shkretëtirës përvëluese. Ndërsa përdorimi i drejtë i lirisë do të na bënte edhe më të lirë. Po si e këmi përdorur lirinë në këto vite ne, qytetarët e një vendi, ku liria ka munguar krejtësisht në më të shumtën e kohës?
Jemi shpërdorues të krisur të saj, ndonëse asnjëherë nuk kemi qënë plotësisht të lirë, në kuptimin sipëran të kësaj fjale (Si mund të quhesh i lirë kur nuk mund të kalosh kufijtë e vendit tënd të tkurrur? Si mund të quhesh i lirë me gjendjen mizerabël ekonomike, me një nivel të mjerë të qytetarisë, me një mentalitet gjerësisht të vjetëruar?). E shpërdorim lirinë si lojtarët e bixhozit të hollat. Po si?
Në vend të ulemi të studjojmë, e kemi më lehtë t’i fusim mësuesit, pedagogut një dorë parash për të regjistruar një notë pozitive. Në vend të punojmë tokën , të rritim pemë dhe perime, i japim zyrtarit të kalbur një trastë me para dhe blejmë një diplomë për t’u bërë “mësues”, “mjek” a “inxhinier”. Në vend të ngremë probleme në tubime e media për të përsosur institucionet, shkruajmë letra anonime (edhe kur vendos emrin poshtë letrës, për shkak të anonimatit të atij emri, letra është thjesht anonime). Në vend të kërkojmë që kudo në zyra dhe institucione të mbretërojë ligji, bëjmë një mijë e një presione për të shkelur ligjin në të mirë të përfitimeve tona të paligjshme. Në vend të organizimeve qytetare, preferojmë organizimet tribale: klanore dhe fisnore. Në vend që të inkurajojmë nismat reformuese, i shkurajojmë nismëtarët me klimën e ftohtë që krijojmë rreth tyre etj etj.
Nëse do ta përdorim lirinë tonë relative në të mirë të vetes tonë, në të mirë të vendit, atëherë kjo liri do të na bënte edhe më të lirë dhe vendin tonë edhe më të jetueshëm. Banorët e vendeve të qytetëruara e kanë përdorur lirinë si një nga pasuritë më të çmuara, shumë më të çmuar edhe se të gjitha pasuritë mbi dhe nëntokësore dhe liria ka punuar në mënyrë të shkëlqyer për ta dhe për brezat që vijnë. Po ne? Ne banorët e këtij trualli nuk jemi aq të kamur me atë pasuri që thirret liri, pra nuk jemi aq të lirë sa shpërdorim në mënyrë skandaloze lirinë.
2006

Matanė Mangalemit : Ēorrogjafi

Kur hyn në Mangalem, lagje e vjetër e qytetit të Beratit, mahnitesh nga labirinthi i rrugëve dhe rrugicave, nga harmonia arkitekturore e tërë lagjes dhe harmonia me mjedisin dhe lagjet e tjera muzeale. Ende nuk njihet me emër dhe mbiemër arkitekti i kësaj mrekullie, realizuar disa shekuj më parë. Banorët e Beratit dhe më gjerë janë krenarë për arkitekturën e qytetit të vjetër që rrezaton kulturë e qytetrim. Blloqet e lagjeve të ndërtuara gjatë viteve të diktaturës janë një muze më vete, por në dallim me lagjet muzeale të qytetit, një muze i mentalitetit të diktaturës, ku ajo që mungon është drita, hapësira dhe liria.
Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri nisi lëvizja e lirë e njerëzve. Banorë të zonave malore që ishin dënuar nga diktatura me bujkrobëri (pa pronë, pa të drejtë lëvizjeje nga fshati ku punonin, dënuar me punë të detyruar dhe pagesë sa për të qënë gjallë dhe u riprodhuar), u sulën në zonat urbane. Edhe në Berat u krijuan lagjet e reja (basifondet) anës lumit, në periferi të qytetit. Pas vitit 1997 banorët e ardhur filluan të sulmonin zonat muzeale duke ndërtuar me ato mjete financiare që dispononin shtëpi përdhese elbasançe, arkitektura më e mjerë në Ballkan. Askush nuk i ndaloi, askush nuk u tregoi një projekt të cilin duhet ta zbatonin. Dhe lindi në kodrën ku ngrihet Mangalemi, në anën tjetër, një lagje e madhe që sot thirret Çorragjafi, emri i një fshati të braktisur në komunën e Terpanit. Thirret kështu sepse banorët e ardhur në shumicë janë nga ky fshat i largët i Beratit. Kodra e Kalasë së Beratit, parë nga Droboniku dhe qendra e qytetit rrezaton kulturë e qytetërim me lagjet Mangalem e Kala, ndërsa nga ana tjetër ndërtimet pa leje, arkitektura e shëmtuar, përcjellin një imazh aspak të kulturuar. Ndonëse ky problem është ngritur nga individë të ndryshëm askush nuk ka dëgjuar. Në dheun tonë të dashur të gjithë flasin , por askush nuk dëgjon. Për mendimin tim të flasësh është meritë, ndërsa të dëgjosh është virtyt.
Me ç’duket, për hir të ca votave që sigurojnë një kolltuk deputeti apo një kolltuk kryebashkiaku u tolerua shkatërrimi i fytyrës së qytetit më të bukur në Shqipëri, Beratit. Ka mbetur vetëm një faqe e vogël e kodrës së Kalasë së Beratit pa u bathorizuar, faqja ku ngrihet Mangalemi. Matanë Mangalemit, ngjitur me të, shtrihet Çorrogjafi.
2005

Mbetjet helmuese dhe qytetari i pambrojtur

Nga periudha e diktaturës trashëguam mjaft rrënoja fabrikash, të cilat sot janë një rrezik i madh për banorët. Mbetjet helmuese ndotin gjithëçka, ajrin, ujin, tokën. Megjithatë, me një shumë lekësh mundësohet pastrimi dhe shpëtimi i mjedisit nga helmet që çlirohen nga këto mbetje. Problem i madh dhe më i rrezikshëm janë mbetjet e diktaturës, mbetjet e mentalitetit të saj çnjerëzor në formën e urrejtjes ideologjike e cila , ashtu si helmi i mbetjeve kimike që përshkon tokën dhe fshihet në ujin e pastër të burimit, merr trajta dhe ngjyra të bukura për të mashtruar sërish qytetarin e pambrojtur. Bie fjala, celula e spiunëve të sigurimit famëkeq të shtetit diktatorial transformohet në bord për një shoqatë “patriotike” dhe “kulturore”, siç ka ndodhur e ndodh rëndom në Shqipëri dhe në Berat. Këto shoqata me një koperturë të re dhe xixëlluese, njëlloj si kopertinat e veprave të diktatorit, shfaqen para qytetarëve sikur u dhemb shpirti për qytetin e tyre, ku rastësisht janë ngjizur dhe janë lindur, ndonëse vetë jetojnë në Tiranë, aty ku gëlon politika e madhe, paraja e madhe. Këta njerëz betohen se u këputet shpirti për qytetarët dhe intelektualët e Beratit, që vuajnë nën errësirë dhe nën sundimin e të ardhurve. Vini re! Të ikurit, “ata që fshatit i bënë munë dhe herë pas here kthehen dhe i vënë gjuhën”, sic thuhej në një varg të kohës së tyre të ndritur socialiste, lëshojnë lotë krokodili për të mbeturit. Natyrisht, nuk thuhet më se si ka mundësi të drejtojë një institucion filani, me biografi të keqe, nga një familje armike e partisë dhe pushtetit popullor, por gjithëçka fshihet pas çertifikatës së vendlindjes, dokumentit më pak domethënës për një individ. Nëse nuk besoni hidhuni një sy, ju njerëz normalë, dokumentave tuaja! Ja pasaporta, ku tregohet se i kujt je, bir i prindërve me emër të nderuar, apo bir i prindërish perversë, pastaj diploma, librat e botuar, shkrimet, përkthimet, etj, etj. Çertifikata vetjake ku tregohet se kur ke lindur dhe ku, është dokumenti më i rëndomtë, lehtësisht i manipulueshëm, për të cilin në përgjithësi qytetarët e këtij vendi nuk para pjerdhin shumë, perderisa e ndryshojnë dhe e falsifikojnë sa herë të duan dhe t’u duhet.
Mbetjet e diktaturës, të strehuara në borde shoqatash dhe tufëzime të tjera nisin sulmin e tyre, tani jo nën emrin e luftës së klasave , por nën një emër të ri, atë të shoqërisë civile. Dhe ndonëse betohen se u dhemb shpirti për qytetin, propozojnë për drejtues institucionesh individë që dokumentin më të rëndësishëm të jetës së tyre kanë çertifikatën e lindjes dhe si kontribut qytetar kanë atë se gjithë jetën e tyre “kanë ngrënë dhe kanë dhjerë” qetësisht. Mund të gënjejnë qytetarët e pambrojtur dhe t’i ulin në salla, ose t’i rreshtojnë në shoqata, por mjafton një kujtesë normale për të parë nën kostumet e tyre serioze uniformën e murrme të oficerëve të sigurimit të shtetit, ose kostumin prej doku të spiunëve të paguar keq nga diktatura. Asnjë fond, sado i madh, nuk mund të shpëtojë mjedisin tonë nga këto mbetje helmuese. Koha po, ajo do t’i flakë në harresë, do t’i dënojë me kthimin në hiçkush.
2006

Midis brigjeve tė ligjit dhe antiligjit

Këto ditë u krijua në qytetin e Beratit një organizëm për parandalimin e krimit. Në të bëjnë pjesë drejtues të institucioneve të rëndësishme si kryetarë bashkish dhe komunash, prokurorë, drejtorë të drejtorive rajonale, përfaqësues të OJQ-ve, kryetari i qarkut dhe prefekti i Beratit. Për nga përbërja ky organizëm është vërtetë i fuqishëm dhe premton t;i vërë frerët krimit që e ka lodhur këtë rajon siç ka lodhur tërë vendin. Pati fjalime entuziaste dhe paradë suksesesh nga të pranishmit. Shefi i një OJQ-je që merret me problemet e rendit, z.Sotiraq Hroni së bashku me prefektin e Beratit z.Roland Bejko qenë organizatorët e këtij takimi promovues.
Pa dashur të paragjykojmë këtë komitet vendor të luftës kundër krimit, madje duke qënë i vetëdijshëm për arritjet e rëndësishme të policisë shqiptare këta muajt e fundit, ku janë ndaluar disa nga krerët e organizatave kriminale, për ta parë sa më realisht ekzistencën dhe veprimin e këtij komiteti pa dallime partiake (edhe krimi nuk ka ngjyrë partiake, ndonëse shpesh ka suport politik), them se është në të mirë të qytetarëve për ta parë problemin nën një dritë realiste. Ky komitet mund të bëjë shumë për parandalimin e krimit nëpërmjet mekanizmave që disponon, por lipset një katarsis i dhimbshëm i tërë shoqërisë sonë. Shqipëria noton në një det paligjshmërie, ku në vitet që lamë pas i qe afruar shumë brigjeve të ferrit (antiligjit). Qytetarët shqiptarë votuan koalicionin liberaldemokrat pikërisht për të dalë nga kjo gjendje, që do të thotë se me votën e tyre kërkojnë që vendi i tyre të bëhet një vend ku respektohet dhe zbatohet ligji, vend që duhet të tregojë me vepra se po shkon drejt brigjeve të ligjit. Që të ndodhë kthesa e madhe, duhet të bëhet edhe katarsisi i madh . Qindra biznese kanë në bazën e tyre trafiqet dhe veprimet kriminale, qindra biznese mbulojnë krime çnjerëzore gjatë vitit ‘97 dhe më pas, qindra biznese janë ngritur nga vjedhja e parave të firmave piramidale (paratë e qytetarëve shqiptarë), qindra biznese janë ngritur nga përfitimet e tenderave në vitet ‘97- 2005, qindra biznese janë ngritur nga skllavëria e femrave dhe fëmijëve nëpër trotuaret e Europës, qindra biznese mbulojnë trafikun e drogës, qindra biznese janë ngritur duke përdorur terrorin, gjobat, pengmarrjen. Atëhere si do të parandalohet krimi, kur ekzistojnë të tilla ndërmarrje që kanë themel të tyre krimin?! Mund të flasim në shkolla për jetën e përkorë, për shtetin ligjor, për … por njerëzit nuk janë as budallenj, as të verbër. Ata i shohin hotelet modernë, lokalet milonadollarëshe, makinat luksoze, fabrikat, pronat e mëdha trashëgim nga veprimi kriminal. Para tyre fjalët për respektimin e ligjit, për jetën e përkorë, për kthimin e vendit në ligjshmëri janë pa vlerë. Po çfarë duhet të bëjmë?
Parlamenti le të vendosë sekuestrimin e çdo biznesi dhe prone me burime kriminale. Nëse nuk mundet ky veprim, atëherë të shpallë amnistinë e përgjithshme. Të paktën të thuhet se ndodhi ajo që ndodhi, tani e tutje fillon viti zero i ligjit edhe në Shqipëri.
Hipokrizia na ka lodhur mjaft edhe kur është e veshur me petka moderne, në dukje tejet civile.
2006

Monumente qė s’mund tė rrėzohen publikisht


Kur flamuri i Skënderbeut u ngrit në Vlorë më 1912, pas 5 shekujsh robërie, ra monumenti i robërisë aziatike, por monumenti i mentalitetit aziatik ende qëndronte solid në mendësinë e deformuar të qytetarëve shqiptarë. Ndaj mendjendrituri Faik Konica shkruante: “E bëmë Shqipërinë, tani le të bëjmë shqiptarët”. Në fakt monumenti i mentalitetit aziatik qëndron sot e gjithë ditën te mendësia e banorëve të këtij trualli, te veprimi i përditshëm i tyre. Qytetarët shqiptarë nuk e shohin këtë monument pesëshekullor, ndërsa evropianët po, madje shumë qartë. Iluzioni i monumentit të rënë ka mashtruar gjenerata të tëra.
Në vitin 1991, në 20 shkurt qytetarët shqiptarë rrëzuan në Tiranë monumentin e diktatorit Enver Hoxha, e hoqën zvarrë nëpër Tiranë, madje disa e pshurrën. Ngazëllimi i tyre të jepte përshtypjen e rreme se shpëtuam njëherë e përgjithmonë nga diktatura, nga survejimi, nga diktatori, nga njëshi, nga klani, nga partishmëria proletare, nga spiunimi i njëri-tjetrit, nga padrejtësia, nga lufta e klasave. Por nuk ndodhi kështu. Kishte rënë monumenti gjigand e grotesk prej bronxi i diktatorit Hoxha më 20 shkurt ‘91 në qendër të Tiranës, ndërsa monumentet e mentalitetit enverist, diktatorial ngriheshin rrezikshëm brenda te qytetarët shqiptarë, te ata që ranë nga pushteti dhe te ata që hipën në pushtet.
Zhgënjimi i rënies publike të monumentit është i hidhur. Sërish evropianët buzëqeshën kur ne e rrëzuam monumentin e diktaturës. Ata shihnin qartë, fare qartë monumentin (monumentet) e diktatorit te mentaliteti i qytetarëve shqiptarë.
Dhe diktatura, ndonëse monumentet ranë publikisht, vazhdon ashtu, e padukshme, tinzare, nën rrogoz, siç thotë populli.
Më 9 dhjetor 2004 është lajmëruar se do të rrëzohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë monumenti i korrupsionit. Dihet se ky monument i ka kaluar përmasat e çdo lloj përbindëshi të imagjinuar. Siç shihet në Nju-Jork nga larg Statuja e Lirisë, po ashtu dallohet statuja e korrupsionit në Shqipëri, që nga Brukseli, që nga Parisi e Uashingtoni. Shoqatat joqeveritare u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në sheshin “Skëndërbej” për të rrëzuar monumentin e korrupsionit. Qytetarët shqiptarë do të zbresin në sheshin “Skënderbej” më 9 dhjetor 2004, do të rrëzojnë monumentin e zi të korrupsionit, do të gëzohen, do të ngazëllehen dhe pastaj do të shkojnë në shtëpi me mendimin iluziv se monumenti i korrupsionit ra...
Ndërsa ai, i vërteti, monumenti i korrupsionit i ngritur në vetdijen e kalbur të qeveritarëve të sotëm do të ngrihet sërish, i pathyeshëm, stoik, përbindësh që shkatërron çdo ditë të ardhmen e shqiptarëve.
2005

Nėse e duam Beratin

Nëse e duam seriozisht qytetin e Beratit pasuri të trashgimisë kulturore botërore duhet të punojmë çdo ditë për të ruajtur vlerat arkitekturore, të cilat janë të rrezikuara nga mosrestaurimi për shkak të mungesës së fondeve, nga shkatërrimi i barbarëve që ndërtojnë kasollet e tyre përreth Kalasë me gurët e shkëputur nga monumenti më i rëndësishëm , kështjella ilire, (ose siç thoshte Bruno Shulc : “…siç ndërtojnë indigjenët kasollet e tyre me statuja perëndish”), duhet të mbrojmë me fanatizëm qytetin nga përdhosja arkitekturore që ka krijuar lagje të tëra rreth e rrotull qytetit, madje edhe në shpatet veriperëndimore të Kalasë, ku janë të përziera ndërtimet e mjera njëkatëshe elbasançe me kullat zvicerane e deri me çatitë “made in China”, që e bëjnë edhe më groteske lagjen e krijuar në shpatullat e Mangalemit, duhet të ruajmë nga shformimet arkitekturore të shtëpive monument kulture në lagjet muzeale nga ana e banorëve të tyre, të cilët, të lodhur së “jetuari estetikisht” nga jashtë dhe varfërisht nga brenda ndërtesave të tyre të banimit, ndërhyjnë me modifikime herë-herë qesharake në shtëpitë e tyre, duhet që urgjentisht të largojmë pamjet aspak europiane të përditshme të tregut në lagjen “30 vjetori”, lagje e cila ngjet me periferitë e Kalkutës apo të Kandaharit dhe nuk të jep aspak përshtypjen si pjesë e një qyteti kandidat për pasuri e trashgimisë kulturore botërore; duhet të zhvendoset tregu i të shtunave në lagjen Goricë, ku mjerimi ekonomik, mjerimi i prodhimit shqiptar, vërshimi i prodhimit skarco të mallrave turke, tregtimi pa kulturën minimale të tregut krijojnë përshtypjen e një vendi që për shkak të ndonjë epidemie ka humbur banorët e tij të kulturuar , të cilët janë zëvëndësuar nga ardhës që nuk kanë asnjë lidhje me qytetërimin e ndërprerë, duhet të përsosim mardhëniet midis komuniteteve që jetojnë në qytet duke parë vetëm para, në të ardhmen në Bashkimin Europian të qytetit të Beratit, duhet të bëjmë lobing për Beratin jo në salla të ftohta konferencash në Tiranë, por në Kala, ku vlerat e krijuara ndër shekuj bjerren brenda ditës, në Mangalem, ku shtëpitë monumente kanë rënë ose janë në prag të rënies, në Goricë, ku rrobat dhe këpucët e Gabit tregtohen drejt e në kumin e bregut të lumit së bashku me prodhimet ushqimore të fshatarëve të Shpiragut, në kodrat e bukura që ngrihen mbi Pazarin e Vjetër , të cilat mbeten të bukura edhe pse në shpatet e tyre ndërtohen çdo ditë ngrehina të shëmtuara, pa asnjë plan urbanistik dhe pa asnjë studim zonal, në... atëherë vërtetë duam dhe do të mundim të bëhemi pjesë e trashgimisë kulturore botërore.
2004

Nuk kanė helm vetėm gjarpėrinjtė

Biologët thonë se zvarranikët me gjak të ftohtë vetëm pamjen dhe namin kanë të tmerrshëm. Ndonëse kanë helm vdekjeprurës, nuk sulmojnë pa shkak, nuk të pickojnë kur u kalon pranë, nuk të zënë kurrë pritë, nuk të helmojnë pas shpine. Siç shihet këta zvarranikë, në këtë pikëpamje, qëndrojnë më lart se shumë gjallesa të tjera, të cilat nuk i gëzojnë këto sjellje të virtytshme gjarpri. Më i trishtueshëm bëhet fakti, kur gjallesa të tjera të një shkalle të lartë evolucioni, për nga sjelljet mbeten pas kushërinjve të largët të dinosaurëve, gjarpërinjve.
I kërkoj ndjesë lexuesit për krahasimin ndoshta të pavend, por kur lexon disa letra të shkruara jo me bojë, por me helm shpifërinjsh, ku intriga dhe mashtrimi thuren me durimin e merimangës dhe këmbënguljen e skllavit, vjen në përfundimin se gjarpri është një qenie mjaft fisnike.
Në kabinetet e ministrave, te zëvendësministrat, madje deri në Kryeministri dërgohen letra të tilla. Letraxhinjtë e shpifosur, pasi betohen për besnikëri qeni ndaj partisë, (ndonëse ata që i njohin nga afër thonë se individë të tillë janë të përbuzur edhe nga strukturat partiake për shitje të procesit zgjedhor te kundërshtarët politikë), nderin intrigën duke gënjyer në mënyrë të paturpshme. Po a ka turpi turp?!
Njëri prej tyre tri herë në javë jargavitej si kërmill nëpër zyrat e një institucioni deri sa mori atë që nuk e meritonte plotësisht. Kur iu prek paksa interesi për arsye objektive, i shkroi plot tri faqe zëvendësministrit, ku shpifte se gruan ia kanë lënë pa punë për arsye politike (ndonëse diploma e saj nuk përkon me natyrën e punës së kërkuar).
Drejtuesit e institucionit i paskëshin kërkuar “zotërisë” në fjalë të anëtarësohej në x parti në këmbim të favorit (Zot, i madh! Këtë tip mos ta kesh në qytet, jo më në parti!). Me një gur synoi të vriste dy zogj: së pari, kishte rast t’i përbetohej zyrtarit të lartë për besnikëri qeni (duke e fyer besnikërinë e njëmendtë të qenëve), në anën tjetër hakmerrej ndaj zyrtarëve të institucionit që nuk denjuan të uleshin me të as edhe për një kafe, ndonëse ai ua kishte bërë me dhjetëra herë ftesën në formë jarge.
Herë-herë mendoj se e keqja te ne nuk është as partiake, as politike, as historike, as gjeografike. E keqja te ne është gjenetike. Duhet të kalojë mjaft kohë, mbase jo aq shumë sa metamorfoza e dinosaurëve të tmerrshëm në gjarpërinj të kujdesshëm.
2006

Parada e sukseseve dhe luga bosh

Ndoshta nga që jetojmë në një truall ku me mjaft vështirësi pranohen dobësitë, humbja, dështimi, rënia, ringritja, ndoshta nga efekti i një trysnie ideologjike, ku njeriu urdhërohej të ishte qënia më e lumtur në botë, ne ende shohim te vetja dhe përreth vetes vetëm arritje e suksese. Ta vështrosh realitetin shqiptar nën një dritë të tillë rozë edhe pas 15 vjet hapjeje, është e trishtueshme. Do të thotë që vazhdon të jetosh ende në një shoqëri ku e vërteta është mërguar dhe i ndalohet të kthehet, do të thotë të jetosh si në diktaturë, pa patur diktaturë, do të thotë të pranosh gjendjen aktuale në gjithë treguesit e jetës sonë.
Thuhet se nxënësit japonezë sapo mësojnë të lexojnë ndeshin në tekstet e tyre një pohim që u tregon atyre se Japonia është një ndër vendet më të varfëra në botë për pasuri minerale, ndaj atyre u del për detyrë të mësojnë shumë, të punojnë shumë për të mbijetuar në një vend të tillë. Vështrimi kritik mbi gjithëçka ka sjellë përparim dhe begati në atë pjesë të botës së qytetëruar ku është aplikuar.
Ndërsa te ne vazhdon ende parada e sukseseve, kur dihet niveli i mjerë i jetesës së shumicës së banorëve, niveli i mjerë i ekonomisë sonë kombëtare, niveli i mjerë i shkollës sonë në të gjithë treguesit, niveli i mjerë i shërbimeve ndaj qytetarëve shqiptarë etj. etj.
Gjendja delirante ka sjellë atë prapambetje, të cilën do të duhen vite e vite për ta kapërcyer. Është mjaft vonë për të braktisur mentalitetin e fshehjes së plagëve. Në një takim pune, në një nga institucionet e qytetit tone, në vend të identifikoheshin problemet dhe të diskutohej për zgjidhjen e tyre, nga mjaft pjesëmarrës u bë një paradë suksesesh, që nuk i vlente askujt, aq më pak synimit të takimit. Ne ende nuk dallojmë një takim pune nga një takim thjesht festiv. Por më shqetësuese është verbëria jonë ndaj gjithëçkaje që ngec, që duhet ndryshuar urgjentisht. Natyrisht kjo ka të bëjë më formimin tonë në një shoqëri pa liri, në një shkollë të ideologjizuar, ku nuk kultivohen mendjet dhe shpirtrat e lirë, mendjet dhe shpirtrat kritikë, aq të nevojshëm për një shoqëri të lirë.
Problemet tona janë të shumta, por, nëse do t’i fshehim, nëse nuk do t’i nxjerrim në dritë të diellit, atëherë do të festojmë, do të gëzojmë, do të mbajmë fjalime, do të shpërndajmë dekorata, por lugën do ta kemi bosh.
2006

Parrullat e shkruara me bojė

Parrullat janë të pranishme në jetën tonë të përditshme, duke na e mpirë mendimin, duke na terrorizuar individualitetin. Del qytetari në shëtitoren kryesore të qytetit dhe përballet me një parrullë të madhe, ku ai (qytetari) urdhërohet të jetë i gëzuar: “Gëzuar 7 Marsin!”, “Gëzuar 8 Marsin!” etj. Parrullat shkruhen në beze me bojë të kuqe dhe, të shoqëruar edhe me flamuj të kuq, krijojnë një mjedis “festiv” provokativ për shumicën e qytetarëve. Qyteti i Beratit , piktoresk nga natyra dhe nga dora njerëzore në ditë festash i stolisur me gjithfarë xhinglash të vjetra dhe të kuqe i ngjet gomarit të arixhiut në ditë pazari. Mungon finesa e një dekori që të pasqyrojë kulturën e ketij qyteti, kulturën e banorëve të tij, ndonëse ka një traditë të bukur nga e kaluara e largët, kur në ditë festash nga dritaret e Mangalemit dhe të Goricës qytetarët shpalosnin flamurin kombëtar. Ky fakt flet shumë. Qytetarët nuk i urdhëronte askush të ishin të gëzuar, të ishin të lumtur. Ata në mënyrë të pavarur, individualisht shprehnin nderimin për ditën e flamurit apo për ditë të tjera të shënuara. Që prej 60 vjetësh e sot e gjithë ditën qytetarët duhet të gëzojnë në mënyrë kolektive. Pas rënies së diktaturës parrullat tipike komuniste u implementuan edhe në ditët e festave fetare. Në këto ditë shëtitoren e presin parrulla të tilla që, siç tregojnë të moçmit nuk kanë qënë traditë në qytet si “Gëzuar Bajramin !“, “Gëzuar Pashkët!”, “Gëzuar Ditën e Nevruzit!”. Ka një mijë e një mënyra për ta zbukuruar qytetin në mënyrë domethënëse edhe për festat fetare, por jo me parrulla të stilit komunist, të cilat në rastin më të mirë e bëjnë qesharake atmosferën festive.
Berati në ditë të shënuara “zbukurohet” me parrulla krejt pa kuptim, madje qesharake si “Rroftë 1 Maji!” , “Rroftë 5 Maji!”, “Rroftë 60 vjetori i Çlirimit!” Nuk mund ta kuptoj se çfarë do të thotë “Rroftë 5 Maji!”, ndërkohë që fare mirë e di se për këtë ditë mund të përdorej normalisht fjalia “Nderim dëshmorëve!” Edhe më pa kuptim është parrulla “Rroftë 60 vjetori i Çlirimit!”. Kur parrullat shkruhen edhe me gabime të tmerrshme, atëhere terrorizmi psikologjik i parrullave bëhet i plotë. Një mësues skrupuloz i gjuhës shqipe nuk doli në shëtitore gjatë gjithë javës që shkoi sepse nuk mund të shëtiste në shëtitoren “Republika” në Berat, ku qe varur një parrullë masive e shkruar me gabime drejtshkrimore: “Mirserdhe zoti president”. Ai doli nga shtëpia vetë një javë pasi presidenti i nderuar iku dhe parrulla u hoq.
Ne synojmë t’i bashkohemi pjesës së qytetëruar të Europës, ku banorët qe kanë respekt për veten dhe të tjerët, i kanë përsosur shijet individuale, madje jetojnë vërtetë estetikisht.
2005

Qytetari i rrethuar

Qytetari shqiptar, pasi u shpëtua nga rrethimi që i kishte përgatitur vetes gjatë dhjetra viteve, u gjend sërish i rrethuar nga mbetjet inerte të rënies së Murit të Berlinit dhe mureve të tjerë historiko-kulturorë si: diferencat e mëdha ekonomike, diferencat e mëdha në funksionimin shoqëror, diferencat e mëdha në mentalitet, në kulturë, në edukim etj., krijuar gjatë dekadave dhe shekujve.
Natyrisht, këto vite tranzicioni kanë qënë vite përpjekjeje për të nxjerrë qytetarin shqiptar nga rrathët ku ai kishte rënë, rrathë të ferrit për krijimin e të cilin herë- herë kishte ndihmuar edhe vetë. Qytetari shqiptar, falë edhe mundimeve tejet njerëzore , të cilat i përballon me stoicizëm, po shpëton nga hinka e ferrit dhe po ngjitet, ndonëse ngadalë drejt Purgatorit, apo plotësimit të standarteve për të hyrë në BE, që në përfytyrimin e banorit të këtij trualli ka formën e Parajsës, por kurrsesi nuk i ngjan asaj. Pas po lë, jo pa dhimbje, krenarine boshe, mentalitetin oriental, dembelizmin proverbial etj.
Krahas përpjekjes individuale dhe kolektive për thyerjen e rrathëve, gjatë kësaj kohe qytetari shqiptar përjeton një rrethim të një lloji tjetër, krijuar nga i ngjashmi i tij, i cili mund të jetë punonjës i shërbimit publik, mund të jetë mjek, mund të jetë tregtar i ushqimeve, mund të jetë shitës perimesh apo zarzavatesh, mund të jetë faturues i KESH-it, mund të jetë profesor i universitetit, mund të jetë edhe mësues i gjimnazit apo i pedagogjikes. Seicili nga këta hedh rrjetën për të peshkuar pikërisht qytetarin shqiptar, i cili nuk ka rrugë tjetër,vec asaj që e çon drejt e në rrjetë, sikur të qe thjesht një peshk, i pambrojtur nga institucionet, nga ligji. Kështu ka ndodhur gjatë këtij tranzicioni të gjatë. Po a do të vazhdojë këshu? Kjo është sfida e institucioneve të sotme, kjo është sfida e qeverisjes së sotme : shpëtimi nga rrethimi i qytetarit shqiptar që kur të shkojë te mjeku i shërbimit publik të nxjerrë nga xhepi vetëm librezën e sigurimit shëndetsor, që kur të shkojë te shitoret të mos ketë frikë se po blen ushqime të skaduara, sepse dikush nga shteti i ka kontrolluar, kur të shkojë në universitet duhet të mendohet mirë se e vetmja rrugë për të marrë provimet dhe diplomën është studimi, kur të trokasë në portat e shtetit ta dijë mirë se do të përfitojë atë që i takon me ligj, pa futur dorën në xhep, etj. etj.
Kur institucionet euroatlantike kërkojnë me këmbëngulje ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike, pikërisht dëshirojnë të shpëtojnë qytetarin shqiptar nga rrethimi dhe ta integrojnë atë në radhët e qytetarëve të lirë të Europës.
2005

Shkretimi i mjedisit dhe verbėria e shtetit

Kur ra regjimi komunist në Shqipëri, kishte një përputhje midis njeriut të ri dhe mjedisit ku vepronte ky njeri. Njeriu i ri, i krijuar sipas modelit kinez, ishte i zhveshur krejt nga pluraliteti i të menduarit, këndvështrimi i natyrshëm i dukurive apo i fenomeneve, ai kishte të formuar në trurin e tij shkretëtirën e frikshme të të menduarit, shkretëtirë që do të na mundojë gjatë. Krahas shkretëtirës mendore dhe shpirtërore diktatura krijoi edhe shkretimin e mjedisit. Shkatërrimi i pyjeve për të krijuar kullota, tarracimet kineze, hapja e tokave të reja, shtimi i parcelave të mbjella me misër dhe grurë për të siguruar bukën në vend, e shfytyruan mjedisin shqiptar, sikurse edhe njeriun shqiptar deri në atë masë të neveritshme, sa që një krytar kooperative vuri si detyrë, pas kthimit nga republika e Kinës komuniste, “Ta bëjmë Donofrosën si Taxhai”.
Përfytyroni Taxhain kinez krejt shkretëtirë dhe kinezët që sillnin nga dhjetra kilometra larg dheun e pasur për ta bërë të jetueshëm këtë provincë. Po Donofrosa, një vend i begatë, si mund të bëhëj si Taxhai? Natyrisht duke u shkretuar. Pra, pasi u shkretua njeriu, u krijua Lej Feni i famshëm, (në fakt, këtë tip sot e gjen në zyrat e institucionet që thirren demokratike),pra, duhej krijuar edhe mjedisi kinez.
Pas rënies së diktaturës në Shqipëri nisi një shfrytëzim barbar i asaj që kishte mbetur ende nga mjedisi shqiptar. Etja për ndërtime, inisiativa e lirë, çliroi energji të mëdha njerëzore për të ndryshuar. Këtyre ndryshimeve nuk iu parapri me studime urbanistike e mjedisore nga pushteti lokal dhe ai qëndror. Anarkia e lëvizjes demografike, ndërtimet e paligjshme, shfrytëzimi i egër i mjedisit i ngjajnë Perëndimit të Largët në Amerikën e para dy shekujve. Nisi shkatërrimi i pamëshirshëm i mjedisit që është pronë publike në sy të e publikut, që ende nuk ka formuar opinionin, aq i nevojshëm për bashkëekzistencë në demokraci. Argjinaturat e lumenjëve u prishën, pyjet u rrafshuan për t’u shitur për një copë bukë, çdo gjë e gjelbër u zëvëndësua e po zëvëndësohet me beton, dhe e gjitha kjo ndodhi, po ndodh në sy të publikut që ende nuk përbën opinion, në sy të shtetit ose nga segmentet e tij. Një pjesë pasurohen duke shfrytëzuar barbarisht pasuritë publike në të mirë të xhepit të tyre dhe në dëm të qytetarëve. Në Shqipëri ka dy lloj qytetarësh që dallohen qartë nga njeri tjetri: perversë grabitqarë dhe qytetarë. Këta të fundit janë, pothuajse në mëshirën e të parëve. Po lanë gjë ata, do të jetojnë këta të dytët. Ky fenomen ndodh në vendet e egra, paraqytetare. Edhe në Perëndimin e Largët ndodhi vetëm për pak kohë. Te ne vazhdon të ndodhë edhe sot e gjithë ditën. Nëse ky shkrim nuk ju duket i drejtë, do t’ju lutesha t’i hidhni një sy plagëve të tmerrshme në kodrat, ku janë ngritur guroret, pyjeve të dikurshëm ku sot gjen dhe’ të kuq, hapësirave midis shtëpive dhe pallateve ku ngrihen ngrehina që shkelin edhe të drejtat më elementare të bashkëekzistencës, kopshteve të dikurshëm të ngritur me mund, ku nuk ka asnjë fije bari, plantacioneve të ullinjve, ku u derdh mundi i dy brezave për t’u ngritur, grirë nga sopata dhe zjarri i vënë. A ka njerëz që paguhën për të ruajtur mjedisin? Për të përmirësuar atë?
Po, ka. Ka edhe një ministri që drejtohet nga një ministër që ka humbur prej kohësh çdo florë dhe faunë të dinjitetit njerëzor e profesional dhe i shërben klanit verbërisht dhe përulësisht. Karrigia e tij vlen sa të gjithë pyjet e Shqipërisë, sa i gjithë mjedisi i gjelbër i saj. Ky ministër, sa herë që ndërrohen qeveritë socialiste, mbetet në kabinet, si një monument i së keqes, që mbrohet nga shteti.
Kush kalon nga Berati për në Fier, te kodrat e Qafës së Sqepurit përlotet kur sheh kodrat e mrekullueshme me ullinj të dikurshme të bëra shkrumb nga zjarrvënësit. Mijra e mijra rrënjë ullinj janë djegur në pak orë, në ditë të ndryshme dhe në sy të njerëzve: fshatarët do të digjnin ferrat buzë parcelave të tyre për të “shtuar” tokën e bukës. Pas ferrave zjarri përfshiu ullinjtë dhe u dogj fillimisht plantacioni i ullinjve në krahun e majtë të rrugës. Asnjë deklaratë nga ministri, as nga pushtetarët, as nga zyrat e mjedisit apo të drejtorisë përkatëse, asnjë i ndaluar nga prokuroria, asnjë hetim. Pas disa ditësh digjet kriminalisht edhe ullishta në krahun e djathtë. Me të njëjtin pretekst: djegia e ferrave në anë të parcelave. Përsëri asnjë fajtor për mijra e mijra rrënjë ullinj të djegur, asnjë i ndaluar e i dënuar.
Shkatërrimi i mjedisit po ndodh në sytë tanë. Ne reagojmë jo si popull i qytetëruar. Nëse në Perëndim, rastësisht, ke këputur një degëz pishe të njomë dhe e mban në çantën tënde të rrugës, të gjithë qytetarët në stacionin më të afërm të autobusit do t’ju vërejnë me zemërim, sikur të kishit bërë një krim, thjesht për një degëz pishe, sa që nuk do të gjenit skutë ku të fshiheshit. Le të reagojmë për mjedisin para se të kemi krijuar shkretëtirën në mes të Europës.
Nisemi për në Europë e sosim në Kandahar.
2003

Tregu apo Turpi i qytetit


Tregu i tezgave në lagjen “30 Vjetori” në Berat është treguesi i nivelit të qytetërimit tonë në harkun kohor që jetojmë.. Batanijet me dekoracione që formojnë shitoret, plastmaset, ku kuis era e këtij dimri në të dalë, mallrat që ne blerësit e tyre të varfër na bëjnë edhe më të varfër për shkak të cilësisë së tyre të mjerë, janë vizatim i gjendjes sonë, janë vizatim edhe i vizioneve që ne kemi për të sotmen dhe të ardhmen, për ekonominë e tregut në përgjithësi Për këtë treg është shkruar dhe folur shumë, por për fat të keq asgjë nuk është bërë për ta zhvendosur atë diku tjetër. Banorët e lagjes “30-vjetori”, një prej lagjeve më të mëdha në Berat, jetojnë në një qendër tregtare të ndotur në të gjithë parametrat. Aty në të gjitha ditët e javës nuk guxon askush të qetësohet a të meditojë, për shkak të thirrjeve të “tregtarëve”. Aty tregtohet gjithëçka. Është një vërshim që fillimisht përmbyti sheshin para stadiumit “Tomori” dhe dalëngadalë përfshiu dy anët e rrugës deri te shkolla e mesme e përgjithshme “Babë Dudë Karbunara” , pranë qendrës së qytetit.
Qeveria lokale nuk bëri asgjë për të shpëtuar nderin e qytetit të Beratit, i cili qëndron në portat e UNESKO-s, i veshur si lypsar me dekoracionin e batanijeve të tripsura. Këshilli i nderuar i Bashkisë nuk mori vendimin e rëndësishëm që tregu të zhvendosej në x a y vend. Shoqatat e mjedisit nuk organizuan asnjë protestë për të kujtuar vendimarrësit për ndotjen e mjedisit urban të një lagjeje.
Prefekti i Qarkut të Beratit mori nismën për pastrimin e një krahu të lumit Osum për të shpëtuar lagjen “Goricë” nga përmbytja, por si përfaqësues i qeverisë duhet të marrë sërish të njëjtën nismë për të shpëtuar këtë radhë nga përmbytja një lagje të madhe, gjysmën e shëtitores kryesore të qytetit të Beratit, për të shpëtuar biznesin e rregullt që paguan taksat qëndrore dhe taksat vendore dhe po jep shpirt, sepse konkurohet nga mallrat e kalbura që vërshojnë nga Lindja dhe u serviren qytetarëve të Beratit në tezgat e këtij tregu fals. Ky “treg” shkel të drejtat e qytetarëve që banojnë në këtë lagje. Mashtron qytetarët e Beratit me cilësinë tepër të dobët të mallrave, shkel të gjitha rregullat dhe ligjin urbanistik të qendrave të banuara etj. etj.
Është për t’u shënuar se të gjithë janë në një mendje se ai treg është turpi i qytetit të Beratit, se i sjell më tepër probleme se sa të mira banorëve të këtij qyteti, por askush nuk e merr mundimin të lëvizë për të larguar këtë pazar të neveritshëm që rjep qytetarët duke u shitur këpucë tërë shkëlqim që grisen gjatë një jave, apo mallra të të gjitha llojeve që hidhen ende pa u përdorur mirë. Dikush edhe mund të thotë se me atë treg zbutet disi papunësia. Në fakt, po ndodh e kundërta. Nga mbyllja e bizneseve për shkak të konkurencës së këtij pazari po shkurtohen mjaft vende pune(fakt që e kam theksuar edhe në një tjetër shkrim me të njëjtën temë), po u vihet dryni mjaft shitoreve që u ofrojë qytetarëve mallra cilësorë dhe një nivel të lartë shërbimi. Këshilli i bashkisë Berat duhet të marrë një vendim. Le ta lërë një ditë në javë në këtë lagje( e keqja më e vogël) , ose ta zhvendosë diku tjetër këtë Pazar që nuk i shërben askujt, por mban peng gjithë qytetin.
2005

Tregu virtual i votės

Fushata elektorale po shkon drejt kulmit të saj. Bie në sy interesi i madh i qytetarëve shqiptarë për atë çka ndodh në salla, sheshe apo edhe në ekranin e vogël. Deri tani indiferenca ndaj zgjedhjeve politike është gati e papërfillshme. Ndoshta qytetarët e papunë e shohin fushatën elektorale si një punësim sezonal, apo si një spektakël ku mund të shtysh ca nga orët e ditës së gjatë.
Sekserët janë shfaqur edhe në këtë fushatë. Me lista në dorë u afrohen kandidatëve për deputetë, zyrave partiake dhe ofrojnë ndihmën e tyre “të pakursyer”. Premtojnë vota në këmbim të ca parave. Ata sillen në tregun politik si në një pazar, ku gjithëçka shitet e blihet. Madje ky treg ka edhe xhambazët e vet politikë, të cilët shesin dy, tre herë të njëjtën votë apo grup votash. “Hallexhinjtë” që blenë janë kandidatë për deputetë, të cilët shohin ëndërra me parlament dhe rroga 2 milionëshe. Këto vota virtuale shiten disa herë dhe te disa kandidatë. Qëllon që 50 vota të lagjes x i kanë “blerë” 7 kandidatë të majtë dhe një kandidat i së djathtës që konkuron vetëm. Të gjithë i kanë futur në xhep këto vota virtuale dhe ndihen të sigurtë për datën 4 korrik. Shitësi mund të qëllojë që të jetë i njëjti person me ngjyrë, ose persona të ndryshëm.
Në këtë treg informal janë të gjithë elementët e firmës piramidale të Sudes. Të gjithë qytetarët shqiptarë me Suden gati prekën ëndërrën e të qënit milionerë, tani po prekin ëndërrën e të qënit deputet. Skema është krejt e njëjtë. Fut tre dhe merr nëntë. Por ka edhe një treg të vërtetë votash. Individë të pavetdijshëm për vlerën e votës së tyre e kanë nxjerrë atë në treg për 10 mijë lekë të vjetra, për gjysmë thesi miell. Ky është fenomeni më trishtues i këtyre zgjedhjeve. Kandidati për deputet që nuk u kujdes gjatë katër viteve për nxjerrjen nga varfëria të banorëve të zonës së tij, shkon dhe pyet shitësit për shifrat e ushqimeve veresie. Pastaj thërret menaxherin e tij dhe i kërkon t’i shlyejë ushqimet veresie të votuesve. Vota u shit për një muaj ushqime të dyqani i lagjes. Banorit i ndrit nuri nga lumturia. E flaku tej varfërinë për këtë muaj. Mbeten 47 muaj të tjerë për të blerë ushqime veresie, deri në zgjedhjet e ardhshme, pas 4 vjetësh. Ajo votë mund të merrte vlerën e ndryshimit të jetës së këtij qytetari, nëse do të përdorej ndryshe. Këtu dallojmë qartë nga qytetari evropian, i cili ka respekt për votën e tij, ka dijeni për forcën dhe vlerën e madhe të saj, kur ajo bashkohet për të ndryshuar jetën e tij dhe të gjithë komunitetit. Herë- herë kjo fushatë i ngjan pazarit të tmerrshëm të Goricës, të shtunave ku të gjithë shesin dhe të gjithë blejnë një mall të varfër që nuk ua ndryshon aspak jetën e përditshme, jetën e mëzitshme.
2005

Universitet apo kioskė universitare?!

Në Berat kanë filluar regjistrimet në atë që një pllakë me mermer të lirë varrezash në ngjyrë gri e emërton si Universiteti i Beratit. Pa dyshim hapja e një universiteti është një ngjarje e shënuar për çdo qytet. Universiteti i jep qytetit ku çelet një dimesion të ri. Për Beratin, si emblema e qytetërimit shqiptar, çelja e universitetit është një mrekulli. Po nga erdhi kjo mrekulli në këtë fundvere? As Partia Socialiste që po ikën nga pushteti, as Partia Demokratike me aleatët që po vjen në pushtet nuk e premtuan në asnjë rast një universitet për Beratin. Zoti Berisha ka premtuar, në një takim elektoral në qytetin e Durrësit, një universitet për këtë qytet gjatë 4 vjetëve qeverisjeje, pa specifikuar se sapo të ulej në kolltukun e kryeministrit do të çelte këtë universitet. Si shpjegohet nxitimi i qeverisë që po ikën për hapjen e tre universiteteve në Berat, Fier dhe Durrës?
Disa zëra komentojnë se hapja e këtyre universiteteve bëhet për të sistemuar në punë disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit me drejtoritë përkatëse në qendër dhe rrethe dhe zyrtarëve të tjerë të majtë që priten të lënë pa lavdi karriget e pushtetit. Zoti Genc Pollo e komentoi këtë aventurë të qeverisë së rrëzuar me votën e qytetarëve si një veprim neronian që do të shkatërrojë arsimin e lartë në Shqipëri, edhe ashtu mjaft i rrënuar gjatë këtyre viteve tranzicion.
Po çfarë po ndodh në të vërtetë?
Në Berat numri i të regjistruarëve e ka kaluar 700 –ën. Regjistrimet vazhdojnë. Po cilët janë kandidatët për studentë të Universitetit të Beratit? Nxënës me notë mesatare pesë. Nxënës që e kanë kryer shkollën e mesme me korrespondencë. Rrallë, tepër rrallë, mund të gjesh kandidatë për studentë me notë mesatare mbi pesë. Janë regjistruar në këtë shkollë kontigjente problematikë të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme, të cilët kanë shkuar a nuk kanë shkuar në shkolla gjatë 12 viteve nja 2-3 javë. Mësuesit i kanë toleruar për shkak të bezdisë së madhe që shkaktonte prezenca e tyre në orën e mësimit.
Atëherë si do të ngrihet Universiteti i Beratit? Cilët do të jenë studentët e tij? Si do të mundin të konkurojnë këto kontigjente dhe të fitojnë me konkurrim statusin e studentit? Merret me mend se komisionet do të nxjerrin “fitues” nja 500 syresh (sa numri i paracaktuar nga MASH-i), nga ata që përmendëm më lart. “Studentët” do të paguajnë “taksën e injorancës” dhe do të nisin jetën studentore me njërën dorë në xhep për të paguar taksën e lartpërmendur për çdo provim, apo në rastin më të mirë për shumicën e tyre. Atëherë Universiteti i Beratit është thjesht kioska universitare e Beratit, nga i cili Berati nuk do të gëzojë kurrfarë dimesioni universitar. Nuk dua të flas këtë herë për stafin e pedagogëve, sepse nuk dua të paragjykoj askënd nga ata që kanë vrapuar për konkurim për të zënë vend në stafin e këtij universiteti.
Cila do të ishte zgjidhja? Nëse Qeveria Socialiste do ta kishte seriozisht çeljen këtyre universiteteve, atëhere shumë kohë më parë niste punën për krijimin e infrastrukturës universitare, stafit të pedagogëve, fondet e nevojshme etj.etj. Gjatë tetë vjetëve në pushtet, dorë pas dore, do të realizohej çelja e këtyre universiteteve dhe jo në mënyrë traumatike, siç po çelen tani. Për mendimin tim qeveria e re duhet ta marrë seriozisht këtë problem për t’i prerë udhë abuzimit dhe zhvelerësimit të një akti të madh siç është çelja e një universiteti. Po si? Tani Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka në dorë të vëzhgojë konkurimin e kandidatëve për studentë dhe nëse ka vërtetë të tillë, atëherë bujrum le të fitojnë dhe të nisin studimet. Nëse jo, le të hapet qoftë edhe një degë e vetme këtë vit për të lënë hapur çeljen e degëve të tjera vitin tjetër kur të paraqiten për konkurim studentë të vërtetë. Vit pas viti universiteti do të marrë formë dhe do të shpëtojmë nga kioska universitare.
2005

Zyrtarė me gjuhė tė lidhur nyje


Dalja e një gazete është ngjarje në jetën e një qyteti. Me daljen e saj, çdo qytetar ka një shans të mirë për t’u mbrojtur nga segmente të verbëra e të errëta të çdo lloj pushteti. Seicili ka një mundësi më shumë për mirëinformim për atë që ndodh rreth tij. Çdo qytetar ka një shqisë më shumë: edhe gojë, edhe sy, edhe veshë. Natyrisht, ndodh kështu, kur gazeta bëhet zëdhënëse e qytetarëve pa dallime politike, pa dallime kulturore, pa dallime pasurore..
Edhe gazeta Lajmëtari synon çdo ditë që të jetë gazetë e qytetarëve, ndonëse po përballet me pengesa dhe vështirësi të shumta.
Në këtë shkrim do të sjell vetëm një nga problemet mjaft shqetësues, siç është shkelja nga ana e zyrtarëve e të drejtës së qytetarëve për informim. Qytetarët duan të dinë se çfarë bëhet në zyrat e pushtetit lokal dhe atij qëndror në të mirë të përmirësimit të jetës së tij. Kjo është një e drejtë natyrore dhe ligjore e tyre, e parashikuar në Kushtetutë. Po çfarë ndodh?
Zyrtarët janë hedhur në ilegalitet. Askush nuk të informon se çfarë bëri kjo zyrë apo ai zyrtar dje dhe se çfarë do të bëjë nesër. Askush nga qytetarët nuk di se ç’ndodh në Drejtorinë e Shëndetit publik, në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, në Zyrën e ruajtjes së Mjedisit, as që diskutohet për Drejtorinë e Qëndrës Kulturore. Askush nuk di se si do të fillojë ky vit shkollor: Sa shkolla të reja janë ndërtuar, në sa shkolla nuk do të fillojë mësimi fare, sa drejtorë shkollash janë zëvëndësuar me më të aftë? (Në shkollat e Beratit shumica e drejtuesve të shkollave janë komisarë politikë të partisë. Kanë mbaruar shkollën e partisë, ose shkollën e shejtanit, siç e quan populli.)
Mungon informimi i publikut,shkelet një nga të drejtat themelore të njeriut, shkelet me të dy këmbët Kushtetuta, por askush nuk e vret mendjen. Institucionet nuk mund të jenë aspak demokratike, kur nuk janë transparente, kur drejtuesit nuk dalin herë pas here para gazetarëve. Ende nuk ka ndodhur që ndonjë drejtues institucioni t’i kërkojë ndihmë publikut për probleme të dyanshme. As që mund të bëhet fjale për kërkim ndjese pulike qytetarëve për vështirësitë e shumta me të cilat ndeshet publiku dhe moszgjidhjen e tyre nga ata që përgjigjen. Siç shihet mungon a-ja, kultura demokratike e zyrtarit, aq e nevojshme për drejtimin e sotëm të institucioneve.
Kur takon ndonjë zyrtar dhe i kërkon diçka që ka të bëjë me punën e tij, ai tendoset deri në atë masë sa i ikën goja.Dhe ç’është më e keqja, zyrtarët nuk prononcohen as atëherë kur gazeta i përmend me emer ata dhe institucionet që drejtojnë. Mungesa e reagimit tregon papërgjegjëshmëri ekstreme, mospërfillje të opinionit publik dhe injorim të qytetarëve, shkelje të etikës elementare të zyrës dhe të zyrtarit. Në mjaft raste Lajmëtari ka sjellë probleme të pazgjidhura nga zyrtarë të ndryshëm dhe institucione. Asnjë reagim, asnjë përgjigje, asnjë replikë, me përjashtim të z.Kadri Kuka, drejtor i Drejtorisë së kulturës në Bashki.Të krijohet përshtypja se zyrat që mbahen nga taksapaguesit drejtohen nga zyrtarë me gjuhë të lidhur nyje.
2004

1 Maji - ditė feste apo ditė proteste?!

Edhe 1 Maji 2004 kaloi pa asnjë protestë në Shqipëri. Është i vetmi vend në botë, ku ditën e 1 Majit qytetarët dalin familjarisht në natyrë sikur të ishte Shën Gjergji, festë e gjithë shqiptarëve, tashmë e harruar. Në çdo vend të botës, ku punëtori nuk merr më pak se 2000 dollarë në muaj, ku mësuesi me rrogën mujore ka mundësi të jetojë normalisht, të pushojë dhe të udhëtojë në vende të tjera, qytetarët dolën në protestë. Protestuan për rroga më të larta , protestuan për shkollim më cilësor të fëmijëve, protestuan për hapje të vendeve të reja të punës, ndonëse asistenca sociale është 10 herë më e madhe se rroga mesatare e shqiptarëve, protestuan për mjedis më të pastër, protestuan për shërbim shëndetsor më cilësor, protestuan për shërbime publike më cilësore dhe më të lira. Shqiptarët, ku papunësia është më e larta në të gjithë Europën, ku rrogat janë më të ulta në të gjitha Europën, ku arsimi publik është krejt i kalbur në të gjithë shkallët, ku shërbimi shëndetsor është më antinjerëzor se në Afrikë, ku tarifat e shërbimeve janë të krahasueshme me vendet e BE, ku uji është i ndotur, ushqimet jashtë standartit dhe të skaduara, ku mungon energjia elektrike, ku të drejtat e njeriut shkelen në çdo sekondë, ku ndotja e mjedisit është alarmante, etj.etj.etj., dolën të qetë e "të lumtur" në shëtitje. Që të mos krijohej ndonjë keqkuptim me qeverinë , nuk dolën në shëtitje në rrugë, por morën kodrat e pyjet, larg qytetit. Ndonëse në turmë, qeveria nuk dërgoi as edhe një polic, e sigurtë se më 1 Maj njerëzit në Shqipëri janë plotësisht të qetë, madje janë të lumtur.
Dikur, ditën e 1 Majit , në Tiranë bëhej parakalimi fitimtar i punëtorëve më të lumtur në botë, punëtorëve shqiptarë. Parakalonin edhe kooperativistët e lumtur, ushtarët, veteranët, studentët. Nga tribuna i përshëndeste udhëheqësi legjendar, i rrethuar nga byroja. Ndonëse kanë kaluar nja 15 vjet që nga kohë, turma nga parakalimi ka kaluar te pikniku. Po protesta kur do të duket? Protesta është larg. Ajo vjen me popullin.Me popullin qytetar.
2004

Dorėheqja, njė akt fisnik dhe demokratik

Në kulturën e pakët demokratike në Shqipërinë e postdiktaturës dukuria e dorëheqjës është tepër e rrallë. Në vendet e qytetëruara dorëheqja është një dukuri më se e zakonshme. Një lider politik jep dorëheqjen kur veprimi i tij politik nuk i ka sjellë rezultatin e duhur formacionit politik që ai drejton. Një kryeministër jep dorëheqjen kur vëren se qeveria e tij nuk ka sjellë progres në të mirë të qytetarëve të atj vendi. Një zyrtar jep dorëheqjen kur shikon se idetë e tij nuk kuptohen nga eprori i tij, ose nuk gjen hapësirën e duhur për të realizuar ato ide.
Natyrisht dorëheqja bëhet nga individë të cilët kanë një integritet të fortë profesional dhe moral. Ata nuk mund të bëjnë lëshime në dëm të profesionit të tyre, në dëm të dinjitetit dhe integritetit të tyre, në dëm të qytetarëve dhe komunitetit, para të cilëve janë zotuar. Te ne ndodh rëndom që zyrtarët të saldohen me karriken e tyre deri në atë masë sa të kenë humbur çdo lloj ndjeshmërie e dinjiteti profesional. Bie fjala, pas zgjedhjeve ndërrohen formacionet politike, ndërrohen programet politike të asaj fushe ku punon zyrtari në fjalë, ndërsa ai qëndron stoik në të njëjtën karrike, me të njëjtin konceptim për punën, në gatishmëri për t’u përshtatur, ndonëse me vështirësi, me politikat e reja, me reformat e reja. Përshtatja e tij është thjesht tjetërsim në kushte të reja, pa pikë energjie pozitive dhe aftësie krijuese. Le të sjellim një shembull nga fusha e edukimit (arsimit) : një drejtues për 8 vjet e ka konceptuar punën e tij në shkollë si një vendosje të rendit të fortë formal : qetësi absolute në korridore e klasa, disiplinë formale në orare nga ana e stafit pedagogjik, tradicionalizëm në formimin e nxënësve dhe herë-herë politizim të shkollës në të mirë të partisë në pushtet, shpërdorim të tubimeve të nxënësve për nevoja politike etj. Në rrjedhat ku po hyn vendi lipset urgjentisht, krahas vendosjes së rendit në korridore e klasa,edhe një rend i ri në përmbajtjen e shkollës: një edukim (arsimim) tjetër, ku të synohet qartësisht formimi i qytetarit të nesërm europian me mendje të lirë, me mendje të hapur, qytetarit që respekton fort lirinë e tij dhe atë të tjetrit, qytetarit që nuk bën asnjë kompromis në dëm të lirisë së tij, qytetarit me shpirt të fortë dyshues dhe kritik, qytetarit me shije të holla estetike, formim të cilin Europa e qytetëruar e siguroi shkallë- shkallë përmes shekujve. Po si mund të përshtatet një drejtues me mendje dogmatike, i cili kur u del para nxënësve, më tepër se edukator, u ngjan atyre me një dinosaur?
Të integrohesh në Europë, së pari do të thotë të respektosh dhe të bësh të tuat parimet europiane të cilat i përmenda më lart. Nëse nuk realizon një formim të tillë te qytetarët e tu, atëherë Europa është vërtetë larg. Nëse zyrtarë që nuk i përgjigjen politikave të tilla të edukimit (arsimit), nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e lëvizjes dhe dorëheqjes si lëvizje e butë, atëherë për nevoja emergjente të ndryshimit në të mirë të qytetarëve, duhen lëvizur.
Dorheqja është një akt fisnik dhe demokratik, sepse u hap udhën njerëzve të tjerë, të cilët, nëse zgjidhen pa pasione dhe me urtësi, i përgjigjen më së miri kohës dhe kërkesave të saj.
2006

Fati i ndarė i shqiptarėve

Një pjesë e madhe e shqiptarëve u panë javën që shkoi tek ndiznin qirinj në nderim dhe përshpirtje të vajzave dhe djemve që ngrinë në gomonen e braktisur nga fati dhe shteti në mes të dallgëve të përbindshme të Jonit. Në atë gomone, që per dreq e rastësi, ka formën e hartës së atdheut tonë të mbetur, apo formën e arkmortit, siç i thotë shkrimtari i madh Ismail Kadare arkivolit në librat e tij.
Pas rënies së Murit të Berlinit shqiptarët kujtuan se ra edhe muri që kornizonte arkmortin e tyre, atdheun e mbetur dhe thellësisht të izoluar nga diktatura. Shpresuan se do të krijohej hapësira mbarëshqiptare, hapësira mbarëeuropiane, duke thyer përgjithmonë konturet e frikshme, dhe shqiptarët do të ndanin fatin e tyre me njeri-tjetrin, do të ndanin fatin e tyre me banorët e kontinentit të vjetër, fat i ndërprerë që në shekullin XV.
Por nuk ndodhi kështu. Kur ra Muri ata panë se, befas, për fatin e tyre të keq, u shfaqën mure të tjerë, të cilët do t’i ndanin nga bota e qytetëruar, nga Europa e dëshiruar. Mure të diferencave të hatashme ekonomike, mure të diferencave të mëdha të qytetërimit dhe zhvillimit, mure të diferencës së funksionimit të shoqërisë dhe shtetit.
Tani shqiptarët do të përballeshin me aventurën e kapërcimit të këtyre mureve në mënyrë të paligjshme dhe, kur të mbërrinin në Europën tjetër, përsëri do të vuanin sindromën e mureve. Identiteti i tyre, fati i tyre sërish do të rrethohet nga mure që do t’i pengojnë në integrimin në jetën e tyre të re: qënia shqiptar do t’i pengojë të marrin leje qëndrimi, do t’i pengojë të gjejnë punë, do t’i dënojë apo riatdhesojë në rastin më të parë. Shqiptarët, edhe në Europën e lirë e të qytetëruar, ndihen të izoluar, të përbuzur dhe të rrezikuar.
Edhe pas një dekadë e gjysëm nga rënia e diktaturave në Europë shqiptarët nuk e ndajnë fatin mesvetes dhe jetojnë të izoluar nga pjesa tjetër e Europës.
Por mallkimi më i madh për ta është se edhe brenda Shqipërisë së mbetur, të izoluar nga bota e qytetëruar, ata nuk ndajnë të njejtin fat në mes tyre. Një pjesë e tyre nuk njohin ligj e konkurencë të ekonomisë së tregut, nuk njohin skrupuj moralë e institucionalë në emër të pasurimit me çdo kusht dhe në shpinë të çdokujt. Këta janë pronarë të Shqipërisë së sotme dhe para tyre muret e Europës bien si të jenë perde teatri, ata kanë pasaporta me viza, pasaporta diplomatike, depozita marramëndëse. Ata formojnë, në fakt, murin e madh të izolimit të Shqipërisë së mbetur. Ata formojnë konturet e arkmortit tonë që thirret atdhe. Këta janë deputetë, ministra, anëtarë të KPD-së, bisnesmenë të krijuar nga shteti, zyrtarë të lartë lokalë që punojnë prej vitesh vetëm për rritjen e të ardhurave të tyre të paligjshme, trafikantë, horra e vrasës të pasuruar në situata kritike për Shqipërinë dhe shqiptarët, “kongresmenë” që firmosin 4-5 bordero, vjedhës e përvetësues të pasurisë së vënë me mund e djersë për dekada nga shqiptarët, falsifikatorë dhe hajdutë të pronave të qytetarëve fisnikë shqiptarë të proletarizuar padrejtësisht, servilë dhe dallkaukë të lidhur me pushtetin.
Këta kurrsesi nuk e ndajnë fatin me qytetarët shqiptarë. Ata jetojnë në luks marramëndës dhe një shoqëri e vërtetë demokratike, një funksionim i shtetit ligjor do t’i çonte drejt e në burg. Ndaj e duan Shqipërinë kështu, siç është tani, anarkike, parademokratike, të izoluar nga bota e qytetëruar(ku sundon ligji dhe e drejta), për një kohë sa më të gjatë.
Pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë , natyrisht mazhoranca, jeton kufijtë e ekzistencës, pa punë, pa pronë, pa strehim,pa shpresë, pa vizë në pasaportë, me dëshirën e etshme për të ikur një orë e më parë, për të shpëtuar nga arkmorti me emrin e bukur atdhe. Këta njerëz e kanë humbur shpresën te qeveria. E kanë humbur shpresën edhe te opozita, sepse,nëse do të kishin një fije shprese diku, nuk do të niseshin gati-gati me vetdije drejt vdekjes.(Mbrëmjen e datës 8 janar të gjithë stacionet e tv-ve , vendase dhe të huaja, lajmëruan një prishje të kohës dhe furtunë për pasditen e 9 janarit.) Të ikurit e gomones fatale nuk gabuan në ikjen e tyre. Siç u vërtetua mbrëmjen e të premtes së zezë, qeveria nuk e ndau fatin me djemtë e vajzat që klithen fort për ndihmë në portat e shurdhëta të shtetit dhe në ekranet e tv-ve, të cilat e bënë detyrën e tyre. Qeveria i la djemtë dhe vajzat në mëshirën e fatit, pra në fatin e tyre. A ka pretekst më qesharak se anijet tona u kthyen se u rrezikohej jeta marinarëve?! Po pse atyre në gomone nuk u rrezikohej jeta?! A mund të thuhet se ushtarët u kthyen nga lufta se u rrezikohej jeta?! Po le të luftonin, le të rrezikonin se edhe mund të fitonin. Mirpo shteti ynë nuk e ndan fatin me qytetarët . Ai ka fatin e tij, qytetarët të tyren. Kreu i Qeverisë imiton pashanë, teksa pushon me javë dhe muaj të tërë në vendet më ekzotike të rajonit dhe botës, larg pashallëkut të tij, në periferi të Europës dhe në fillim të Azisë. Edhe fati i tij prej pashai nuk i ngjet hiç fatit të qytetarëve të pashallëkut të tij, që jo për rastësi e ka trajtën e kufijve në forëm arkmorti. Morali ortodoks e kërkonte që kreu i qeverisë t’u kërkonte ndjesë familjarëve të të ndjerëve, por i kurrsesi nuk e uli rradaken e tij prej pashai.Po populli qytetar ku gjendet?A ka këmbë ai, a di të lëvizë?
Lëvizja “Mjaft”, një lëvizje sa humane aq edhe qytetare, po rropatet të "formojë” popullin, atë prej vërteti, që reagon e proteston e ndryshon. Kjo lëvizje po përpiqet të krijojë edhe opozitën, atë të fortën që ndan fatet me qytetarët e thjeshtë, me atë 60% që po i largohet kutive të votimit dhe për rrjedhojë çdo zgjedhje me 40%, nuk ka sjellë zgjidhje.
I gjithë ky abstenim ka ardhur si pasojë e korruptimit politik që realizoi qeverisja socialiste me parlamentin shqiptar, korruptim i pashembullt. Sot çdo deputet merr një rrogë 2 milionë lekë me bordero (me gjithë shpërblimet për mbledhjet e komisioneve). Me përjashtime të pakta , të gjithë deputetët kurrsesi nuk duan zgjedhje të parakohshme. Afër mendësh: Nuk kanë asnjë siguri se sërish do të zgjidhen deputet në labirintin e 30% të votuesve, ku ligjin do ta bëjnë paratë e pista, pushteti okult, klani mafioz.
E në një vend, ku ca ndihen padronë të gjthëçkaje e ca të tjerë të shpronësuar nga gjithëçka, ku ca kanë në duar fatin e tyre dhe fatin e të tjerëve dhe kurrësesi nuk pranojnë ta ndajnë fatin e tyre me atë të të tjerëve, punët do të venë keq e mos më keq.
Kur qytetarët e Shqipërisë të ndajnë të njëjtin fat, pavarësisht nëse janë në pozitë e opozitë, pavarësisht se janë indiferente, dhe së bashku të përpiqen për ta ndryshuar fatin e përbashkët, për ta bërë çdo ditë e më të mirë, atëherë ky vend do të hyjë në udhë të mbarë.

janar 2004.

Fshihet nga harta rruga Berat- Permet

Rruga Berat – Permet është një nga rrugët më të vjetra në Shqipëri. Ajo ka lidhur Beratin me Janinën , fillimisht si rrugë karrocash dhe më vonë edhe si rrugë automobilistike. Në të gjitha hartat e Shqipërisë dhe rajonit kjo rrugë shënohet si rrugë nacionale. Deri në vitet ’60 kjo rrugë ishte e vetmja që lidhte Jugun me pjesën tjetër të Shqipërisë. Pikërisht në shekullin e XXl, kur bota është kthyer në një fshat për shkak të rrugëvë të shpejta e të përsosura të komunikimit, kjo rrugë fshihet nga harta e Shqipërisë nga drejtoria rajonale e rrugëve. Në këtë rrugë tani nuk kalon dot asnjë linjë autobusash sepse, për shkak të lënies pas dore nga drejtoria rajonale e rrugëve, rruga ka dalë jashtë përdorimit pothuajse në gjithë segmentin e saj nga Berati deri Gllavë. Nga mosvënia dorë, rruga është vidhisur krejtësisht në disa vënde. Asnjë punëtor nuk është parë të hedhë një lopatë zhavorr, ndonëse zhavorri gjendet në anë të rrugës. Nuk mund të besohet se për këtë rrugë qeveria nuk ka dhënë asnjë fond. Gjatë tetë vjetëve këtu është zgjedhur deputet një socialist. Atëherë ku kanë shkuar fondet? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjet më së miri drejtori Kusta. Për shkak të shkatërrimit të kësaj rruge historike, banorët e komunave Terpan dhe Buz kanë braktisur trojet e tyre. Kjo zonë është aktualisht e pajetueshme për shkak të izolimit të thellë dhe për shkak të shkatërrimit plotësisht të shërbimeve publike. Javën që shkoi u pa në segmentin e kësaj rruge deputeti Mustafa Muçi. Nuk dihet arsyeja ekzakte, por merret me mend, jemi në pragfushate dhe Muçi kërkon sërish të zgjidhet deputet. Ndonëse me nje fuoristradë edhe ai e ka ndjerë ferrin e kalimit në këtë rrugë, por asnjë prononcim nuk bëri as në media, as në parlament për këtë problem. Nuk ka as një prononcim as nga një shoqatë fantazëm, anëtarët e së cilës mblidhen herë pas herë për të ngrënë ndonjë drekë në Terpan me paratë e komunës dhe përgjërohen pas verës, mishit dhe rakisë se janë gati të japin edhe jetën për katundin e tyre që po fshihet nga harta për shkak të braktisjes nga banorët. Si postmortum tingëlloi edhe një tip historie a monografie për këtë zonë, e shkruar rrjedhshëm për hir të së vërtetës, por e qepur me penj të kuq fund e krye, me konsulentë individë që gjeneratë pas gjeneratë nuk patën kurrë biografi, vetëm një fletë të bardhë të pashkruar, të cilën e mbushën gjatë viteve të socializmit famëkeq me injorancë, luftë klasash, shkatërrim të inteligjencies gjenetike të krahinës, me mjerim ekstrem ekonomik dhe shpirtëror.
2004

Kur ajri bėhet pis nga zhurma dhe vulgariteti

Ka disa javë që ka nisur stina e dasmave në qytetin e Beratit. Këto festa familjare që gjithmonë marrin përmasat e gëzimit të rrugicës dhe më gjerë nuk mund të kalojnë thjesht si gëzim i të sapomartuuarëve dhe i familjeve të tyre. Vargu i makinave luksoze kalon mespërmes qytetit me drita të ndezura dhe bori të takuara. I gjthë qyteti njoftohet për dasmën dhe çiftin e ri. Duhet të jetë një ritual i vjetër, Mbaj mend kur kam qënë fëmijë, në kulm të haresë në dasma, një burrë nxirrte pistoletën nga brezi dhe qëllonte në ajër. Ende nuk e kam fort të qartë arsyen. Kalimi nëpër rrugë me zhurmë e potere është i durueshëm, megjithëse pakëz qesharak. E padurueshme është ajo që nis në muzg dhe mbaron në agim, ahengu. Orkestrat, nëse mund të formojnë orkestër ca sazexhinj pa asnjë dhunti e talent për muzikën, krijojnë një zhurmë të tmerrshme me instrumentat elektronikë duke ndotur keqas ajrin dhe duke torturuar një qytet të tërë.. Për banorët e gjithë kjo “muzikë” i ngjet piskamës që lëshon prerja e një llamarine të ndryshkur.
Nëse në përputhje me shijet e tij dhe shijet e të ftuarve të tij, i zoti i dasmës do t’i ngrinte tonet e bokseve, nuk do të kishte asgjë të keqe. Por zëri i altoparlantëve çohet deri në fund ( Do e marrë vesh gjithë qyteti se këtu bëhet dasëm, apo jo?) Kur ka dasëm te lokali përballë qëndrës së qytetit, në Goricë, ka “dasëm” i gjithë qyteti. Është e pamundur të flesh, të lexosh, të ndjekësh një film. Je nën trysninë e zhurmës elektronike, shoqëruar me klithma orientale që të gërvishin jo thjesht veshin, por të gërvishin shpirtin dhe mëndjen. “ O Mari, Maria, faqegurabija” .apo “O Mari Marjana faqet me nishana” e gjithfarë tekste baltë që ndotin ajrin, por të bëjnë pis edhe një mbrëmje të bukur, ndërsa ke nevojë të meditosh apo edhe të dëgjosh melodinë e mrekullueshme të rrjedhjes së lumit apo muzikën e vërtetë të zogjve të natës Të gjithë ankohen, por askush nuk merr një nismë për t’ia kursyer torturën qytetit dhe qytetarëve. Edhe anëtarët e nderuar të këshillit të bashkisë, herë për arsye estetike e herë për arsye të pagjumësisë ankohen nëpër kafene , apo duke shëtitur, por nuk nxjerrin vendimet përkatëse në përputhje me ligjet që egzistojnë për ndotjen akustike të mjedisit dhe prishjen e qetësisë publike.
Një ftesë dasme tani është më e urryer se një fletë zbori. Por zbori kalonte më lehtë se sa 5 orëshi i dasmës shqiptare, ku shkon me veshë dhe kthehesh shurdh. Ku je i detyruar të dëgjosh atë zhurmën kriminale që quhet muzikë, shoqëruar me zhargonin më të ulët që prodhon një mendje e palarë (siç thotë dikush). Të mos shkoje në zbor të fusnin në burg, ndërsa në dasëm e ke në dorë vetë të shkosh apo të mos të shkosh. Po me dasmën e të tjerëve çfarë të bësh?
Mendoj se ka ardhur koha që Bashkia, këshilli i nderuar i bashkisë, duke patur edhe ndihmën e ligjit, të na i ulë ca dënimin kolektiv të torturës që vjen nga dasma qytetare moderne nga 5-6 orë në natë në 3 orë dhe të marrë mundimin t’i detyrojë klubaxhinjtë këtej e andej Osumit të mos lejojnë të ngrihen altoparlantët deri në qiell.
2006


Opozita dhe energjia pozitive e saj

Shqiperia po kalon vitin e dhjete te tranzicionit. Gjerat kane ndryshuar pak dhe aspak. Ende jemi vendi i vetem ne Europe pa energji e ngrohje ne acar, pa uje te rrjedhshem, pa rruge ose me rruge me gropa qe nuk i gjen as ne Afrike, me rend te tronditur rende, me nje anarki te tmerrshme tregu ku sundon dhuna, vulgariteti, primitiviteti e korrupsioni.
Institucionet qe shpresonim te beheshin demokratike jane mbushur me militante te ekstremit te majte, te cilet jane tronditur aq shume nga ekzotika kapitaliste saqe nuk dine se cfare te bejne me foton e ish – diktatorit, sepse nuk kane xhep bosh per te.
Studentet e Dhjetorit ’90 tashme jane thinjur, sic eshte thinjur shpresa e shqiptareve per nje jete dinjitoze.
Dhe,sikur te mos mjaftonin keto,nje mur i ri eshte ngritur serish midis Shqiperise dhe Europes e Amerikes. Politika e mbrapshte cdo dite shton gure te zinj mbi murin e izolimit. Ca politikane ne bedenat e ketij muri recitojne vargje nacionaliste.
Televizioni shteteror dhe TV- private shfaqin filma shqiptare ku komunistet ne cdo rast dalin fitimtare.
Shqiperia eshte vendi me i ndotur me mbetje toksike te komunizmit ne Lindjen Europiane. Lufta Civile qe thuhet se nuk u be, po vazhdon me vrasjet e perditshme ne rruge e mjedise publike, ku shpesh e pesojne edhe te pafajshem.
Qytetaret shqipetare kane mjaft energji pozitive per te ndryshuer kete gjendje paradoksale : as kapitalizem, as socializem, as anarki e plote e as demokraci.
Keto energji gjenden kudo, por duhen drejtuar ne te mire te vendit, ne te mire te ndertimit te demokracise ne Shqiperi. E kete pune mund dhe duhet ta beje opozita, nje opozite e djathte e bashkuar. Natyrisht PD, si partia kryesore opozitare e se djathtes ka rolin kryesor.
Gjate kunderevolucionit komunist te vitit ’97, PS, si partia me e madhe opozitare e asaj kohe drejtoi e shfrytezoi energjite me negative te anetareve dhe simpatizanteve te saj dhe shqiptareve ne pergjithesi. Dhe ne pame bashkite qe digjeshin, bankat qe vidheshin, zyrtare te shtetit qe vriteshin, komisariate ne flake dhe anarki te tmerrshme. Opozita e atehershme u zotua ne fillim te protestave se do te administronte keto protesta te njerezve te deshperuar nga humbja e parave. Ne fakt i keqadministroi protestat per hir te urrejtjes ideologjike, per hir te marrjes se pushtetit me cdo kusht, per hir te pasurimit te paligjshem.
Dhe ndodhi me e keqja. Vendi u shkaterrua. Mijera njerez u vrane dhe vazhdojne te vriten. Energjia negative e kreu punen. Njerezit e hurit dhe te litarit u bashkuan me te majten shqiptare duke i kerkuar koalicionit qe prune ne pushtet shperblimin. Postet kyce ne institucionet e shtetit u uzurpuan nga individe te papergjegjshem, antivlera te botes se krimit e korrupsionit. Vendi u zhyt ne batak vrastar.
Ndaj gjendjes se sotme ne Shqiperi, mosqeverisjes dhe dukurive te tjera negative ka nje reagim qytetar. PD e administroi kete energji pozitive te qytetareve te cilet protestuan per mungesen e rendit, varferine, shkeljen e te drejtave te njeriut, mashtrimin komunist te vitit ‘97.
Tani jemi ne sfidat elektorale. Mendoj se perballe nje koalicioni te tipit militarist sic eshte Aleanca per Shtetin, lipset nje koalicion i gjere i spektrit te djathte. Shtrirja e ketij koalicioni ne te gjithe spektrin do te terheqte ate 35 – 40 % te elektoratit qe nuk eshte zotuar ne parti politike, por qe vendos fatin e zgjedhjeve, fatin e qeverisjes se ardhme. Nese kjo mase njerezish do te shohe nje bashkim te tille, ku nuk mungojne figurat e besueshme politike, ku ka nje shans per t’u shperndare pergjegjesia e qeverisjes se neserme, mund te votojne koalicionin e djathte. Natyrisht kur permend koalicionin e tere resurseve te djathte nuk ve ne dyshim edhe mjaft vlera qe PD i ka lene rruges. Nuk ve ne dyshim individet qe investuan idete e tyre, aftesite intelektuale, emrin e mire, fisnikerine e administrimit te pushtetit ne te mire te qytetareve e te subjektit qe i kandidoi, por qe jane zemeruar me individe ne PD per ceshtje parimore. Nuk ve ne dyshim djemte e mire te PD-se, – qe gjate viteve krijuan imazhin, fytyren e PD –se me idete interesante, perkushtimin, kulturen, por edhe konseguencen per te mbrojtur vlera te shenjta te demokracise si mendimi alternativ, votimi i fshehte, respektimi i votes se lire si pasuri fondamentale e cdo individi dhe si gur themeli ne ndertimin e nje shoqerie demokratike.
E jashte cdo dyshimi, personalitete te tilla si zoterinjte Genc Pollo, Ferdinand Xhaferri, Ylli Vejsiu, Leonard Demi, Albert Brojka e te tjere, jane ndriçime te imazhi i mire i PD- se, te cilet me kulturen e larte, personalitetin, ndjenjen e thelle te pergjegjesise perpara vetes dhe votuesve kane bere dhe do te bejne shume per PD – ne dhe te djathten ne pergjithesi.
Eshte i trishtueshem fakti qe shtypi i djathte, zedhenesit harxhuan tere ate energji duke akuzuar vetveten per nje apartament modest banimi, nderkohe qe ish-komunistet me vila me pishina e biznese disamilione dollareshe shkriheshin gazit.
PD u ngrit nga hiri i saj si feniksi, por kur ajo duhej te strukturohej, analizonte marrezite e shefave, te nxirrte mesime per deshtimin dramatik te’97 – es, nisi nje ethe, nje vrap absurd per pushtet brenda saj, duke u shkelur edhe mbi gjene me te shenjte per ne demokratet, voten e lire dhe te ndershme. U shfaqen serish ato energji negative qe aq shume na demtuan gjate qeverisjes se PD – se, si individe qe PD i kishte menjanuar me 1995 – 1996 nga strukturat e saj si hajdute ordinere, spiune te Sigurimit te Shtetit, individe qe shperdoruan ne menyre te shemtuar detyren e besuar, individe te inkriminuar, antivlera qe i llahtaris mendimi, monstra qe, megjithese kishin teseren e PD – se ne xhep, ishin ne balle te krimineleve qe dogjen institucionet ne vitin 1997.
Une besoj tek vlerat e se djathtes shqiptare pavaresisht problemeve te tanishme, pavaresisht se komunistet ne PD, spiune te Sigurimit te Shtetit ne PD bene te pamunduren per te varrosur mendimin ndryshe, principet demokratike te funksionimit te strukturave te PD – se dhe menjanimin e njerezve me vlera ne PD.
Nuk jam per perjashtimin e askujt, votuesit e kane te drejten e vleresimit dhe te rivleresimit, por jam per respekt te rregullave te lojes, per nje moral te vertete te politikes dhe politikanit te djathte, duke perjashtuar cdo manipulim te dobesive njerezore, cdo manipulim te mosdijes, apo energjive negative te turmave.
Le te bashkojme vlerat tona tek spektri i djathte, duke braktisur veset e se majtes te cilat i disponojme edhe pa vetedije. Atehere i kemi sherbyer edhe te djathtes,edhe Shqiperise se drobitur nga marrezite tona.
E atehere duhet te kemi edhe drite, edhe uje, edhe rruge, edhe rend e, natyrisht, do te kemi me pak hipokrizi, me pak servilizem, me pak hajduteri, me pak … ose aspak komunizem.
2000

Parajsa shėtitse e z. Nano

Kryeministri shqiptar dhe kreu i Partisë Socialiste, z.Fatos Nano, i hap shumë punë shpurës së tij kur lëviz nëpër Shqipëri. Dhe të mos harrojmë se ai lëviz shumë. Jashtë vendit z.Nano i kërkon dhe i gjen komfortin dhe vendet e argëtimit, por në një vend të mjeruar si Shqipëria i duhet një stërmundim i madh stafit të tij për t’i krijuar shefit të madh kushte të shkëlqyera argëtimi , por edhe pune. Kjo u duk edhe në takimin e zhvilluar javën që shkoi në Berat me Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë. Kreu i qeverisë e zhvilloi këtë takim në bibliotekën “Vexhi Buharaja”. Para se të ngjiste shkallët e bibliotekës kryeministri Nano, shpura e tij u djersit shumë për t’i krijuar kushte optimale. Me sixhade dhe tapetë të bukur në krahë, me perde të rënda, me kondocionerë të mëdhenj etj.etj. Të gjitha pajisjet u montuan në sallën e madhe të bibliotekës. U krijuan kushte optimale për z.Nano. Pas mbledhjes, shpura e tij u turr për të hequr nga biblioteka pajisjet. Aty ku u vendosën kondicionerët mbetën dy vrima të mëdha. Lexuesit e përditshëm, pensionistë, studentë, nxënës shkollash shikonin punonjësit që zbritën të gjitha paisjet dhe pëshpëritën se edhe ata e kanë mbushur, madje e kanë kaluar moshën për të lexuar si njerëz, në një sallë të freskët me kondicionerë, me tapete të bukur, me perde etj. etj. Por ata nuk mund të gëzojnë këto “privilegje”, sepse janë popull dhe në Shqipërinë tonë të dashur, siç i thotë z.Nano, populli ka lerë për të qënë thjesht sherbëtor i sundimtarëve, ushtar i partisë. Të vinte keq kur shikoje ata ministra të bërë telef për t’i siguruar kushte z.Nano. Më i zotuar qe ministri Fino, i cili shqetësim më të madh kishte kushtet dhe komfortin e sallës se sa atë palo mbledhje me ngjyrime të thella propagandistike.
Kryeministri Nano, që tani ka dalë në fushatë elektorale në kërkim të një mandati të tretë, po u bënë zbor shoqëruesve dhe ndihmësve të tij. Ai, kudo që shkon, kërkon t’i krijojnë parajsën e vogël shëtitëse, pa të cilën nuk mund të jetojë dot. Pasi ia krijojnë kushtet optimale, ata që e rrethojnë, pavarësisht nga niveli i humorit, duhet të durojnë shpotitë e z.Nano, duhet të “shkrihen” gazit me shakatë e “e kripura” të tij.
Në një vend të varfër si Shqipëria luksi i shfrenuar i qeveritarëve a nuk përbën krim, krim moral?Dhe krimi moral kerkon ndeshkim moral dhe, ne rastin e kryeministrit tone,ndeshkimi moral eshte verdikti elekoral.

2005

Opozita nė Berat kurrė s’ka munguar, zoti deputet !

Në intervistën e z. Flamur Rogu, deputet i PS-së në Kuvendit Popullor, botuar në “Gazeta Tomori” krahas të tjerave shprehet edhe opininoni :
“ Kështu e solli fati që ne kemi një mungesë totale të opozitës në qytetin e Beratit. Me sa duket s’ka fare opozitë...”
As që dua të korrigjoj konceptin e z. Rogu për opozitën dhe të qenit opozitar. Veçse më bën përshtypje megalomania me të cilën e vështron opozitën ky pozitar. Ai thotë se nuk ka opozitë. Ky konstatim është sa fyes aq edhe i pasaktë. Se kur thua s’ka opozitë, thua s’ka alternativë tjetër veç PS-së. Se kur thua s’ka opozitë, thua se në Berat pluralizmi ka vdekur, partitë nuk ekzistojnë, Këshilli i Bashkisë ka 35 këshilltarë të Partisë Socialiste, në Berat është vendosur diktatura, Partitë janë nxjerrë jashtë ligjit, njerëzit opozitarë kanë ikur nga qyteti, kanë emigruar të dëbuar nga një forcë madhore, intelektualët e djathtë ose janë larguar të gjithë ose kanë heshtur sepse ndihen të kërcënuar me bukën dhe me jetën. Kur thua s’ka opozitë, hedh poshtë tërë opinionin alternativ, thellësisht qytetarë dhe europian të artikuluar fort dhe qartë nga Balil Gjini, Simon Vrusho, Dritan Haznedari, Fitore Sulejmani, Kastriot Dervishi etj, etj, etj, në faqet e shtypit qendror, tv-lokal dhe në “Gazeta Tomori”. Kur thua s’ka opozitë hedh poshtë diskutimet, mendimet, propozimet, argumentimet ndryshe të bëra në Këshillin e Bashkisë së Beratit nga këshilltarët opozitarë: Milika Jaho, Dritan Haznedari, Astrit Qafa, Sali Hoxha etj. Kur thua se në Berat nuk ka opozitë, e sheh Beratin si një fshat të thellë, tutje në Jug të Shqipërisë, ku kanë ikur të gjithë dhe kanë mbetur vetëm pesë shtëpi, rastësisht të gjitha përkrahëse të alternativës rozë. Kur thua se në Berat s’ka opozitë duket se e shikon Beratin si kopshtin tënd, ku nuk lulëzon asnjë bimë tjetër, përveç trëndafilave të kuq që aq shumë i ke për zemër. Kur thua se në Berat s’ka opozitë, fyen tërë institucionet demokratike (ende të dobëta ), që me aq mundim po i ndërtojmë: këshillat e komunave, këshillat e bashkive, këshillin e qarkut, institucionet e tjera, partitë politike. Kur thua se në Berat s’ka opozitë, në radhë të parë godet Partinë Socialiste, pushtetin e saj që paska krijuar një klimë të tillë, ku opozita është shuar.
Nëse e artikulon këtë mendim për shkaqe të fushatës elektorale, atëherë po e marrim thjesht si një lajthitje fushate e aq, por nëse ky është një perceptim fondamental, atëherë me trishtim e keqardhje ju kujtojmë se të qënit opozitarë nuk do të thotë veprime të dhunshme, por shprehje e mendimit ndryshe, për të gjitha problemet e komunitetit në institucione. Të qenit opozitar nuk është lufta klanore dhe denigrimi i tjetrit për shkaqe klasore apo në interes të klanit, por shprehja dhe artikulimi i interesave të qytetarëve.
Opozita asnjëherë nuk ka munguar, zotëri i nderuar deputet. Nuk është faj i saj që nuk dëgjohet, që nuk lexohet, që nuk shihet, pra nuk perceptohet.

Paratė e popullit dhe dhurata e partisė

Shpesh në periudhën e diktaturës lajmet e edicionit kryesor në TV-në e vetme dhe në radion e vetme qeveritare fillonin me habere të tilla: “U inagurua shkolla e fshatit x, dhuratë e partisë për banorët e këtij katundi.” Banorët që punonin 16 orë në ditë dhe paguheshin me tridhjetë lekë të vjetra në ditë (Zot i Madh, çfarë kujtese të dobët kemi!),“lumturoheshin” nga dhurata e partisë për ata dhe fëmijët e tyre. Se ku dreqin i gjente partia paratë që shpërndante dhurata për popullin, asnjëherë nuk e bëri të qartë gjatë sundimit kriminal, e kuptohet që askujt s’ja mbante të pyeste.
Ndonëse atë periudhë e lamë pas, huqet e partisë së punës i ndeshim sot e gjithë ditën nga trashgimtarët legjitimë të partisë komuniste, pushtetarët socialistë. Ka vetëm një ndryshim midis “dhuratave” të djeshme të partisë dhe “dhuratave “ të sotme, gjithmonë për popullin. Pas “dhuratave” të djeshme qëndronte partia dhe diktatori, ndërsa pas investimeve të sotme qëndron deputeti dhe ministri. Lexuesi i ka dëgjuar dhe lexuar deklaratat e deputetit Braçe se në zonën e tij janë bërë kaq e aq milionë investime “dhuratë” për elektoratin e tij. Se ku i gjen deputeti dhe shefi i famëmadhes ZP, Erion Braçe paratë që i derdh si gjysmagjeli i përrallës florinjtë në zonën e tij elektorale, e dimë të gjithë: janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të cilat pasi mblidhen, përdoren në mënyrë të shëmtuar, politikisht për të siguruar fitoren e Braçes edhe në zgjedhjet që vijojnë, për të blerë votat e qytetarëve shqiptarë. E njëjta dukuri u konstatua edhe në mbledhjen e fundit të këshillit të bashkisë së Beratit, ku u anashkalua parlamenti i qytetit nga administrata e bashkisë për realizimin e një investimi prej 55 milionësh. “dhuratë” e deputetit të zonës Rogu për popullin që rastësish qëlloi të ishte banor i zonës së tij elektorale.
Edhe në këshillin e qarkut thuren ditirambe për ministrin Memushi që ka bërë “dhurata” të mëdha në zonën e tij elektorale. Këto fakte tregojnë se sa primitive janë institucionet tona që thirren demokratike, sa primitivë janë zyrtarët tanë të të gjitha rangjeve, të cilët mendojnë dhe ndjejnë krejt si ajo miza në bythën e kalit se karrocën e tërheq ajo dhe jo kali (populli).
Me ç’duket kali ka harruar se ka edhe një bisht me të cilin mund t’u jepte një mësim të mirë mizës, mizave dhe mizerive.
2004

Politikanė me foton e popullit nė dorė

Po trokasim në portat e vitit elektoral. Ethet e zgjedhjeve politike kanë mbërthyer politikën shqiptare. Ka një shkallëzim të zjarrmisë që nga zyrtari provincial deri te shefi i partisë, i cili mban përgjegjësi për "anijen", nëse ngec në rërën e zbaticës së elektoratit. Në mes tyre janë një aradhë deputetësh, ministrash e zyrtarësh të lartë, një aradhë biznesmenësh të prodhuar nga pushteti, korrupsioni dhe trafiqet e lidhur me të, të cilët janë të mbërthyer nga ethet e mesnatës së Ditës së Zgjedhjeve 2005 në Shqipëri.
Ditët e fundit mesazhi i ardhur nga Brukseli qe dëshpërues për çdo qytetar normal të këtij vendi : Shqipëria me mungesën e reformave, me mungesën e dëshirës për bashkëpunim me BE, me administratën e pareformuar mbetet larg Bashkimit Europian.
Po kush është zyrtari i sotëm, të cilin e takon rëndom në zyrat tona? Për të mos lodhur lexuesin me përcaktorë me ngarkesë emocionale negative po sjellim vetëm një fakt, kartelën e leximit në bibliotekën e qytetit të njerit prej tyre. Ajo mban si datë të fundit të përdorimit nga zyrtari ynë 23 tetorin e largët të vitit 1989. Ja librat e tij të preferuar: "Filizat e kuq", nga Zh.Amado, " Garda e re" e Fadejevit, "Si u kalit çeliku" nga Ostrovski, romani"Nëna" i Gorkit, romani "Clirimtarët" i Shuteriqit, " Vitet e vegjëlisë" nga Hoxha, "Eurokomunizmi është antikomunizëm", po nga Hoxha, "Mërgata e qyqeve" e Nasho Jorgaqit dhe "Komandant na mori malli" të Shevqet Peçit. Kartela këtu ka ndalur.
Në fakt, për t'ua lehtësuar ca punën përzgjedhëse shefave të personelit, kjo kartelë do të merrte vlera domethënëse në dosjen personale të zyrtarit tonë.
Ky tip zyrtari në një takim me një përfaqësues të një vendi mik perëndimor në Berat u soll aq harbutërisht, sa që i huaji flaku çdo lloj diplomacie e etike dhe i tha përkthyesit: "Ky që kam para është gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?"
"Gomar i emëruar, zoti…!", iu përgjigj përkthyesi i hutuar dhe i turpëruar nga sjellja prej të marri e zyrtarit të lartë të Beratit.
Berati përfaqësohet në parlament vetëm nga deputetët rozë, të cilët prej 7 vjetësh bëjnë pallë në qytetin më të varfër të Shqipërisë, në Berat. Fitoren e kanë patur të sigurtë në dy legjislaturat e fundit. Në fushatë përdorën tërë arsenalin e shtetit: makinat, fondet, zyrtarët e ministrive dhe zyrtarët lokalë. Populli mbeti gojëhapur kur shikonte makina luksoze, helikopterë, fuoristrada, makina ushtrie dhe makina policie. Për këmbësorët paqësorë të opozitës nuk mbeti asnjë shteg i vogël rruge për të vajtur te populli. Le që ishte e pamundur ta takoje popullin në ato ditë fushate. Atë mund ta shihje në TV ose në gazetë, aq i zënë ishte në takime me zyrtarët e lartë të partisë në pushtet.Pasi privatizoi pushtetin në të gjtha hallkat në Berat, partia famëmadhe në pushtet tentoi edhe privatizimin e popullit nëpërmjet presioneve për bukën e gojës. Me të vërtetë që kishe mall ta shihje popullin në gjendjen e tij normale, duke punuar, duke shëtitur apo duke pirë kafe.
Në një takim me funksionarin e OSBE-së në Berat, pas zgjedhjeve të 2001, ky i fundit që bënte të paditurin për makinat me targa RSH të ministrave që nuk u larguan nga Berati gjatë gjithë fushatës, më habiti kur në zyrën e tij, pas problemeve të ngritura për parregullsitë në zgjedhje, u shpreh:"Ne në Irlandë kemi një shprehje për ditën e zgjedhjeve: "Ngrehu shpejt dhe voto shpesh!"
Unë ende nuk e besoj se ai e kishte seriozisht, ndonëse nuk ishte hiç vendi e çasti për të bërë humor.
Deputetët e Beratit, të cilët ose kanë bërë mistrecin me cic-micet me deputetët e opozitës, ose kanë heshtur në mënyrë të pafalëshme, ose kanë bërë servilin në parlament duke përkrahur njerin apo tjetrin krah në luftën politike brenda kampit rozë, tani në prag të vitit elektoral janë shfaqur përsëri me foton e popullit në dorë. Problemet e qytetit, që gjatë qeverisjes socialiste ka dyfishuar të papunët, ka dyfishuar varfërinë, ka mbushur institucionet me kongresmenë, përmbytet edhe kur dikush përmjerr në kodra, me kanale të ujrave të zeza e të mbetjeve spitalore që rrjedhin mespërmes lagjeve , etj., askush nuk i ngriti në parlament apo edhe në shtyp nga deputetët tanë. Me siguri asjeri nga ata nuk i mban mend as premtimet që bëri në fushatën e fundit, jo më të zotohej për t'i realizuar. Ja disa premtimet: Do të ulim varfërinë nëpërmjet hapjes së vendeve të punës, do të zhvillojmë turizmin familjar nëpërmjet kreditimit të qytetarëve, do të lidhim Beratin me Greqinë nëpërmjet segmentit Berat- Skrapar- Tre Urat, do të sigurojmë kreditimin e fermerëve, do të ngremë një sistem ujitje për tërë zonën fushore të këtij rrethi etj.etj.etj. Këto premtime patën jetën e tullumbaceve. Deputetët tanë u bënë edhe ministra, por Beratin e harruan. U ndanë në dy kampe, pro dhe kundër Nanos dhe kjo luftë e brendshme në partinë qeverisëse prodhoi militanten emblematike të së majtës shqiptare, e cila në Berat u shpreh se nuk donte as të hante, as të pinte, as… , vetëm partia të ruante unitetin, ose kongresmenët, të cilët janë të pakomentueshëm.
Zjarrmia i ka kapur të gjithë politikanët tanë tani që hymë në vitin elektoral. Te opozita ethet më të forta i kanë disa deputetë që u bënë të tillë jo për kontributet në politikën shqiptare të këtyre dhjetë viteve, jo për mendjen e tyre "të ndritur", por thjesht për "urtësinë proverbiale" të fabulës "qengji i urtë pi dy nëna, ndërsa servili tërë kopenë". Këta deputetë të opozitës nuk duan t'ia dinë nëse partia e tyre do të mbetet në opozitë apo do të vijë në pushtet. Për ta kjo s'ka rëndësi. Rëndësi ka marrja e mandatit të deputetit, mundësisht nga lista proporcionale ose nga ndonjë zonë e sigurtë. Ata e kanë dëmtuar mjaft imazhin e të djathtës në parlament, me mendjeshkurtësinë e tyre, me servilizmin, paditurinë, pozat vulgare të militantit që eshtë gati të zihet me grushta me kundërshtarin politik për partinë dhe për liderin. Ata do t'u shkonin më mirë rreshtave të sivëllezërve të tyre kongresmenë, se sa përfaqësuesve të së djathtës, që përfaqësojnë vlerat intelektuale, vlera morale të një personaliteti të fortë, fisnikërinë morale dhe etike. Këta "revolucionarë" tani që partia më e madhe opozitare po mendon për kandidaturat janë vënë në garë me njeri-tjetrin se kush është më "luftaraku", kush është më "besniku", duke u bërë vërtetë qesharakë në parlament. Nëse partia më e madhe e opozitës do të përfaqësohet sërish me këtë kontigjent, humbjen e ka të sigurtë.
Në vitin 2001, një nga liderët e së djathtës e trembi elektoratin me rruspa, me rrula, me gjyqe, me burgje, etj. Ndonëse kishte të drejtë, mendoj, nuk ishte vendi të lançoje punën që do të bënte drejtësia (aq më tepër kur synojmë që ajo të bëhet e pavarur) apo policia e ndërtimit. Qytetarët prisnin mesazhe të tjerë për daljen nga varfëria dhe integrimin europian.
"Ky i uruari del në treg dhe në vend ta lëvdojë "kaun" për forcën që ka për të tërhequr parmendën dhe për të punuar tokën e lëvdon për brirët e fortë dhe aftësinë për të shpuare për të vrarë", komentoi ato ditë dikush.
Populli, ashtu siç egziston në Shqipëri, është tepër larg zjarrmisë së etheve që kanë pushtuar politikën tonë. Nëse politika nuk do të gjenerojë diçka specifike në formë dhe përmbajtje, fatin e vendit në zgjedhjet parlamentare 2005 do ta vendosin kongresmenët dhe "desperadosit", të cilët mezi po presin t'u zënë vendin kongresmenëve. Populli, edhe ai në foton që politikanët mbajnë në duar, edhe ai në radhë për një vizë, në radhë për të hipur në gomone, në radhë për të gjetur një punë , edhe ai, kryesori, në listat preçize të ushqimeve veresie nëpër dyqane, do rrijë indiferent, larg kutive të votimit.
Cfarë krimi do të jetë për energjitë pozitive të një populli, vrarë nga politika e mbrapshtë!

2004

Fatos Nano si Doktor Fisheri i Gjenevės

Kryeministri shqiptar Fatos Nano u shfaq fundjavën që kaloi në Berat. Ai mori pjesë në konferencen e zakonshme të degës së PS-së. Ai i la gojëhapur kongresmenët e pranishëm kur nisi të ironizonte me një cinizëm prej sulltani vartësit e tij, figura kryesore të pushtetit vendor në Berat. E nisi me kryetarin e Qarkut duke i kujtuar furgona dhe vota të blera, e vazhdoi me qafën masive të ish kryetarit të Bashkisë, duke i kujtuar korrupsionin e bërë, ironizoi fjalimin e kryetarit aktual të bashkisë dhe vazhdimisht u duartrokit nga kongresmenët e pranishëm për fyerjet që shpërndante për krerët e pushtetit vendor sa majtas, djathtas. Po pse ndodh kështu? Si shpjegohet kjo mani për t'u bërë interesant në kurriz të vartësve? Si shpjegohet ai nënshtrim pa kushte si në KPD, në korridoret e Parlamentit, në sallat e selisë rozë? Si shpjegohet që njerëz me kontribute e autoritet në PS dhe në fushat përkatëse nuk bëjnë gëk, kur shefi u thërret lavatriçe, pilaf me qofte, furgon, qafëderr, të korruptuar etj. etj. madje edhe me fyerje që shkojnë më larg se personi të cilit i drejtohen dhe reagimet ose mungojnë ose janë fare të dobta?
Për shpjegimin e kësaj dukurie na vjen në ndihmë një tregim i mrekullueshëm i shkrimtarit të njohur anglez Graham Grin me titull "Doktor Fisheri i Gjenevës". Personazhi kryesor i veprës, Doktor Fisheri, njeri i kamur, fton në vilën e bukur dhe kopshtin e saj, mjaft të njohur. Në vend të koktejlit u servir për të ngrënë bollgur, në kausha të mëdhenj. Të pranishmit duhet të hanin detyrimisht bollgurin dhe më pas do të merrnin dhurata surprizë. Ai që nuk hante bollgurin e pështirë nuk kishte të drejtë të merrte dhuratën. Rituali i ngrënies së bollgurit, stërmundimi njerëzor, nuk e prek fare Doktor Fisherin. Kur ai sheh se natyra njerëzore me pangopësinë e saj është gati të bëjë çfardo sakrifice në emër të përfitimit, shkon më tej. Në dhuratat surprizë ka disa mijra franga, por njëra prej tyre ka një bombë. Në dhjetë persona që do të luajnë, 9 do të fitojnë, ndërsa njeri do ta pësojë. Dhe nis loja makabre. Të gjthë pranojnë të marrin pjesë në lojë duke vënë në rrezik jetën për shumën e madhe të të hollave. E merni me mend se si e tërheq i pari shiritin e dhuratës. Kur nuk u dëgjua asnjë zhurmë, tmerri i tij u kthye në gëzim të pafund. Për çudi loja nuk u braktis as kur mbetën dy pako dhe bomba ende nuk qe zbuluar. I ftuari i fundit rrezikoi 50 me 50 %. Kur tërhoqi shiritin as vetë nuk e besoi që ishte ende gjallë. Shiritin e bombës së fundit e tërhoqi vetë Doktor Fisheri i Gjenevës, duke qeshur e duke u tallur me natyrën e pangopur njerëzore. Nuk kishte asnjë bombë, por Doktori vërtetoi se deri ku shkon makutëria e njeriut, tjetërsimi i tij, çpersonalizimi i tij. Dhe në këtë lojë ndihej sovran, argëtohej deri në kënaqësi fizike.
Me siguri që z.Nano e ka lexuar tregimin e famshëm dhe duke njohur natyrën e atyre që e rrethojnë, sillet, eksperimenton, tallet në të njëjtën mënyrë si Doktor Fisheri i Gjenevës. Vartësit durojnë edhe bollgurin edhe sprovat e tjera, mjaft që të pasurohen sa më shpejt, ndryshe…
Në Berat, z.Nano pas ironisë në mjedise të lira, sulmoi egër kundërshtarët politikë brenda dhe jashtë partisë së tij. Alternativa e tij qe ajo kundër. Kundër ish kryeministrit Meta, kundër kreut të PD-së Berisha, kundër opozitës që "po erdhi në pushtet do të ndalë reformat!?", kundër… Kreu i PS-së u bëri thirrje socialistëve të bashkohen për të ruajtur pushtetin. Lideri i partisë më të madhe në pushtet, kryeministri i vendit nuk iu drejtua për asnjë çast qytetarëve të Beratit, por vetëm militantëve të partisë së tij dhe meraku më i madh qenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Asgjë nuk tha kryeministri kundër varfërisë në rritje, kundër papunësisë, kundër vjedhjeve në tendera, etj. Nga diskutantët askush nuk kritikoi qoftë edhe një ministër apo drejtor drejtorie. I gjithë problemi qe se si të ruhej pushteti vitin e ardhshëm.
Me ç'duket në partitë politike shqiptare qytetarët e përgjegjshëm po bëhen një specie e rrallë. Një ndimesë të madhe ka dhënë edhe vetë z.Nano në këtë drejtim, i cili me joshjen me poste, me teorinë se më i mirë është ai që është me mua, e çmineralizoi PS-në. Për shkak të kontrollit të numrave ai krijoi një kabinet të "fyerish e të poshtëruarish", pikërisht nga ai vetë. Dhe duhet të kemi parsysh se në gjithë përcaktimet që u kishte bërë Baçit, Naçit, Pilafit etj. z.Nano kishte plotësisht të drejtë. Kur u ofroi "kaushin me bollgur" dhe pas tij postin ministror, të ashtuquajturit disidentë në PS, e hëngrën "bollgurin" me aq babëzi sa që z.Nano iu mbush mendja se ata edhe para sprovave shumë më poshtëruese nuk do ndaleshin, ndaj nuk kishte pse të humbte kohë. Ndau dhuratat (portofolet ministrore), krejt si Doktor Fisheri i Gjenevës, por me një ndryshim jo të vogël: Ndërsa Doktor Fisheri eksperimentonte në vilën e me paratë e tij dhe tallej me pak të njohur, Nano tallet e eksperimenton me të sotmen dhe të ardhmen e një populli, në institucionet e shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Një tallje dramatike që e lë shumë pas ironinë e shkrimtarit anglez Graham Grin.
2004

Sovrani po i drejtohet fronit

Që sovrani po i drejtohet fronit, kjo duket qartë. Ata që pretendojnë të ulen në fron dhe në kolltuqet pranë fronit janë mjaft të shqetësuar. Kanë lënë veturat luksoze dhe kanë zbritur në terren. Opozitarët, këta “proletarë”, ka kohë që lëvizin kudo në qytete e në fshat.Takimet po organizohen këtë herë në mënyrë të sofistikuar: janë hartuar listat me fiset dhe të parët e tyre në qytete dhe zona rurale, janë bërë studime të imta për çdo lagje, rrugicë e banor . Në skeda janë shënuar të dhënat e domosdoshme për një fushatë elektorale. Këtë herë nuk ka kohë për rregullime e korrigjime. Mund të humbasësh karrigen e deputetit per një votë të vetme. Mund të humbasësh pushtetin politik si parti a koalicion per një apo dy zona. Tregu politik i votave këtë herë është tepër i shtërnguar. Dhe e gjithë shfaqja do të zhvillohet në një ditë të vetme. Nëse kundërshtari t’i ble 10-15 vota nga ato që i ke llogaritur të tuat, atëhere e gjithë aritmetika jote, bashkë me mundin të shkojnë dëm.Partitë politike më tepër po lodhen për të përzgjedhur komisionerët se sa kandidatët për deputetë. Nga puna e tyre varet gjithçka. Nëse komisionerët e njëres parti di t’i caktojë tjetra, siç ka ndodhur në zgjedhjet e 97-es dhe 2001-shit, atëherë zgjedhjet i merr lumi. Nëse vendosen komisionerë që shiten për një shuk parashë, siç ndodhi me komisionerët e opozitës në Durrës dhe gjetkë në zgjedhjet parlamentare të 2001, atëhere sovrani është thjesht një buratin që pozon si popull.
Kandidatet për deputetë në dy partitë e mëdha janë në ethe: së pari, për të mësuar nëse shefi i madh do t’i caktojë deputetë sërish, së dyti, nëse do t’i caktojë në zona të sigurta apo thjesht do veshin një këmishë kamikazi, së treti,dhe më kryesorja, çfarë mendje do të ketë këtë herë sovrani.
Sovrani po drejtohet rëndë – rëndë për te froni, ku do të mbretërojë vetëm gjatë një dite. Të nesërmen do të ngjiten në fron për katër vite ata që ai do të caktojë me votën e tij. Askush nuk ia di mendjen atij. Edhe kur i thua voto për X-in, se ky më parë kap korrentin se paratë e tua, ai e hedh votën gjetkë. Eja lexoja mendjen atij, po munde! Po OJQ-të çfarë po bëjnë në këtë lëvizje të përgjithshme? Me siguri nuk po hartojnë strategjinë e ulët të shpërndarjes së miellit në këmbim të votave për kandidatët e qeverisë. Se ku i dihet? Ky milet të ha petullat e të nxjerr vetullat
2005

Keqpėrdorimi i shkollės

Një nga institucionet që vuan më tepër marrëzinë shqiptare, është shkolla. Në diktaturë ajo u kthye në laborator ku partia eksperimentoi krijimin e njeriut të ri sipas modelit kinez. Politizimi deri në qelizë dëmtoi rëndë edhe atë pak traditë që kishin krijuar në shkollën shqiptare rilindësit tanë. Tani shkolla është në zgrip. 80% e nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme vijnë në këtë institucion kot: ose për t’iu larguar rrugës, ose për t’u rritur në bankat e shkollës. Shumica e analfabetëve nuk gjendet tek ata që nuk vazhdojnë fare shkollën në qytet apo në fshat, por tek ata që janë në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme, tek ata që kanë mbaruar këto shkolla. Shkolla jonë sot përgatit një grusht teknicienësh, të cilët ose shkojnë jashtë shtetit për të gjetur kushte njerëzore pune, ose të formuar në universitetet e Perëndimit që nuk u bien ndër mend të kthehen në xhunglën me emrin Shqipëri. Të tjerët, ai 80% që mbush shkollat e mesme të përgjithshme, do të furnizojnë tregun e punës së rëndë në Evropë dhe tregun e trafikantëve dhe të krimit të organizuar.
Në shkollë mungojnë programet e hartuara me frymë perëndimore, mungojnë tekset që t’u përgjigjen këtyre programeve. Në shkollë nuk ka një strategji për t’iu përgjigjur të nesërmes, të pasnesërmes së këtij vendi. Në shkollë nuk praktikohet edukimi i shpirtit të lirë, edukimi i shpirtit kritik, edukimi i shijeve të holla estetike, tipare këto të qytetarit të sotëm evropian dhe tipare të munguara të shoqërisë sonë të gjymtuar për shkak të mungesës së gjatë të lirisë.
Këto dhe mjaft probleme të tjera të mprehta të shkollës sonë, nuk u ngritën në takimin e organizuar me kryeministrin Nano, ministrin Memushi e të tjerë pushtetarë socialistë në sallën e shfaqjeve të pallatit të kulturës “Margarita Tutulani”.
Me përjashtim të disa kërkesave për bazë materiale, të ngritura me të drejtë nga nxënësit, askush nuk i tregoi plagët e shkollës së sotme. Shumica e drejtuesve të shkollave hidhnin parulla te flakta si në një miting partiak dhe nxisnin nxënësit të duartrokisnin. Kryeministri u tha nxënësve se ai nuk ishte Nënë Tereza (dhe kishte plotësisht të drejtë kur tha kështu, sepse nuk ka asgjë të përbashkët me Nënë Terezën). Nxënësit dhe mësuesit kudo në Shqipëri nuk kërkojnë që z. Nano të jetë Nënë Tereza, por të jetë thjesht kryeministër i përgjegjshëm i Shqipërisë. Në mjaft klasa nuk ka as tekste për lëndë të ndryshme. Nxënësit i marrin njohuritë me shënime.
Takimi mori formën e një mitingu partiak ku kryetari i PS-së Nano vazhdonte “kuvendimin e madh”. Kjo u duk qartë kur ai e përmendi këtë frazë, përmendi të rinjtë që votojnë për herë të parë, përmendi vazhdimin e qeverisjes socialiste, etj.etj.
Nëse z.Nano, si kryetar i PS-së, do të realizonte “kuvendimin e madh”, atëherë s’kishte pse të mbledhte me urdhër nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme në sallën e shfaqjes të pallatit të kulturës. Le të mblidhte anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij. Me ç’duket, ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të verës 2005. Nuk ka shpërdorim më të madh të institucionit të shenjtë, shkollës, kur i cakton në drejtim individë që kanë mbaruar shkollën e partisë në Laprakë ( për këtë hidhini një sy drejtuesve të shkollave të Beratit), që i përdor për të mbushur sallat ku shpalosen programet partiake. Nuk kishte skena më të shëmtuara kur nxënësit shihnin drejtuesit e tyre, madje edhe disa mësues dhe mëseuse, që i serviloseshin drejtuesve të lartë të pushtetit dhe të partisë.
Nxënësit erdhën në sallë sipas urdhërit të drejtorisë arsimore rajonale. Që kryeministri takohet me nxënës të shkollave të mesme është fare normale, por që këto takime të jenë pjesë e kuvendimit të madh të Partisë Socialiste me elektoratin, siç u lançua nga “ZP” dhe disa TV, ky fakt kompromenton rëndë takimin në sallën e teatrit. Nëse Nano e realizonte takimin si kryetar i Partisë Socialiste, atëherë urdhëruesit e nxënësve për të mbushur sallën kanë shkelur ligjin, kanë prekur rëndë statusin e shkollës si mbipartiake, e depolitizuar.
Keqpërdorimi i shkollës sot është shpërdorimi i së nesërmes së saj.
2004

Opozita drejt pushtetit

Janë fletët e fundit të kalendarit të qeverisjes socialiste. Në fund të kësaj jave qytetarët do të drejtohen për te kutitë e votimit dhe me vullnetin e tyre të lirë do të përcaktojnë parlamentin e ardhshëm, nga i cili do të dalë qeveria e ardhshme. Po çfarë gjurme la në ditët, javët, muajt, vitet që shkuan mazhoranca socialiste?
Janë plot 8 vite në pushtet të kësaj mazhorance. Asnjë hap drejt integrimit europian. Më afër Europës Shqipëria ka qënë në vitin 1996, sesa në vitin 2005! Shqiptarët janë pa dyshim më të varfër se sa në vitin 1997, vit kur erdhën në pushtet socialistët. Librat më të dukshëm në vitrinat e dyqaneve janë librat e ushqimeve veresie, ku janë shënuar dhe shënohen çdo ditë emrat e qytetarëve. Këta janë librat e turpit, që zyrtarët socialistë i krijuan, por kurrë nuk i lexuan. Shkolla ka arritur në kuotat e saj më të ulta: nxjerr analfabetë me dëftesa pjekurie dhe diploma universitare. Pasaporta shqiptare, çertifikata e gjëndjes civile, diploma e të gjithë dokumentat e tjerë bazë të shtetit shqiptar janë të dyshimta për zyrtarët europianë, sepse janë të falsifikuara nga zyrtarët për një dorë para. Institucionet shqiptare shpesh e më shpesh janë në shërbim të krimit të organizuar. Mafia ka mbërthyer ekonominë, parlamentin, qeverinë deri në atë masë që sot thirret “kapja e shteti”. Institucionet e drejtësisë janë të kalbura dhe komandohen herë nga krimi , herë nga politika, herë nga politika në shërbim të krimit. Nuk dallohet qartë ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti.
Fletët e kalendarit të qeverisjes socialiste janë fletë të bëra pis nga korrupsioni i zyrtarëve të të gjitha rangjeve. Miliona e miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, miliona e miliona euro të ardhura nga doganat, miliona e miliona euro të dhëna si ndihmë e kredi nga Europa kanë përfunduar në xhepat e ministrave e të zyrtarëve të tjerë të lartë të Partisë Socialiste. Vrima e zezë e korrupsionit në Shqipëri tregohet me gisht që nga Brukseli e Uashingtoni. Socialistët kanë akuzuar me gisht njeri-tjetrin për grabitje të fondeve publike, për grabitje e privatizime të paligjshme të pasurisë publike, por askush nuk e vuri ujët në zjarr.
Tani Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë. Për çfarë e kërkon?
Tani kjo parti në fakt duhet të thirret Parti e Monopolistëve. Ajo nuk është më parti e socialistëve idealistë. Ajo është parti e Dukës, që ka bërë një mal me para duke bërë kontrabandë, duke mbytur ekonominë e fermerëve shqiptarë me importet e tij të futura kontrabandë. Është parti e monopolistit Koka, monopolistit Angjeli, monopolistëve Poçi e Fino. Këta miliardierë kanë harruar se dikur kanë qënë socialistë. Për çfarë e do mandatin e tretë Partia e Monopolistëve?
Ndoshta për të kthyer paratë e firmave piramidale, për të cilat monopolisti Nano u zotua si sot e 8 vjet më parë nga Sheshi i Flamurit.
Qytetarët shqiptarë janë të zemëruar nga mashtrimi i madh i socialistëve. Ata humbën tetë vite nga jeta e tyre në pritje të ndryshimit të jetës së tyre për mirë. Ndryshimi nuk erdhi. Opozita propozon një ndryshim pikërisht më 3 korrik. Qytetarët shqiptarë tani i janë bashkuar këtij ndryshimi. Opozita po vjen në pushtet. Që sot ajo duhet të mendojë se si do t’ua kthejë këtë pushtet qytetarëve.

2005

Abstenimi, si e drejta e strucit pėr tė fshehur kokėn nė rėrė

Po afron 3 korriku. Qytetarët shqiptarë thirren në kutitë e votimit për të përcaktuar parlamentin e ardhshëm, qeverisjen e ardhshme. Është një ditë e shënuar, ku çdo qytetar që ka mbushur moshën 18 vjeç me votën e tij do të shprehë vullnetin për ndryshim në të mirë të vetes, në të mirë të familjes së tij, në të mirë të qytetit a fshatit ku banon , në të mirë të vendit.
Qytetarët e kanë të siguruar me ligj votën e lirë, por edhe abstenimin. Mosshkuarja në kutinë e votimit në datën 3 korrik 2005, për mendimin tim është papërgjegjshmëri. Shqipëria e traumatizuar nga trazincioni i përhershëm, nga varfëria ekstreme dhe pasurimi kolosal i paligjshëm i një pakice të lidhur me pushtetin dhe me krimin njëkohësisht, e ka luks të tepërt abstenimin.
Flitet se nuk do të shkojmë në kutitë e votimit se askush nuk mendon për ne, se të gjthë luftojnë për karrige etj, etj. Në këto thënie ka edhe të vërteta, por forma më e mirë e organizimit të një shoqërie deri më sot rezulton pikërisht forma demokratike.
Qytetari që nuk është i kënaqur me sotmen ka në dorë të zgjedhë të mirën më të madhe në rastin fatlumë dhe të keqen më të vogël në rastin më të keq. Qëndrimi larg kutive të votimit do të përkeqësojë edhe më tej jetën e çdo qytetari. Për fatet e tij do të vendosë qytetari me kapotë të murrme, i cili nuk mungon kurrë te kutia e votimit, madje shfaqet atje që pa gdhirë. Ky lloj votuesi është i organizuar, është i orientuar.Ai i shërben privilegjeve të dhëna me dorë të lirë nga partia.
Nëse qytetari normal do ta lërë në dorën kapotave të murrme cilësinë e parlamentit të ardhshëm, cilësinë e qeverisjes së ardhshme, atëherë ai rrezikohet të jetë edhe për katër vjet të tjerë peshk i pashpresë, i rënë në rrjetën e kuqe të monopoleve.
Refuzimi i kutisë së votimit më 3 korrik është refuzim i ndryshimit që të ofrohet, është refuzim i shansit për të shpëtuar nga papunësia, nga krimi i organizuar, nga injoranca që pjell tigra në zyrat e shërbimit publik, është refuzim për një shkollim më dinjitoz të fëmijëve, refuzim për një shërbim shëndetsor më njerëzor, refuzim i një qeverisje normale që do ta afrojë Shqipërinë me Europën. Refuzimi i kutisë së votimit në datën 3 korrik i ngjet aktit fatalist të strucit në shkretëtirë, i cili siç dihet, për të shpëtuar nga rreziku që e kërcënon, fut kokën e vogël në rërë dhe kujton se ky gjest është shpëtimtar.
2005

Lista e votuesve pėrballė listės sė ushqimeve veresie

Qytetarët janë treguar të ndjeshëm ndaj listave të afishuara nga pushteti vendor me emrat e atyre që kanë të drejtë vote në 3 korrik 2005. Edhe partitë politike kanë verifikuar listat për të parë nëse anëtarët dhe simpatizantët e tyre janë në listë. Ky interes për zgjedhjet është në të mirë të procesit demokratik në vend. Po deputetët aktualë, kandidatët për deputetë , partitë politike a u kanë hedhur një sy listave kilometrike nëpër dyqanet e ushqimeve, lista që egzistojnë prej vitesh për të parë deri ku zgjatet mjerimi ekonomik i qytetarëve të cilëve po u kërkojmë votën?
Vit pas viti fletoret e qytetarëve që blejnë bukën, djathin, vajin, sheqerin, e gjithë ushqimet e tjera veresie, janë kthyer në libra të trashë. Ato libra kurrë nuk janë lexuar nga deputetët aktualë. Ato libra bëjnë me dhimje koke vetëm tregtarët edhe qytetarët. Varfëria në Berat është ulur këmbëkryq. Papunësia, ndonëse e paevidentuar plotësisht, ka arritur në shifra alarmante. Ai që humbet vendin e punës nuk ka asnjë shans për të gjetur sërish një punë. E vetmja mundësi për punësim mbetet emigrimi. Të emigrosh duhet vizë dhe viza kushton 2000 euro, e papërballueshme nga qytetari. Kur bie fjala për zgjedhjet, qytetarët e Beratit të rendisin një sërë premtimesh : do të hapim vende të reja pune, do të zhvillojmë turizmin familjar, do të nxisim investimet vendase dhe të huaja në Berat, do të ulim në shifra minimale papunësinë, do të ketë furnizim me energji elektrike dhe ujë pa ndërprerje, do të rrisim cilësinë e shërbimit shëndetsor, do të rrisim nivelin cilësor në shkolla, do të lidhim Beratin me Tri Urat dhe Greqinë, do të lidhim Beratin me detin nëpërmjet një superstrade, do të kthejmë aeroportin ushtarak të Kuçovës në aeroport civil , etj.etj. Të gjitha këto premtime dhe mjaft të tjera të bëra nga deputetët e majtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2001 i mori era. Ata u zgjodhën deputetë.Asnjeri nga ata nuk foli në parlamentin shqiptar për hallet e qytetarëve të Beratit. Ata vazhduan të pasuroheshin, ndërsa qytetarët të varfëroheshin. Madje ndonjeri nga këta farë parlamentarësh për 8 vite nuk foli asnjëherë në parlament. Në fakt ai mund të quhet memectar, por jo parlamentar (parla- me fol). Qyteti i Beratit vit pas viti është braktisur për mungesën e investimeve, për mungesën e punësimit, për nivelin gjithënjë e në rënie të arsimit. Katastrofa urbanistike, e toleruar nga pushteti 100 % i socialistëve për të marrë një dorë vota, e ka kthyer Beratin në qytet pa fytyrë.
Është kuriozitet të mësosh se çfarë argumenta përdorin kandidatë të tillë për t’u kërkuar votën sërish qytetarëve të Beratit. Ndërsa unë do t’u propozoja qytetarëve të Beratit, të gjithë atyre që duan të ndryshojë për mirë jeta e tyre dhe e familjes së tyre pas 3 korrikut, të merrnin në duar librat e trashë të ushqimeve vreresie dhe të demostronin në shëtitoren “Republika”.
2005

 

PD dhe aleatėt pėrballė sfidės sė pushtetit

Qytetarët shqiptarë për çdo lëvizje të Partisë Demokratike dhe të partive aleate e kanë gati lupën për të dalluar qartë nëse veprimi është rrjedhojë e filozofisë së ndryshimit apo thjesht vazhdim i qeverisjes së refuzuar dhe larguar më votën e tyre më tre korrik. Janë të gjitha mundësitë që koalicioni fitues t’i mbajë premtimet para qytetarëve shqiptarë për t’i kthyer vendit normalitetin demokratik. Në fakt çelësi magjik është vetëm një, zbatimi me fanatizëm i ligjit.
Po ligjet që t’i zbatosh, së pari duhet t’i njohësh. Mund edhe t’i njohësh ligjet në mënyrë të përkryer dhe, nëse je i papërgjegjshëm, i shkel. Opozita që erdhi në pushtet krahas vlerave të mëdha intelektuale që mbart te vetja, krahas individëve me integritet, ka plot antivlera, të cilët kontribuan shkëlqyeshëm gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike për humbjen e pushtetit dhe në mënyrë dramatike.
Kujtesa politike është e gjallë te qytetarët. Edhe individët që e shpërdorën pushtetin në vitet 1992- 1997 janë afruar sërish te opozita që tani është pozitë. Nuk mjaftojnë 8-10 vite për të harruar bëmat e zyrtarëve të papërgjegjshëm, deri te ministra alabakë, që ngritën në qiell kultin e horrit e të shkelësit të ligjit në kurriz të qytetarëve në përgjithësi dhe intelektualëve me moral dhe integritet të fortë qytetar në PD. Këta mbajnë mbi shpinë një pjesë të fajit që opozita humbi besimin te qytetarët dhe te ndërkombëtarët dhe kaloi 8 vite në opozitë.Vota e 3 korrikut ishte kundër monopoleve, kundër korrupsionit, kundër nëpërkëmbjes së ligjit, kudo qofshin individët që mbartin këto viruse. PS kaloi në opozitë pikërisht se nuk donte dhe nuk diti të çlirohej nga skota e të korruptuarëve, sepse i ngriti ata në nivelin e ministrit e deputetit. Por do të qe keqkuptim i madh, do të ishte qesharake të ndihej fitimtar ish-zyrtari i korruptuar, qoftë ky edhe në radhët e partive fituese, qoftë edhe ish-ministër i qeverisjes së PD-së, thjesht se “bën pjesë” te partitë opozitare. Qytetarët votuan duart e pastra dhe jo duart e përlyera kudo qofshin ato. Nëse do të fitonte vërtetë kjo skotë, qytetarët kanë humbur përsëri.
Nëse mesazhi i votës së qytetarëve në 3 korrik 2005 nuk është kuptuar si largim i të korruptuarëve, si largim i të papërgjegjëshmve, kudo ku ata gjenden, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, atëherë s’kemi kuptuar asgjë dhe ky moskuptim është tragjik për të gjithë.
2005

Shqiptarėt fituan mbi veten e shprishur

Për nga rëndësia zgjedhjet e 3 korrikut 2005 mund të krahasohen me ato të 22 marsit 1992.
Në mars të vitit 1992 qytetarët shqiptarë votuan për herë të parë dhe flakën tej një nga diktaturat më të egra në historinë e tyre. Për herë të parë në historinë e tyre shqiptarët nisën rrugën e gjatë e të mundimshme të ndërtimit të një shoqërie demokratike.
Ndërsa në 3 korrik 2005 qytetarët shqiptarë sërish gjendeshin në një gjendje absurde: varfëri ekstreme, liri e fjalës kur nuk kishe të bëje me borderonë e shtetit, korrupsion që sundonte krejt administratën publike, monopole të lidhura me krimin e politikën.
Në 3 korrik Partia Socialiste, e cila i kishte dëbuar me kohë socialistët e vërtetë nga lidershipi i saj dhe nga qeveria, u ofronte shqiptarëve për deputetë monpolistët pa ideale, miliarderë që s’kishin asnjë lidhje me qytetarët me bindje të majta, si Duka, Duraku, Angjeli, Poçi, Ruka etj. Këta bosë që lundrojnë në luksin e pronave e parave kërkonin votat e qytetarëve shqiptarë për të mbajtur monopolet e tyre, për të mbrojtur kolltukët e ministrave në qeverinë e pas tre korrikut. Krahas slloganit “Mbro të ardhmen”, ofruan miliona euro në këmbim të votave. Qytetarët shqiptarë u gjendën midis kësaj oferte dhe ofertës së opozitës së varfër që ofronte ndryshimi: shkatërrimin e monopoleve, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, kthimin e moralit qytetar në ndërtimin dhe drejtimin e institucioneve.
Në përgjithësi, qytetarët shqiptarë para tre korrikut ishin skeptikë në fitoren e moralit mbi paratë e pista, postet publike gati të privatizuara. Morali i dëbuar nga zyrat e shtetit shqiptar dhe zyrat e administratës publike, gjendej i zhvlerësuar si rrobat firmato të Gabit.
Në 3 korrik qytetarët shqiptarë kryen një akt të madh moral; përbuzën dhe refuzuan me elegancë milionat në këmbim të sfidës së ndryshimit që do të thotë kthimi i moralit në qeverisje, në mentalitetin qytetar të sjelljes e veprimit. Shqiptarët triumfuan mbi veten e shprishur.
Ata votuan ndryshimin. Tani opozita që është shndërruar, falë besimit të qytetarëve shqiptarë, në pozitë, do të nisë rrugën e vështirë të kthimit të moralit në tërë segmentet e shtetit, administratës publike, rrjedhimisht në shoqërinë shqiptare.
A ka rreziqe? Sa të duash. Drejt selive të partive opozitare janë turrur brejtësit e pushtetit;ata që zhvlerësojnë e bëjnë pis çdo ide të bukur.

2005

Parlamenti i qytetit nė fund tė mandatit

Janë muajt e fundit të mandatit të parlamentit të qytetit tonë, këshillit të bashkisë. Kanë kaluar afro tre vjet në karriget e nderuara si përfaqësues të qytetarëve. Ky këshill, natyrisht ka marrë vendime mjaft të rëndësishme në të mirë të përmirësimit të jetës së banorëve të Beratit. Aty është diskutuar, është debatuar dhe në fund është marrë vendim, në shumicën e rasteve me forcën e kartonave. Këshilltarët socialistë kanë qënë shumicë gjatë dy mandateve të qeverisjes vendore, ndërsa demokratët dhe disa këshilltarë afër tyre kanë qënë në opozitë. Për një banor të vëmëndshëm ky këshill ka bërë një jetë rutionore, pa veprime të guximshme, pa nisma kurajoze në të mirë të qytetit dhe qytetarëve, pa këmbëngulje për të ndryshuar, për t’i dalë ballas së keqes. Në përgjithësi ky këshill ka miratuar ose ka kundërshtuar pa u thelluar, pa e vrarë shumë mendjen, madje në shumicën e herës pa u mbledhur edhe komisionet e këtij këshilli. Ende nuk kemi vendime që të jenë përpiluar nga këshilltarë të vecantë , vendime që për nga rëndësia në jetën e qytetit, mund të mbeteshin si vendime me emrin e këshilltarit formulues. Këshilli i bashkisë nuk mundi të ndalë ndërtimet pa leje, nuk mundi të luftojë papunësinë dhe varfërinë e këtij qyteti, nuk mundi të rriste qytetin shpirtërisht nëpërmjet politikave kulturore dhe artistike, nuk mundi të të siguronte shërbime sasiore dhe cilësore për qytetarët, nuk mundi të ndikonte për ta bërë më njerëzor shërbimin shëndetsor, nuk mundi të siguronte një shërbim arsimor cilësor, nuk mundi të siguronte më shumë ujë të bollshëm dhe të pastër në rubineta, nuk mundi të siguronte më shumë ndricim në rrugë dhe rrugica. Disa këshilltarë ende nuk janë as vetë të vetëdijshëm se përse janë ulur në ato karrige të nderuara.
Në zgjedhjet e zhvilluara për qeverisjen vendore në vitin 2003 pati mjaft përfolje për manipulime me votat e qytetarëve. Disa këshilltarë u zgjodhën me telefon celularë në castet e fundit, duke i njollosur zgjedhjet dhe duke bërë pis karriget e nderuara të parlamentit të qytetit.
Tani po afron koha e rinovimit të kreut të bashkisë dhe këshillit bashkiak. Qytetarët e vëmëndshëm kanë regjistruar në kujtesën e tyre punën e kësaj bashkie dhe të këtij këshilli dhe kur të vijë dita e votimit do të bëjnë korrigjimet e duhura, natyrisht në të mirë të qytetit, në të mirë të banorëve të tij.
2006

 

Copyright © 2008