Yzedin Hima - Proze - Kenga e neperkes

KENGA E NEPERKES


Ese dhe shkrime te tjera

Poezi 2006
Shtepia botuese Uegen

 

REDAKTOR : SIMON VRUSHO

KORREKTOR : AGIM MEHQEMEJA

 

Mediakafe
Humor



***
Në një klasë gjimnazi në Berat u zhvillua konkursi për kartolinën me tekst më të bukur, hartuar nga nxënësit. U mblodhën të holla për fituesin nga vetë nxënësit. Gjatë 5 minutave të gjithë punuan në heshtje. Pastaj nisi leximi i kartolinave dhe vlerësimi i tyre. Kartolina më e bukur, por që, si gjithmonë nuk mori çmim, kishte këtë tekst:
“Adelë, e dashur!
Po vjen Viti i Ri. Ndihet ardhja e tij nga krismat e kapsolleve me lëndë plasëse që valëzojnë kudo. Ndihet ardhja e tij në rrugët e mbushura cit me djem e burra, në lokalet plot me burra e djem. Ndihet nga klithmat e gjelave të detit kudo e kurdo.
E dashur Adelë!
E ndiej shijen e shpifur të gjelit brenda vetes edhe pa e provuar atë.
Në datën 1 do të dal me prindërit, (patjetër me ata), për të vizituar të afërmit.
Rrugës do të dëgjoj fishkëllimat e djemve dhe burrave. Që tani ndjej klithmat e gjelit brenda meje, që pas çdo fishkëllime, do të klithë: kullurulluuuu... pik... pik... pik... gëzuar!
***
Në mesnatën e 31 dhjetorit 2003, në qendër të qytetit populli vërshoi lumë. Pastaj nisi shfaqja drithëruese: të gjithë nxirrnin nga xhepat kapsula të madhësive të ndryshme dhe i ndiznin tërë pasion. Krismat formonin ferrin e 97-ës. Sa më shumë ndizeshin krismat, aq më shumë etje, ethe dhe zjarrmi kishte turma. Malli për ato ditë jo shumë të largëta nderej kudo në sheshin e madh. Turma nuk u lirua nga makthi dhe ekstaza e krismave as kur në podium dolën këngëtarët e ftuar nga Tirana, madje hodhën në skenë një breshëri kapsulash me lëndë plasëse. Me ç’dukej nuk donin asnjë lloj muzike tjetër, përveç asaj më të dashurës, më rrënqethëses, krismës. Në orën 12.00 e gjithë turma kaloi në orgazëm kolektive: krisma, flakë, tym, ulërima.
Natyrisht munguan puthjet, përqafimet, fjalët e ngrohta, urimet, lutjet.
***
Në Kozare, 4-5 km larg qytetit të Kuçovës, është hapur një minierë e madhe balte. Kamionët me targa BR, TR, GJ, VL, KO, SH, KV, PG, PU dhe LU etj. vijnë bosh në Kozare dhe dalin që andej të ngarkuar ding. Gropa e baltës i ngjet një goje të madhe, e hapur në drejtim të diellit. Ajo sa vjen e bëhet më e thellë, më e errët. Nga goja e saj vazhdimisht del baltë, një baltë e veçantë. Nga kjo baltë nuk prodhohen as tulla, as tjegulla, as qyngje, as shtëmba, as pjata e filxhanë, as enë të tjera porcelani. Nga kjo baltë nuk prodhohen as qypa, por... nga kjo baltë prodhohen heronj.
Skulptori i njohur i qytetit tonë, i cili shkon çdo javë në Kozare, pyetjes tonë iu përgjigj: “Trualli ynë heroik në Veri e Jug, në Lindje e Perëndim prodhon heronj. Nuk ka truall më të begatë në Evropë se sa trualli ynë për prodhimin e tyre. Por i gjithë mundimi i këtij trualli do të shkonte dëm, po të mos ishte balta e Kozares. Pa atë do të kishim vetëm heronj të rënë (se ata nuk vdesin kurrë), heronj të shtrirë. Falë kësaj balte, që i qofsha falë, vetëm unë në trevën e Beratit kam ngritur në këmbë dhjetëra e dhjetëra heronj, të rënë që nga shekulli zero e deri në ditët tona”.
Në cep të gropës është shkruar: “Baltë për heronj”, ndërsa mbi pragun e studios së skulptorit shkruhet: “Lartësoj heronj, me shumicë dhe pakicë”.
***
Dhimitri, një mësues matematike korrekt, kur mësoi për kandidaturën e një militanti për një post të rëndësishëm, buzëqeshi duke tundur kokën.
“Pse qesh?”, pyeti miku i tij, që nuk e njihte nga afër personin në fjalë.
“Është e çuditshme, shumë e çuditshme!”, vazhdoi bisedën Dhimitri duke gjerbur kafenë. Ky individ ka qenë mësues në shkollën e një fshati të largët. E kam takuar para shumë vitesh tek ai fshat, kur shkuam për kontroll nga drejtoria arsimore. Pasdite, kuptohet, që ne do ta kalonim natën atje. Ky miku më afrohet dhe më thotë: “Profesor Taçi, unë jam te kapitulli i thyesave në klasën e katërt. Sot shpjegova mbledhjen e tyre. Ja, shihe në ditar:
2/3 + 4/7 = 2+4/3+7= 6/10
U pataksa. Ai kishte mbaruar gjimnazin dhe vazhdonte shkollën e lartë pa shkëputje nga puna. “Dëgjo, - i thashë,- kjo mënyra jote është krejt origjinale, por mbledhja e thyesave nuk bëhet ashtu”. Dhe nisa t’ia shpjegoja. Ai u mërzit shpejt dhe i nervozuar më tha: “Ou ..., rruga që përdor ti ha gjatë!” Të nesërmen, në orën e mësimit nuk e lashë të shpjegonte zbritjen e thyesave. Mora shkumësin dhe ia shpjegova me durim nxënësve. Ata fëmijë të zgjuar e kuptuan shumë më shpejt se ky zotëri mbledhjen dhe zbritjen e thyesave.”
Dhimitri qeshte me kandidaturën qesharake, e cila nesër mund të kthehet në një të keqe serioze.
***
Në një tavolinë në kafe “Kristal” po pinin çaj katër vetë, njerëz të kulturës e të artit. I pari nisi të fliste piktori, duke treguar disa ngjarje plot humor. Të gjithë qeshnin me mënyrën interesante të tregimit nga ana e tij. Pastaj nisi të fliste muzikanti. Edhe ai i përshkruante plot ngjyra disa nga ngjarjet që kishte përjetuar vetë kohët e fundit. I treti, edhe ky artist, merrte nëpër gojë disa njerëz. Vizatimet e tij, befasia e figurave me të cilat tipizonte personazhet, krijuan të qeshura.
Vetëm poeti L heshtëte, ende nuk po tregonte asgjë. Piktori iu drejtua pikërisht atij, kur biseda po ngecte:
“Nuk po thua asgjë. Ne kemi folur kaq shumë sot”.
Poeti L, duke lënë mënjanë modestinë, iu përgjigj: “Mendjet e vogla diskutojnë njerëz, mesataret ngjarje, ndërsa mendjet e mëdha ide...”.
***
Në Muzeun “Onufri”, ditën e dëborës, datë 30 janar, u mblodhën përreth organizatorëve të simpoziumit rreth 50 vetë. Nga këta 47 qenë punonjës të administratës lokale.
Kur nisën referimet mbi kodikët e Beratit, të mbajtura nga zotërinj të nderuar si Shaban Sinani, Moikom Zeqo etj., u dëgjuan tingujt e një melodie të njohur popullore: “Më martoi babai në fshat”. Siç dukej volumi maksimal i celularit dhe jehona e kubesë së katedrales ndikuan te të pranishmit. Pak nga të ftohtit e padurueshëm, pak nga ritmi postoralo-bukolik, të pranishmit nisën të lëviznin herë njërën këmbë, herë tjetrën, pastaj të gjithë trupin. Pas melodisë së parë u ndie e dyta, edhe më e fortë: “Sot ka festë kooperativa”. Te refreni “bjeri gajdes gajdexhi” e gjithë gjindja filloi të dallgëzohej herë majtas, herë djathtas, herë para, herë prapa.
Referuesi ngrinte kokën herë pas here dhe pas qelqeve të syzeve, sytë sa venin e po i zmadhoheshin. Ndonëse kumtesa e tij qe mjaft interesante, me hulumtime serioze, të pranishmit ishin përfshirë nga ethet dhe ritmet e melodive. “Të paktën shijet t’i kishin më të arrira?!”- mendoi referuesi. Kur mbaroi së lexuari kumtesën, pati një çast heshtjeje. Njerëzit vështronin herë referuesin, herë ikonostasin me shenjtorët e përvuajtur. Pikërisht në këtë çast nga celulari i një pushtetari tepër të lartë, u ndie melodia: “Oj çike, dridhe ka një çike...”
***
Në botën e ngushtë të kuzhinës nisi për të nëntën herë analiza financiare e 15-ditëshit në vazhdim. Në njërën anë ngrihej pirgu i faturave, ndërsa në krahun tjetër dukej “pirgu” i rrogave. Ndonëse e nisnin nga e para llogarinë, me shpresë se do të shkonin deri te data me dy shifra, mezi mbërrinin deri te data 7.
“Pa le t’u hedhim edhe një sy faturave nga fillimi!”, foli burri.
“Ja, fatura e energjisë! Megjithë kujdesin tonë shkon 5000 lekë. Kjo tjetra është fatura e tlefonit: 3000 lekë. Fatura e ujit, e ushqimeve me listë, receta e ilaçeve...”
“Po kjo copë letër çfarë është?”, pyeti burri. Në një fletë format qenë shënuar shumica e lëndëve që zhvillonte djali i tyre harrakat në gjimnaz. Në krah të çdo lënde qe vendosur një shifër e kripur.
“Po kjo copë letër çfarë është?, e ngriti zërin për herë të dytë burri.
“Ajo është fatura e budallallëkut e tët biri,- foli tërë pezm gruaja. -Po mbaron semestri dhe yt bir po nuk e shlyem faturën, do të mbetet në 5 lëndë.”
***
Në një nga autobusët urbanë që mezi po e shtynte udhën nga Kombinati në Uznovë, te stacioni i Gjashtëkatëshit u dëgjua një zë i fortë: “Unë jam Petraqi, hidrauliku. Po ju njoftoj se do të zbres te stacioni i Mangalemit.”
Të gjithë udhëtarët panë njëri-tjetrin në sy dhe buzëqeshën. “Do të ketë hedhur ndonjë gotë që pa gdhirë”, menduan. Pas ndalesës në stacionin tjetër përsëri u dëgjua njoftimi: “Jam Peçua, hidrauliku. Po ju njoftoj se në stacionin e Mangalemit do të zbres.”
Të gjithë vështruan Peço hidraulikun, i gjatë sa një kambanore. Sapo autobuzi la stacionin te “Dëshmorët e Kombit”, hidrauliku përsëriti të njëjtin avaz: “Edhe një stacion kam...”
Kur autobusi ndaloi në këmbët e Mangalemit, Peço hidrauliku, më esëll se çdo udhëtar, thirri me zë të lartë: “Unë mbërrita, ju lutem hiqni dorën nga tubi.”
Qytetarët lëshuan tubin e hidraulikut dhe u mbajtën te njëri tjetri të lidhur në seri.
***
Autobusi nxitonte drejt periferisë, herët në mëngjes. Bura dhe gra, madje edhe fëmijë shkolle, dukeshin sikur po luanin kukafshehti teksa qëndronin pas çantave të mëdha të mbushura me bidona plastike bosh.
“Si dole sot?- i foli një nga gratë shoqes pranë.
“Mirë, fare mirë. Problem kam bidonat plastikë dhe ujin”
“Ujin për të larë bidonat?”
“Jo, jo, ujin për të shtuar ca qumështin. Tani që është ftohtë kanalet kanë ngrirë dhe është mjaft e vështirë të mbushësh kovën.
“Epo, sa të ikin ngricat, le të pinë qumësht pa ujë ata të tutë. Nuk besoj se do të zgjasë shumë kjo ngricë. Mbase edhe një javë”.
“Nuk është puna te qumështi me apo pa ujë . Ata të mitë zgjohen që në orën pesë në mëngjes dhe marrin malet duke vrapuar. Duan të jenë elegantë. Unë i ndihmoj duke u dhënë për të pirë një qumësht e dy ujë, duke ua lehtësuar ca punën”, foli gruaja e imët matanë trastës me bidona plastikë të mbledhur në kazanët e plehrave të lagjes ku banonin klientët e saj.
***
Dy pensionistë dolën në park të gëzuar. Vraponin drejt stolave me aq sa kishin mundësi.
“Desh Zoti dhe i hoqën shpejt sot?”, foli i moshuari i parë.
“Thonë se do t’i shkurtojnë edhe nja 2-3 orë të tjera”, foli tjetri, “atëherë kemi për të bërë vërtetë pallë. Tërë ditën do të luajmë e bisedojmë për qejf.
Të dy të moshuarit u ulën në stolat e parkut. Pas pak vërshuan edhe të moshuar të tjerë. Të gjithë qenë të gëzuar.
Një nga më të moshuarit, i hollë e i imët sa gati e merrte era, hipi mbi stol dhe nisi të fliste: “E dini? Ia futa plakës.”
Të gjithë ia dhanë të qeshurit.
“Jo more! Nuk të besojmë!”, nisën të flasin njëzëri të tjerët. “Duam prova, prova!”.
“Për çfarë dreq provash e keni fjalën!?”, nisi të fliste përsëri imcaku.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të familjes, pas rritjes së çmimit të energjisë dhe telefonit unë zgjodha energjinë elektrike. Do të ruaj me vigjilencë çdo prizë se mos ndonjë nga pjesëtarët e familjes takon hekurin, reflektorin, kaloriferin apo dushin. Sa të ketë drita unë jam në këmbë dhe i plotfuqishëm. Mirëpo KESH-i po më vjen në ndihmë. Çdo ditë rritet kufizimi dhe ulet koha e shërbimit tim. Ndërsa plakës ia futa sepse ajo zgjodhi telefonin! 24 orë rresht ajo do të ruajë telefonin se mos e ngre kush dhe formon numrin. Hë doni prova të tjera?- përfundoi fjalimin i moshuari.
***
“O gjysh, o gjysh! Mora dhjetë në matematikë. Nuk ka problem që të më dalë para e të mos e zgjidh!”, po i thoshte nipi kryeredaktorit tonë. Ky pasi e përgëzoi për dhjetën e marrë në testim i tha:
“Dëgjo, nipçe! Kam unë një problem të vështirë që ti nuk e zgjidh dot”.
“Pa ma thuaj, gjysh!”, dhe kryeredaktori ynë filloi: “Unë marr 9000 lekë pension. Pagoj 3000 lekë energji mbeten 6000 lekë. Nga këto hiq 3000 lekë telefon mbeten 3000 lekë. Hiq 2000 lekë ilaçe mbeten 1000 lekë. Nga këto hiq 300 lekë ujë mbeten 970 lekë. Hiq 970 lekë për ndonjë libër dhe gazeta mbetet zero.
Tani ti si djalë i zgjuar më trego mua se ku t’i gjej paratë për të ngrënë? Po për t’u veshur? Po për...”
Djali, pasi u mendua pak, iu kthye: “Gjysh! Ky problem ka vetëm një zgjidhje: Shko refugjat!”.
***

Një banor i lagjes “Jani Vruho” pasi stivosi ca thasë me miell nga projekti: “Miell në këmbim të votës”, i tha gjyshes:
-Gjyshe, na bëj ca petulla me këtë miellin e falur!
Gjyshja vuri tiganin në furnellën e vënë në kopsht dhe nisi të bënte petullat. Të mëdha sa një poster kandidati për kryetar bashkie. Nipi i saj, një djalë çapkën, pasi provoi një, e flaku tutje. Qeni i tij u turr ta kapte dhe e mbërtheu në ajër. Komshia e vuri re dhe po qeshte me të madhe.
-E shikon, apo jo!- iu drejtua komshisë. Në kohën tonë po ha qeni petulla.
Komshia që qe opozitar, e ndërpreu të qeshurën dhe u vrenjt.
-Po, po. Qeni ha petulla me miell nga ndihmat, është e vërtetë, por në kohën tonë gomari pinte fanta dhe nga xhepi i tij, -foli komshiu i lehtësuar.
***
Te cepi i varrezave është hapur një zyrë e vogël, me një reklamë modeste: “Varim postera”. Aty qëndron përherë një plak i zeshkët dhe disa djem të gatshëm. Kush dëshiron të varë postera me pagesë të arsyeshme e mbush ding gjithë qytetin. Në njërën nga këto pasdite fushave, në zyrë trokiti një burrë me kostum të shtrenjtë e kravatë 100 dollarëshe.
-Menjëherë burri qëndroi gatitu dhe iu drejtua: -Mirë se erdhe, shef! Ç’e mirë të solli në dyqanin tonë të varfër? Po deshe për të varur postera jemi gati ne.
-Unë kam një hall tjetër, -foli i porsaardhuri. -Nuk dua të var postera se kemi plot djem për të varur. Ne duam punëtorë për të grisur postera. Për të grisur këto modele. - Hapi çantën dhe tregoi dy posterat e kandidatëve kundërshtarë.
-Më vjen keq!- foli plaku. -Do mundohesh në darkë, pas orës 11.00. Në atë orë zyra ndërron drejtim. Vijnë ata të natës,- dhe nxori një tabelë me bojë fosforeshente ku lexohej: “Grisim postera”.
***
Gjyshi i dy kandidatëve për kryetarë në komunën periferike as flet e as kundon. Të dy nipërit, njëri kandidat i PD-së dhe tjetri i PS-së i kanë hapur portat kat e kat. Miqtë derdhen lumë sa te njëri te tjetri. Kryetarë të mëdhenj dhe kryetarë të vegjël, sekretarë të organizatave bazë dhe kryetarë seksionesh, veteranë të luftës dhe të persekutuar politikë, komunistë dhe antikomunistë, vullnetarë të Enverit dhe anëtarë të shoqatës antikomuniste.
Kur vijnë taborret nga e majta, tabakanë e mban kandidati i djathtë, ndërsa kur taborret vijnë nga e djathta, shërben me shpejtësi e korrektësi kandidati i majtë.
Te gjyshi askush nuk po troket.
-Qeshni dhe gëzohuni, mor demat e gjyshit!- flet ngadalë gjyshi.- Edhe ti nga e majta e parmendës, edhe ti nga e djathta. Por qesh mirë, kush qesh i fundit. Dhe ai që do të qeshë se s’bënë në fund jam unë. Fiton njëri, a humbet tjetri, unë me siguri që do të jem gjyshi i kryetarit të komunës.
***
Delegacioni i Partisë u nis për në komunën e largët kodrinore për fushatë. Te klubi i fshatit ndaluan për të pirë ndonjë kafe.
-A jeni mirë?- pyetën pronarin e lokalit.
-Mirë le të themi, u përgjigj disi ftohtë pronari.
-Ç’thotë fushata?- pyeti një nga anëtarët e delegacionit.
-Deri tani pa bereqet. Kanë ardhur nja dhjetë delegacione, por asnjëri nuk na ka zgjidhur gjë- foli pronari. Pastaj shkoi tek rafti dhe mori një fletore të trashë pesëmijelekëshe. E uli fletoren mbi tavolinë dhe po priste në këmbë.
-Jo, nuk ka nevojë për menu, -tha kryetari i delegacionit partiak, thjesht duam të pimë ndonjë kafe.
-Nuk është menu, shef!- foli pronari i klubit,- është fletorja me listën e ushqimeve veresie që ka marrë i tërë fshati. Partia që e shlyen këtë borxh të fshatit merr 99.99% të votave më 12 tetor. Kemi vetëm një person në fshat që bën të kundërtën e asaj që bën fshati.
Kryetari i hodhi një sy fletores dhe kur pa shifrën në fund, gati i iku gjuha.
-Po kjo dashka tërë fondin e partisë, -belbëzoi.
Pronari solli kafenë pa ujë dhe mori fletoren e trashë.
***
Grupi elektoral i ardhur nga Berati u ndal në qendër të Tërpanit. Xham-xhim, asnjë këmbë njeriu. Nga era e marrë parrulla e famshme “Ta bëjmë Tërpanin si Taxhai” qe bërë zhele-zhele, por sidoqoftë ende valvitej në erë. Te materniteti qe vendosur tabela “Mbledhim lëkurë”. Grupi elektoral vrapoi drejt “mbledhësit të lëkurëve”. Aty u shfaq një plak i imët.
-Çfarë doni?!- foli plaku me egërsi.
-Pse e keni prishur maternitetin? -pyeti një nga anëtarët e grupit.
-E ç’e duam? Kush do pjellë? Më e reja në gjithë komunën është plaka ime, 70 vjeçe.
Grupi elektoral i qau hallin: - Na duhen nja trembëdhjetë kandidatë për këshilltarë dhe një për kryetar, -foli më i vjetri.
-Aha, jeni shumë vonë! Të gjithë banorët janë zënë. Komuna ka nja 500 votues dhe të githë janë kandidatë për këshilltarë dhe kryetarë komune. Ja, le të të bëjmë pakëz arithmetikë, - vazhdoi tregtari i lëkurëve,- Janë regjistruar në komisionin zonal të votimeve deri tani 40 parti. Po t’i shumzosh me nga 13 këshilltarë e kryetarë bëjnë fiks, 520 shpirt. Na falni, po ne jemi vetëm 500. Më 12 tetor, për herë të parë ia arritëm ditës, do të votojmë për veten tonë. Jemi të gjithë kandidatë, kush për kryetar komune, kush për këshilltar.
Kryetar i delegacionit u thartua në fytyrë.
-Do na lini pa gjë?- i foli plakut me gjysëm zëri.
-Vetëm të regjistrojmë gjënë e gjallë!- foli jo pa djallëzi plaku.
***

Berati qe zbukuruar për festë. Ishte fundi i majit. Në sheshin kryesor qenë mbleshur dhjetra e dhjetra njerëz. Pushtetarët lokalë kishin veshur kostumet më të bukur. Banda frymore qe rreshtuar përballë diellit dhe veglat e tunxhit shndritnin.
- Erdhën! Erdhën! - thirri dikush. Turma u tendos. Dirigjenti lëvizi krahët në ajër. Nisi marshi festiv. Pas disa minutash, turma u shtendos. Makinat nuk po dukeshin. Çfarë kishte ndodhur?! Përgjegjësi i ceremonive të Bashkisë vrapoi drejt fundit të shëtitores. Atje pa makinat me targë CD që kishin ndaluar. Përfaqësuesit e trupit diplomatik, të veshur sportiv e me fëmijët kalikiç qenë ulur në barin e lulishtes. Një nga përkthyesit e tyre pyeti përgjegjësin e ceremonive: - Çfarë po ndodh tek sheshi? Ka ardhur ndonjë president apo ndonjë kryeministër i vendeve mike?!
-Jo,- u përgjigj përgjegjësi i ceremonive. Nuk ka ardhur as Presidenti i Italisë, as Kryeministri i Greqisë. Po ju presim juve.
Diplomatët panë njëri-tjetrin të lemerisur .

***

Në Galerinë e Artit qe hapur një ekspozitë pikture. Merrte pjesë Ministrja e Kulturës, zonja Dade. Në koktejl iu afrua Koçua, që kishte hedhur ca gota.
- Gëzuar! Më je kinge, më je !
-Me kë kam nderin të takohem? - pyeti Ministrja paksa e habitur.- Me ndonjë militant të partisë?
-Jo! Ke nderin të takohesh me Koçon, portieri rezervë të Pallatit të Kulturës.

***

Në një prag feste qenë mbledhur krerët lokalë për të ndarë punët që festa të dilte sa më e mirë.
- Unë kam kumtesat - tha njëri
-Unë kam ftesat - tha tjetri.
- Ndërsa unë kam sazet. - tha pushtetari më i shkurtër i Beratit.
- Unë, si gjithmonë kam mëngjezin, drekën, iqindinë dhe darkën, - foli pushtetari më kaba i qarkut të Beratit.

***

Në një takim të partisë opozitare në vitin 1991, hyri në sallën e mbushur plot një burrë i shkurtër, më tepër i gjerë se sa i gjatë. Kërkoi vetëm një minutë qetësi se do të pyeste për diçka. Salla dalëngadalë heshti.
- Më falni, dini gjë se kush i jep ato vërtetime që je demokrat? - pyeti rrampaduci.
E gjithë salla u shkri gazit, ndërsa burri shihte serioz, me sy demi në drejtim të sallës.
Pas dymbëdhjetë vjetësh reportieja e gazetës sonë na njoftoi se vërtetimin që je intelektual i spikatur i qytetit e jep Këshilli i Bashkisë Berat, me propozim të drejtorisë së kulturës në Bashki.
***
Në një anketë të organizuar nga një OJQ që vepron në Berat për “Personin VIP të Media-2003”, në vend të parë qëndron militantja e partisë që u shpreh në prani të mediave në takimin partiak në pallatin e kulturës se: “Nuk duam as të hamë, as të pimë, as të flemë, as të rrimë, as të vishemi, as të zhvishemi, vetëm shoku Nano dhe shoku Meta të mos zihen më.”
Kjo thënie ka pushtuar gjithë median shqiptare si dikur thënia e famshme “Edhe bar do të hamë, po parimet nuk i shkelim!”

***

Kur i thanë një mësuesi dhe krijuesi të njohur në Berat, ish i burgosur politik në diktaturë, se qe nderuar me titullin “Mësues i Popullit”, ai pa më të voglën përshtypje për lajmin që i dhanë u përgjigj : -Keni gabuar miqtë e mi! Unë e kam marrë njëhërë këtë titull aty nga vitet shtatëdhjetë. Gjykatësi në fund të gjyqit u shpreh se unë deklarohem “Armik i Popullit” dhe më pas shqiptoi edhe shpërblimin ... 10 vjet burg.

***

Në takimin që zhvilloi lideri i një partie me intelektualët e qytetit, në një moment egzaltimi të folsit intelektual në foltore, dikush nga fundi i sallës nuk duroi dot e ia dha : Poshtë …!
Miku i tij që i rrinte në krah i vuri dorën tek goja dhe i tha :
-Hesht, mor hajvan! Intelektualët nuk përdorin kurrë, as fjalën poshtë as fjalën rroftë. Sot jemi këtu si intelektualë, jo si militantë!


***
Kryeministri Fatos Nano në vizitën e fundit në Berat shkoi edhe tek fabrika italiane e blankerive në Velabisht. Pas mbledhjes që zhvilloi me biznesmenët në një nga mjediset, në shenjë respekti mikpritësit i falën një pako me prodhime të asaj fabrike.
Kryeministri e refuzoi pakon me mirësjellje duke folur me zë të ulët:
-Po ju e dini që ne jemi çift i ri dhe hëpërhë prodhimet tuaja s’na hyjnë hiç në punë !

***

Ish -prefekti i Beratit Nue Gega, sapo njihej me dikë, e pyeste: “A je i majtë a i djathtë?
Në një drekë zyrtare në hotel “Tomori”, një ndër të ardhurit nga Tirana, arkitekt, po pinte e hante në qejf të tij. Nuja po e pyeste:- “A je i majtë, a i djathtë?”
Arkitekti e vështronte i çuditur pa kuptuar gjë. Kur Nuja e përsëriti disa herë pyetjen, i ardhuri nga Tirana iu drejtua dikujt pranë:- Qafsha momën, i gjo s’po jam t’u kuptu. Çfarë don zotnia?
-Po të pyet ku të ka rënë damllaja në kokë, në të majtë apo në të djathtë.
-Aha, hajt t’gzum, pra! - tha arkitekti dhe ktheu gjysmën e gotës.

***

Koloneli gjerman Hejg që komandonte trupat gjermane gjatë konfliktit të Kosovës më 1999, erdhi në Berat dhe midis takimeve të tjera u takua edhe me një pushtetar të lartë. Kur po bisedohej për disa punë në ndihmë të komunitetit që do të kryenin ushtarët gjermanë, pushtetari i lartë, pa pikën e mirësjelljes, po i jepte urdhëra kolonelit gjerman sikur të ishte duke folur me një kapter të Gjerovenit. Ndonëse Agimi, përkthyesi, po mundohej ta zbuste goxha shqipen në përkthimin gjermanisht, koloneli, Hejg, megjithëse nuk dinte shqip, u fye nga toni i bashkëbiseduesit.
-Çfarë është ky, herr Agim, gomar i zgjedhur apo gomar i emëruar?
-Gomar i emëruar, herr kolonel, - u përgjigj Agimi.

***


Një djalosh i ri u kthye këto ditë në Berat , pas tetë vjetësh qëndrimi në SHBA me familjen e tij. Në Berat po shëtiste me kushëririn e tij të parë nga Skrapari, banues tashmë në Berat. Tek “Babë Duda” i ndalon polici dhe u kërkoi dokumentat. Kur djaloshi i zgjati pasaportën amerikane, polici u hutua dhe me pasaportën blu në dorë e pyeti:
-Nga je ti?
-Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës! - u përgjigj djaloshi me krenari.
-Po ti tjetri nga je? -pyeti djaloshin vendas.
-Nga Shtetet e Bashkuara të Skraparit!- i foli djaloshi duke i zgjatur pasaportën e kuqe.

***

Në mëngjesin e pranverës së vitit 1999, tek porta e kampit gjerman në Urën Vajgurore u paraqitën disa banorë të Bashkisë së kësaj qyteze. Roja gjermane lajmëroi oficerin e rojës dhe aty u paraqit shefi i marrëdhënieve me publikun, një oficer me gradën kapiten.
-Urdhëroni, zotërinj! - u foli kapiteni.
-I thuaj gjermanit, -nisi të fliste më i vjetri prej tyre duke iu drejtuar përkthyesit - se kemi ardhur të ankohemi për kryetarin e Bashkisë që na ka mashtruar.
Përkthyesi përktheu disi me përtesë. Kapiteni u skuq i tëri dhe foli jo pa ironi:
-Ne kemi ardhur këtu, thjesht për ndihmë. Ka një keqkuptim të madh, zotërinj. Përkthyesi, duke parë sytë e tyre të ngulur plot shpresë tek kapiteni gjerman, u foli: -Ikni dhe mos u dukni më për këtë problem. Morët vesh?

***
Në një nga dyqanet e ushqimeve hyri kryeredaktori ynë për të blerë ushqime Varur në mur pa një fletore të trashë, mbushur plot me emra të banorëve të lagjes së tij.
-Paskan dalë listat e zgjedhësve? - iu drejtua shitëses.
-Për çfarë lista zgjedhjesh e ke fjalën? - pyeti shitësja e habitur.
-Ja për këtë fletoren e trashë, mbushur plot me emra të banorëve të lagjes sonë.
Shitësja buzëqeshi dhe i shpjegoi:
-Jo, more zotëri i nderuar, nuk janë listat e zgjedhësve, janë listat e banorëve të lagjes sonë që kanë marrë ushqime me listë.

***

Dy të huaj që erdhën në Berat, u vendosën në hotel “Tomori”. Në mbrëmje dolën në ballkonin e hotelit dhe po kundronin qytetin. Kur hodhën sytë në bulevardin kryesor, u habitën nga lumi i njerëzve që vërshonte aty.
-Pse thuhet se shqiptarët nuk protestojnë? Pa shiko sa shumë njerëz kanë dalë në këtë protestë, -tha njëri prej tyre.
-Jo vetëm kaq, por protestokan mjaft qetë. Krejt si te ne.
-Pa shih, pa shih! Qenka një protestë mjaft serioze. Të gjithë kanë veshur rroba të mira.
Kamarieri që po u servirte kafetë qeshi.
-Nuk është protestë, zotërinj. Është thjesht shëtitja e pasdites. Na ka ngelur si zakon nga koha e kaluar që të shëtisim në rresht.

***
Tek Ura e Kuçit turma e njerëzve mezi po priste të vinin të deleguarit nga Tirana. Në krye të tyre qëndronte flamurtari kryesor. Ai udhëhiqte karvanin e veturave me flamuj të partisë, tollombace e plot lajle e lule të tjera festive. Matanë urës u dëgjua uturima e një veture. Një benz i madh i zi e futi turirin në urë. Të gjithë u derdhën drejt urës. Sa kaloi urën makina e zezë, ndaloi. Politikani doli nga makina i qeshur duke përshëndetur me dorë.
Një nga pritësit u derdh tërë entuziasëm drejt tij dhe e përqafoi fort ... fort ...
Pastaj thirri me një zë bas që ta dëgjonin edhe fshatarët rreth e rrotull:
-Mirserdhe, o shoku Fatos!
-Jam Rexhepi, nuk jam shoku Fatos!- ia ktheu i sapoardhuri.
-Je Rexhep s’je Fatos, pesëmijëlekëshi u palos! - foli pritësi.

***

Të gjithë kalimtarët mbanin paksa këmbët dhe vështronin gjithë çudi një burrë që jepte e merrte me platformën bosh, ku dikur ngrihej monumenti i diktatorit Stalin. Bënte ca lëvizje të ngathta sikur përkëdhelte erën. Dilte anash, para, prapa. Bënte dy hapa, ulej, ngrihej. Fliste me zë të ulët me dikë që të tjerët nuk e shihnin. Herë pas here fshinte një lot të madh që i rrokullisej tatëpjetë faqes.
“Zot i madh, Zot i madh!” , pëshpërit Mimi duke bërë kryq.
“Të ... të bëj Mimi një pyetje?”- iu drejtua reporteres së gazetë sonë që rastësisht po kalonte andej . “ E njeh atë burrin atje?”.
“Është Sulua i “Shekullit”, i tha reporterja jonë. “ Që kur shpëtoi kot nga ai monstra i Bistrovicës e përfytyron veten të derdhur në bronx në vend të Stalinit, si martir i fjalës së lirë”.
“Jezu Krisht, na mbro!”, u lut Mimi duke bërë kryq.

***

Trajneri i njohur i boksit në Berat, zoti Bujar Orizaj çdo ditë herët në mëngjes del tek agjensia e autobuzave të linjave të largëta dhe të afërta. Në dorë mban një çantë sportive dhe një aparat fotografik digital.
-Për ku je sot, Bujar” -e pyeti një tifoz i çmendur boksi.
-Oh, sot ke shansin për të parë ndeshjen më të madhe të vitit. Do t’ia kalojë edhe ndeshjes së Vlorës. Ndaj merr me vete ca lekë për autobuzin dhe bukë si zakonisht me domate pa djathë- ia ktheu ish boksieri i shquar.
-Po ti ku e ke bukën me domate?
-Unë jam me dietë nga klubi shumësportësh i Beratit iu përgjigj traineri.- Jam në kërkim e zbulim të talenteve të reja në boks për të plotësuar tërë peshat e klubit “Tomori”,
-Ku do vemë sot, mjeshtër? -pyeti tifozi.
-Sot zgjidhet kandidati për kryetar komune në Poshnje nga PS e PAA. Do të ketë një rrahje spektakolare dhe 1-2 talente për klubin tonë në sportin e boksit - ia ktheu Bujari.

***
Në mbledhjen e fundit të Veteranëve të Luftës, do të zgjidhej kryetari i organizatës-bazë, të veteranëve të një lagjeje. U propozuan dy kandidatura, Luli dhe Trimi. Luli u propozua si stërnip i njërit prej rrëmbyesve të shaptilografit aty nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Falë atij guximi të treguar nga stërgjyshi i takonte Lulit të drejtonte organizatën e Veteranëve të Luftës. Mirëpo Trimi, duke u prezantuar si kandidat, i la pa gojë Veteranët e pranishëm:
-Mendoj se më takon mua të jem kryetari i Veteranëve të Luftës. Luli është stërnip i njërit prej rrëmbyesve të shaptilografit. Mirë, por kam frikë se historia është ujdisur rrugës. Si ka mundësi që stërgjyshi i Lulit të rrëmbejë?
Për këngë e raki mejhaneve po, e besoj, por për rrëmbim?! Me siguri që ka qenë stërgjyshi im, a i vrarë. Ne e kemi për fis atë punë. Tjetra dhe më kryesorja është se flitet për stërgjyshin e Lulit që paska vjedhur një makinë shkrimi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ta zemë se është e vërtetë. Pa i hidhni një sy ditëve tona, mor luftëtarë e stërnip luftëtarësh! A nuk mora pjesë unë në djegien e Bashksië, Gjykatës, Prokurorisë, Degës? A mund të krahasohet një shaptilograf a maqinë shkrimi me ato që i vodhëm ne regjimit të Berishës?! Mos doni të vëmë një pllakë aty në hyrje të qytetit ? Ja se ç’do të shkruaj: “Ky qytet u vodh, u dogj, u shkatërrua i tëri më 1997, duke u çliruar nga regjimi i Berishës”.
Po nga kush do të pyesni juve?
-Të gjithë duartrokitën fort Trimin. Nuk kishte nevojë më për votim. Ai u zgjodh kryetari i Vetreranëve të Luftës.

***

Një burrë i qetë, pasi kishte hedhur nja shtatë dopio raki sheqeri, u ngrit në mes të klubit dhe po bërtiste:
-Poshtë piramidat! Poshtë Sudja! Rroftë Farudin Arapi! Lavdi Komisionit Hetimor!
Kalimtarët ndalën këmbët dhe u drejtuan për në klub, po s’qe nevoja të futeshin brenda. Te dera u shfaq një burrë me shishen e rakisë në dorë. Pas e ndiqte kamarieri me masën e rakisë prej alumini.
-Doli piramidë! Poshtë Piramidat!
-Kushedi sa lekë ka humbur, i gjori,- po thoshte një kalimtare bjonde,- Këtyre burrave vetëm tek paratë iu rri mendja.
-Ik moj dreq, i foli një djalosh muskuloz,- s’guxon njeriu të pijë një gotë raki e të shfrejë një dert, se mbildhet tërë populli. Kur i thërret për miting s’të vjen asnjë.
-Por çfarë derti ka zotëria?- e ngacmoi sërish bjondja.
-Ka dert e det bashkë, moj vogëlushe. Ku nuk shkoi, kë nuk takoi, kujt nuk i telefonoi. Kaloi tërë ato votime, kaloi tërë ato prita, kaloi tërë ato sita. Dhe arriti në krye. Kur fap! Sa hap e mbyll sytë me një të rënë të kalemit u zgjodh kandidat një tjetër me urdhër nga lart dhe me duartrokitje nga poshtë.
- Qe piramidë! Poshtë piramida! Poshtë Rrapush Xhaferri!- bërtiste ish-kandidati për kryetar bashkie.

***

Një bukinist po mblidhte firmat për të vendosur kandidaturën për kryetar bashkie, si i pavarur. Kur i hyn në librari një mik i tij, bukinisti i zgjat një listë të trashë për të shkruar emrin, mbiemrin dhe firmën, në mbështetje të kandidaturës së tij sipas ligjit. Miku i hodhi një sy listës për kuriozitet, para se të shkruante emrin dhe të firmoste.
- “ Kush i ka mbetur ende mik, vallë? ”-mendonte dhe hapi faqen e parë:
Homeri, Eskili, Dante Aligieri, Miguel Servantes, Uiliam Shekspir, Faik Konica, Gjergj Fishta, Migjeni, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ylljet Aliçka.
-Ku do ta vendosësh kandidaturën?- e pyeti bukinistin, miku. Në Paris? Në Firence? Në Madrid? Në Londër? Në Shkodër apo në Tiranë? Me këta mbështetës që ke ti e ke të fituar kolltukun e kryetarit të Bashkisë në çdo qytet a kryeqytet të botës.
Bukinisti po e shikonte i habitur mikun e tij të vjetër.
-Po tallesh? -iu drejtua- Ndërsa unë e kam seriozisht.
-Jo nuk po tallem, por unë nuk jam në një sërë me këta të listës për të vënë firmën aty.
-Bjere, ore dreq, listën e inventarit të librarisë- iu drejtua kandidati dhe i zgjati listën e mbështetësve.

***
Në një nga lagjet e qytetit të Beratit delegacioni i vogël i një partie u ndal në klubin e lagjes dhe nisi të bisedojë me banorët për rëndësinë e pushtetit vendor, për pjesmarrjen e çdo qytetari në votime dhe votimin me mendje të kthjellët.
- Po ky banon apo s’banon në këtë qytet?-pyeti një nga banorët tjetrin. Nuk e di ky trimi se votat këtu ka kohë që janë shitur?!
- Po mbase ka ende ndonjë që se ka shitur akoma,- foli tjetri.
- Asnjë! Të fundit e bleu një dreq partie që ka kohë që egziston vetëm në letër.
Ndërsa tjetri fliste e fliste për Shqipërinë në Europë dhe Europën më pranë Shqipërisë, një nga banorët u çua në këmbë:
- Me leje? Zotëria juaj nga ç’rrugë erdhët? Ne kemi varur edhe një copë lajmërim… aty në hyrje të lagjes. Votat janë dhënë.
Folësi u habit dhe nisi të vështronte rreth e rrotull.
- Si janë dhënë?! Nuk po kuptoj asgjë. Votimet bëhen pas një jave!
- Qënke prapa botës, zotrote! Kanë ardhur menazherët që para një muaji dhe janë kopsitur gjërat, kanë dhënë edhe kapar, ndaj mos u lodh kot me teorira.

***

Dy mësues me rastin e një mujorit të fillimit të vitit të ri shkollor dhe me rastin e lajmit shumë të gëzuar se rroga do të rritet 8%, u futën në një klub dhe porositën një shishe plot me vodkë. Nisën ta pinin thatë siç e kishin pirë tërë jetën. Kur kishin arritur te fundi i shishes, nisën të grinden me njëri tjetrin. Të pranishmit, të papunë kronikë, duruan sa duruan sherrin e tyre me zë të lartë, lajmëruan pronarin e lokalit.
- Si e keni hallin? Pse po ziheni si dy karrocierë?
Njëri nga mësuesit iu drejtua pronarit të lokalit, një hajduti të njohur në kohën e socializmit: - Bos, ti na e zgjidh sherrin. Ka një orë që i them se ne mësuesit jemi ende të vetmet qënie shoqërore në këtë vend, ndërsa ky më kundërshton. Zotëria jote, si njeri që i ke bërë ballë me sukses socializmit dhe kapitalizmit, na e zgjidh këtë çështje. Hë, kam a s’kam të drejtë?
- Deri diku, po,- u përgjigj bosi,- mësuesi është me të vërtetë një qen, një qen shoqëror në shoqërinë tonë demokratike.

***
Ne oborrin e selisë së një partie në mbrëmjen e ditës së dielë më 12 tetor u mblodhen aq shumë njerëz, sa nuk qenë mbledhur kurrë gjatë ditëve të fushatës. Zyrtari i lartë i partisë po i vështronte me kujdes: qenë lloj-lloj njerëzish, të moshave dhe profesioneve të ndryshme, zyrtarë të djeshëm dhe të sotëm, të papunë, shtëpiakë, militantë të dikurshëm, që e kishin harruar prej kohësh derën e selisë së partisë, biznesmenë të mesëm dhe të vegjël që kishin financuar partinë kundërshtare në këtë fushatë dhe s’kishin sjellë as një tollon nafte në këtë parti, ish policë të shkarkuar për shkaqe politike, drejtorë që e mbanin vendin e punës duke u hequr para partisë në pushtet si të depolitizuar e teknicienë për të cilët atdheu ka nevojë, njerëz që e mbajnë veten si përfaqësues të shoqërisë civile, ish- spiunë dhe kryetarë të sindikatave dhe përfaqësues të organizatave të masave, apo rripave të transmesionit, siç i quante partia e dikurshme.
Zyrtari i lartë i partisë kishte bërë një eksperiment të vogël: I kishte pëshpëritur ish tellallit të dikurshëm se partia po fitonte dhe ky i fundit pas gjysmë ore, falë profesionit të tij të vjetër, e kishtë sjellë gjithë qytetin para selisë së partisë.
- U thuaj debilëve se kemi humbur! Mos të humbin kohën kot!- i foli zyrtari i lartë tellallit.
Pas shtatë minutash para selisë nuk mbeti asnjë këmbë njeriu.Qenë zhvendosur para selisë së partisë tjetër, kishin nxjerrë flamurin e saj dhe tundnin fort, fort, fort.


***
Para pallatit të kulturës qenë mbledhur disa burra e gra, aktorë dhe këngëtarë. Biseda vërtitej për shtatë palë qejfe për pushimet e verës, për pushimet e vjeshtës, për pushimet e dimrit, për pushimet e pranverës. Seicili tregonte diçka të përjetuar gjatë këtyre pushimeve disavjeçare. Herë – herë hidhnin sytë edhe nga godina e pallatit të kulturës, e rikonstruktuar kohët e fundit.
Ndërsa po shmalleshin me njeri tjetrin, në bulevard u shfaq një burrë me xhup të gjelbër dhe syze të errta. Ai u afrua pranë grupit dhe pyeti se ku ndodhej qendra kulturore e Beratit. Kur ia treguan, ai u step për një çast dhe u afrua te grupi.Të gjithë njohën aktorin T, mjaft i talentuar në fillimet e tij në estradën e Beratit. Ai i përqafoi të gjithë, disi i hutuar dhe u ndal te një mesoburrë.
“Po ju kush jeni?”- pyeti.
“Nuk po më njihni?! Jam …, - tha aktori tjetër,-Vërtetë më keni harruar? Po ju s’keni qënë as jashtë shtetit, djalli e mori, si mund të më harroni kështu?”
“Po sa kohë po bëjmë që s’jemi parë?”- pyeti burri me xhup të gjelbër.
Tjetri u mendua gjatë dhe më në fund u kujtua:“Fiks 8 vjet. Ti edhe rrogën nuk ke ardhur ta marrësh vetë.Për të fundit herë jemi parë në skenën e teatrit më 1996, kur luanim bashkë te ajo komedia e Dario Fo-së.”
***
Një punonjës biblioteke, ndërsa po gërmonte në skedar, i zuri syri emrin e njërit prej funksionarëve më të lartë të qytetit. Qe një kartelë e vjetër e shumë viteve më parë. Emri i zyrtarit qe shkruar me një shkrim mjaft të qartë. Më poshtë qenë shënuar titujt e librave të lexuar nga zyrtari, kur ai kishte qënë pionier. Bibliotekari u shtang kur lexoi:
1. Si u kalit çeliku
2. Garda e re
3. Biri i popullit Lej Fen
4.Citate të shokut Mao Ce Dun
5. Filizat e kuq etj. etj libra të këtij lloji. Aty qe bërë një shënim ku njoftohej se pionieri x kishte fituar titullin “Mik i librit”
Nga kurioziteti bibliotekari ynë kërkoi të gjitha kartelat e zyrtarit dhe u pataks kur lexoi librat që zyrtari kishte lexuar në rininë e tij. Truri i tij qe shplarë krejt.Librin e fundit e kishte tërhequr në prill 1985. Më pas nuk figuronte asgjëkundi.
“ Dhe ne themi pse flet marrëzira! Me këtë ushqim ka marrë ky, nuk është çudi, ndonjë ditë do t’na nxjerrë nga goja fishekzjarrë të kuq .”-mendoi biliotekari.

* * *

Në butikun luksoz në qëndër të qytetit u fut një burrë, jo pak i njohur në qytet. Pronari u ngrit në këmbë sapo hyri klienti i shquar dhe e ftoi:
- Urdhëro, shoku…, urdhëro!
- Mirdita!- e përshëndeti disi indiferent burri.
I erdhi rrotull butikut dhe u ndal te kostumet e burrave, të gjtha firmato.
- Mjeshtër! Jam duke parë për një kostum disi cermonial, po … kam merak që të mos e ketë tjetër njeri një të dytë. Nëse ke marrë ndonjë tek, do të më interesonte mjaft.
Pronari shkoi në thellësi të butikut, ku drita mekej dhe solli një kostum të errët, mjaft elegant.
- Ja, ky është tek! Është ca i shtrenjtë, po ia vlen.-dhe ia zgjati kostumin klientit. Ky, pasi e kundroi për disa minuta, shkoi ta provonte. Kur doli shkëlqente nga kënaqësia. Pagoi shpejt e shpejt dhe u largua.
Pronari futi të hollat në arkë dhe vuri buzën në gaz.
“ Do jetë gallatë e madhe-mendoi, - kur të shfaqen të katër në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtën sallë, me të njëjtin kostum, kandidatë për të njëjtin post.”

* * *
Nëpër shkollat e Beratit, në kuadrin e ndryshimeve administrative që do të bëhen, ku do të formohen drejtori arsimore për bashkinë, drejtori arsimore për qarkun, u dha njoftimi se kush dëshiron nga mësuesit për të konkuruar për postin e drejtorit të arsimit në Bashki dhe të drejtorit në Qark, mund të tërheqë dokumentat në drejtorinë e shkollës dhe të aplikojë.
“Kjo është një shaka e vogël,tha një nga mësuesit, një nga shakatë e Ministrisë sonë të Shakave.” dhe tregoi këtë histori: “ Në selinë e avokatëve të Milanos erdhi një letër ku shkruhej: “Avokatit më budallë të qytetit” dhe më poshtë qe shkruar se letra do të merrej në prani të të gjithë avokatëve të qytetit. Letra qëndroi gjatë, deri në çastin kur u kthye nga pushimet njëri prej avokatëve. Ai njoftoi të gjithë kolegët se ajo letër i qe drejtuar pikërisht atij. Në prani të të gjithë kolegëve dhe buzëqeshjeve të tyre ironike e hapi letrën dhe … gjeti brenda 20 mijë dollarë me një shënim të cilin ai e lexoi me zë: “Nuk je aq budallë sa kujton.” Mirpo shaka të tilla bëhën në Milano, jo këtu te ne, përfundoi tregimin mësuesi.

***
Edi Rama u shfaq në Berat këtë fundjavë për të marrë pjesë në pleniumin e Beratit. E gjithë dita i shkoi ters. Te dera e pallatit të kulturës e priti një militant sa një e dyta e tij, me syze dhe mjekërr, krejt si shefi i madh.
“Zot i madh, foli me zë të ulët Edi, ky bir kurve qënka në mijra kopje.”
Te dera u përball me një antimiting të vullnetarëve të përjetshëm. Ata bërtisnin brenda mundësisë së tyre të kufizuar emrin e shefit të madh. Edhe në sallë ndeshi në një mjedis aspak miqësor.
“C’ mut desha që erdha këtu?!”, mendoi, teksa shihte stërmundimin e dhimbshëm të atyre pleqve. “Tirana, po!”, mendoi.
Iu kujtua Haxhi Qamili dhe thënia e tij e famshme, të cilën e kishte për zemër: “Sa të kem Kavajën dhe Shijakun nuk pjerdh për Francën.”
Nisi të mbante fjalimin më kinez që mund të mbahej.
“Unë, Edi po flas këto marrëzira?!”, mendonte ndërsa mbushte ajrin e sallës me shprehje që do të çuditnin edhe Lej Fenin, “Të … partinë”, tha me zë të ulët, teksa po ulej.
Vetëm një punonjës i shtëpisë së pionierit e duartrokiste i mahnitur.

* * *

Shoqëruesi i një grupi turistësh shëtiti të gjithë qytetin turistik së bashku me grupin e të huajve. Nuk lanë asnjë monument kulture, muze, shtëpi karakteristike pa vizituar. Të huajt e pyesnin herë pas here dhe ai me pasion u tregonte gjithëçka që dinte, jo pa një krenari të fshehur për qytetin e tij të lindjes, Beratin. Shkrepjet e aparateve nuk pushuan për asnjë çast. Turistët u kthyen disa herë te kodaku për të blerë filma.
Kur po zbrisnin nga rrugica e kishës së Goricës, u përballën me pazarin që gëlonte në të dy anët e rrugës, përgjatë lumit. Fruta që tregtoheshin drejt e nga balta, prodhime qumështi, mish, perime e pije që shijoheshin qetësisht nga re mizash e mushkonjash. Turistët shkrepën mbi treg bataretë e fundit të aparateve.
“ Dhe nga erdhën banorët pas zhdukjes së qytetërimit?” – pyeti një nga turistët përkthyesin.
“Më falni?!”- shqiptoi disi i hutuar përkthyesi,- “për çfarë qytetërimi të zhdukur e keni fjalën?”
“Për atë qytetërimin që krijoi këto vlera unikale,”- foli i huaj.
“Jo, zotëri! Qytetërimi nuk është ndërprerë për asnjë çast.”- ia ktheu përkthyesi.
“Nuk është e mundur, nuk është e mundur! Ky treg, këta njerëz që shesin e blejnë, këta që administrojnë qytetin të jenë pasardhësit e atyre që krijuan këto vlera… nuk është e mundur…”
Përkthyesi harroi edhe shqipen. Tundte kokën si i zënë në faj.

***
Një fshtar i rrëzës së Shpiragut po i ankohej një fshatari të një zone tjetër se mbi fshatin e tij nuk mbante mend të kishte kaluar ndonjë zog. Dhe jo vetëm mbi fshatin e tij, por në krejt rrëzën e Shpiragut.
- Të paktën të fluturonte një skifter!- qahej shpiragasi.
- As që ka për të fluturuar ndonjëherë!- i foli me siguri tjetri. Sa për arsyen, po ta shpjegoj tani. Një komshia im ka një kopsht të bukur dhe qershijat e tij i pëlqejnë të gjithë, por ia mbaruan zogjtë.Nuk la gjë pa provuar. Ndërtoi lloj-lloj dordolecësh por… hiç.
Një ditë, i mërzitur, nxorri nga sënduku fotografinë e komandantit legjendar dhe po e pastronte nga pluhuri në dritën e diellit. Që atë çast dy harabelë u ulën mbi sofat dhe lëshuan dy kokrrat e qershive të sapovjedhura. Komshia e vendosi fotografinë e komandantit të pavdekshëm në trung të lisit dhe nuk pipëtin më krahë zogu jo më në kopshtin e tij, por as në fshat. Tani besoj, e kupton pse nuk fluturon as skifteri mbi fshatin tënd.
Nëse jo, hidhi një sy malit e vështro.

***

Një përfaqësues i një ambasade të një vendi të BE-së ndaloi në Berat javën e kaluar dhe në tavolinën e shtruar po bisedonte me zyrtarët e lartë të qytetit për problemet e integrimit të Shqipërisë në Europë. I bëri përshtypje njëri prej tyre që fliste e fliste pa pushim e me mjaft admirim për Europën dhe për vendin mik që përfaqësonte i huaji, të cilin e kishte vizituar nja 30 herë gjatë tre viteve mandat. Përkthyesi nuk pati mundësi të pinte as edhe një gllënkë birre, sepse qe i detyruar të përkthente ligjiratën e gjatë të zyrtarit të lartë. Të huajit i pëlqeu sidomos qartësia me të cilën i trajtonte problemet e integrimeve zyrtari lokal.
- Zotëria pa dyshim ka qënë një disident i regjimit të kaluar, qoftë edhe në heshtje,- pyeti përkthyesin diplomati.
Përkthyesi buzëqeshi disi me zor dhe shtoi : -Ndoshta, po thellë- thellë te vetja. Se, në fakt për një kohë të gjatë ka qënë sekretar i komitetit të Partisë së Punës, deri sa erdhi ky i uruar pluralizëm.


***


Një mësues i rreptë gjimnazi po i fliste me ton një nxënësi që vinte në klasë pa libra:
-Për çfarë dreqin vjen në shkollë? As libra as fletore?!
Nxënësi nuk iu përgjigj. Të nesërmen kishin sërish mësim me të njëjtin mësues. Mësuesi hyri në klasë me një fletore, të cilën e përdorte si regjistër. Nga që në klasë nuk kishtë asnjë karrigë, qëndroi para tabelës së zezë. Hapi ngadalë fletoren dhe nisi të bënte apelin.
Kur shqiptoi emrin e nxënësit pa asnjë libër, mësuesi tha:
- Edhe sot me duar në xhepa ke ardhur?
- Sot jemi të barabartë, profesor. Edhe unë e kam marrë fletoren.
Nga xhepi nxorri një fletore të ngjashme me atë të mësuesit, me një qen bulldog të përgjumur në kopertinë.

***

Njëri nga deputetët socialistë, që ka shkruar se në Berat mungon opozita dhe barra e të bërit opozitë i kishte rënë atij dhe miqve të tij socialistë, aq për zemër e mori të bërit opozitë, sa që harroi të luante edhe një pjesë të rolit të pozitarit. Sa herë që qeveria kishte nevojë për votën e tij, ai votonte kundër. Të gjithë ata, që e quajtën një shaka të vogël deputeti të bërit opozitë nga deputeti ynë, e panë me qortim qëndrimin e tyre mosbesues të dikurshëm dhe nisën të admironin deputetin që po ua lehtësonte punën e të bërit opozitë deri ditën… kur familja socialiste e la jashtë sofrës së kongresit, ku morën pjesë edhe barinj rozë. Deputeti e kuptoi se shakaja qe me zarar të madh, ndaj drejt e te Shefi i Madh:
“Falmë, Shef i Madh i plotfuqishëm! Jo Markon, po edhe Malkon të sjellësh në parlament për ministër, unë do ta votoj pro!”
“Je i falur dhe i gjithëpërfshirë!”- i foli Shefi i Madh.

***

Këto ditë u hap dyqani i vodafonit në Berat. Të gjithë pytën pse u hap aty pranë Bashkisë, kur mund të hapej diku në qendër të Beratit, në lokale më luksoze. Shpjegimin më bindës e dha një shitës kioske pranë dyqanit të ri të Vodafonit: “Dyqani u hap pranë kioskës sime për faktin se Vodafoni e çel dyqanin në pikën ku shiten më tepër prodhime të tij dhe është fakt se kioska ime arriti të shistë një numër rekord kartash vodafon ditën që u bë konstituimi i këshillit bashkiak dhe zgjedhja e këshilltarëve për Qarkun. Kam shitur plot 350 karta vodafoni 1000 lekëshe dhe 50 copë 2000 lekëshe. Këshilltarët merrnin njeri tjetrin: Ata të PS merrnin të PD. Kërkonin pushim 15 minuta dhe futeshin ku të mundeshin dhe: Cërrrrrrrrrrr telefoni!
Njëri nga këshilltarët kishte me vetë 5 celularë dhe u përgjigjej njëherësh të pestëve duke u komunikuar se si të vepronin më tej. Ky harxhoi edhe numrin më të madh të kartave, plot 20! Rezultatet dihen : dikush u bë këshilltar, unë bëra ca para dhe vodafoni çeli këtë dyqan.”

* * *


Këto ditë, kur tarifa e telefonave shkoi në qiell një familje e madhe e qytetit organizoi një takim ku u fol për mënyrën e re të komunikimit. Të pestë djemtë, të pesta nuset dhe dhjetra nipër e mbesa, dëgjonin me vëmëndje babanë dhe gjyshin e tyre, teksa ky po përcaktonte shenjat: “Kur të bierë një zile, do të thotë se jemi mirë e mos u shqetësoni. Kur të bien dy zile do të thotë se kemi mall, ndaj kthehuni nga ne pleqtë.
Ndërsa kur të bien tre zile ose unë ose plaka s’jemi mirë dhe kemi nevojë për ju. Po ranë katër zile… aha…”
“Po unë që dua të flas me të fejuarin tim?” pyeti Ela gjyshin.
“Bëj të ditur atij bandillit tënd se kur i bie një zile do të thotë se e do. Po t’i bien dy zile e do shumë e kështu me radhë…”
“Po unë që s’ia kam thënë akoma, gjysh?” i foli Ana.
“Ti do ta lësh ta thotë ai, shpirti i gjyshit”, përfundoi porositë gjyshi.

***
Nje makinë luksoze ndaloi në qendër të qytetit. Zbritën dy burra të veshur hijshëm që po flisnin në gjuhë të huaj. Njeri prej tyre iu drejtua kalimtarit më të afërm dhe e pyeti se ku ishte Qarku. Kalimtari ia tregoi dhe dy burrat u drejtuan nga ndërtesa pranë. Aty takuan nëpunësin e shërbimit dhe i kërkuan ndihmë për të gjetur personin për të cilin kishin ardhur nga larg. Nëpunësi i habitur nuk po e kapte dot fillin dhe kërkoi ndihmë tek zyra e mardhënieve me jashtë. Aty, një punonjës i shkathët brenda pak sekondave e mori vesh arsyen e udhëtimit të tyre. Hapi zyrën e tij dhe e vendosi videokasetën në regjistrator. U shfaqën mjediset e pallatit të kongreseve dhe një person me mikrofon në dorë. Pastaj një tufë “kongresmenësh” dhe më në fund kamera fokusoi njërin prej tyre. Një burrë i gjatë që po jepte intervistë dhe … ky ishte çasti fatlum për firmën e famshme të Orbitit: Një dorë që zgjatet para kameras me një orbit mbërthyer në dy gishta dhe “kongresmeni” që pavarësisht se po jepte intervistë , pavarësisht se qe para kameras, pavarësisht se u njoftua se lidhja qe direkte, zgjat kokën drejt orbitit, edhe pse dora ulej, ai ul kokën, zgjat buzët drejt orbitit, edhe pse drejt e nga dora… e një njeriu të panjohur.
“E kuptoni apo jo?”, fliste në anglisht drejtuesi i kompanisë së Orbitit për Shqipërinë, “vetëm një tërheqje e madhe bën që të dalësh mbi të gjithë skrupujt dhe të ulësh kokën si cjapi drejt dorës së bariut dhe kjo tërheqje është padyshim cilësia e orbitit tonë. Me këtë reklamë të shfaqur në gjithë globin kompania jonë ka dhjetëfishuar shitjet. Kam ardhur për t’i dorëzuar një çek në dorë kongresmenit, që qyteti juaj ka fatin e madh ta ketë banor.”
Punonjësi që e njihte anglishten, u mek nga të qeshurit duke shkelur çdo etiketë. Të tre burrat u drejtuan nga ndërmarrja ku punonte “kongresmeni” fatlumë.

***

Pas odisesë së madhe të seleksionimit të mësuesve më të mirë të Qarkut erdhi dita e madhe për arsimin, përcaktimi me konkurs i drejtuesve të drejtorive. Në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës (hajde shkencë, hajde që bëhet në Zululandin tonë) u zhvillua seleksioni përfundimtar nëpërmjet konkurentëve të shumtë, që e marrin seriozisht çdo shaka që buron nga lart. U përzgjodhën më në fund dy kandidatura : drejtori i arsimit të Kuçovës dhe drejtori i arsimit të Beratit. Këto qenë kandidaturat fituese për Qarkun e Beratit që mbahet si qarku me arsimin më të zhvilluar në vend.
Me të marrë vesh këtë fakt, shefi i kuadrit i ministrisë i bëri kërkesë Ministrit per rritje rroge, mundësisht dyfishim të saj për merita të veçanta në përzgjedhjen e kuadrove të aftë dhe kishte të drejtë: atë që sitat e imta të ministrisë e bënë gjatë katër muajve për përcaktimin e më të mirëve, ai e kishte realizuar me një të rënë të lapsit, kur kishte emëruar para disa vitesh pikërisht këta dy drejtorë.

***


Gjatë një vizite që bëri kohët e fundit në qytetin e Beratit një gazetar hollandez, pasi shkoi në lagjet muze, shëtiti në pothuajse në gjithë rrugët e qytetit. Ndalonte para vitrinave të dyqaneve dhe lexonte shënimin: shitet ose jepet me qira. Pasi ia përktheu miku i tij shqiptar shënimet, ai nisi t’i lexonte vetë pa asnjë gabim në shqiptim: shitet-jepet me qira. Ky shënim gjendej pothuajse në çdo dyqan apo lokal shërbimi. I habitur dhe jo pa ironi gazetari i huaj iu drejtua kolegut shqiptar : “Pse nuk vendosin më mirë një tabelë të madhe në hyrje dhe në dalje të qytetit : ky qytet shitet ose ky qytet jepet me qira.”

***


Javën e kaluar erdhi në Berat gazetarja Rudina Xhunga, e njohur si gazetare e partiakes "Zëri i Popullit" e më vonë për organizimin e emisioneve "Dritare" te Televizioni Shtetëror dhe "Shqip" te Top- Channel.
Rudina Xhunga bashkë me botuesin e saj Tafa, shpallën se romani i saj, botuar kohët e fundit, është romani më i shitur në hapsirën mbarëshqiptare: deri tani romani është ribotuar 5 herë!? Mijra e mijra shqiptarë janë duke lexuar dhe rilexuar këtë "kryevepër" të letërsisë. Një nga të paktit njohës të letërsisë në këtë takim, i cili kishte ardhur thjesht për politesë, pyeti: "Më falni, po ku qëndron sekreti i suksesit të librit, se nga sa lexova…"
Flakë për flakë iu përgjigj Xhunga: " Vlerësimin e bën populli. Përderisa populli e pëlqen, e lexon…"
…Arti buron nga populli dhe i takon popullit. Atë që kërkon partia bën populli, atë që do populli bën partia. Unë vij nga populli. Nga populli, për popullin, te populli. Rropatemi për të mirën e popullit. E ndjen populli. O popull!Të na rrosh për të mirën e popullit! Zëri i të gjithë popullit.
Burri u ul me një buzëqeshje ironike në fytyrë.
Pas promovimit të librit organizatorët nuk u larguan. Gazetarja Rudina Xhunga u tha të hartonin urgjent një listë me pjesmarrësit e këtij takimi. Do t'ia kthenin vizitën te Top- Channel, në një emision për kulturën e Beratit, se nderi kërkon nderin. Do të shkonin me autobus si dikur, kur shkonin në kongres.
"Ejani siç jeni këtu, të gjithë, me përjashtim të atij zotërisë që foli nga fundi. Ai nuk besoj se ka ndonjë gjë interesante për të thënë. Dukej…"
Një buzëqeshje prej populli vizatohej në fytyrën e organizatorit Kadri Kuka.

***

Galeria e Artit "Edward Lear" llamburiti nga dritat të enjten në mbrëmje, në datën 15.04.2004. Te hyrja e saj një grup vajzash me kostum kombëtar mbanin në duar lulet shumëngjyrëshe, tubuar nga Tomi. Binin në sy lulet e verdha. Fiks në orën 19, u shfaq nën Mangalem vargu i makinave, me flamurin kinez. Kishte ardhur vetë ambasadori kinez në Tiranë. Zyrtarët e lartë të Bashkisë po e prisnin të veshur me kostume doku nga ai i kombinatit "Mao Ce Dun", në Berat. Nja dy prej tyre kishin gjetur në fund të sëndukut edhe ca stema me portretin e Maos dhe i kishin vendosur në thile të xhaketës. Veteranët kishin veshur krahas kostumit të dokut edhe kasketat tipike të revolucionit kulturor kinez. Disa nga ata mbanin parrulla ku shkruheshin citate nga kryetari Mao : "Mos prish të mbjellat, mos u bjerë më qafë femrave!", "Nuk e bën folenë merimanga në vrimën e çelësit" . Punonjësi i shtëpisë së pionerëve bëri një shenjë dhe grupi i pionerëve ia dha me zë të lartë: "Kina - Shqipëria, bashkë po marshojnë, popujt njeri tjetrit, dorën i shtërngojnë." Pastaj vetë punonjësi ia thirri : Kina popullore, Kina popullore!
Grupi i shtëpisë së kulturës nisi të këndontë : "Shokë foli Mao Ce Duni, kush pordhi andej nga fundi"
Lej Feni, punonjës i ambasadës kineze, i dorëzoi nënkrytarit të Bashkisë një bulon që e kishte gjetur në Urën Vajgurore.
"Ky hajvani ende nuk e ka lënë këtë zakon !" - tha nënkrytari dhe ia dha bulonin drejtorit të kulturës: "Mbaje, se të duhet!"
Të gjithë u drejtuan në Galerinë e Artit për të parë ekspozitën kineze. Përgjegjësi i Galerisë i shtërngoi dorën ambasadorit kinez dhe buzëqeshi. Iu kujtua thënia e shkodranëve, kur ekipit të futbollit "Vllaznia" i ra shorti për të luajtur për kupat e Europës me "Dinamon" e Kievit.Natyrisht, partia e refuzoi ndeshjen me revizionistët dhe shkodranët me pezm e humor thoshnin:"Le që na ra me "Dinamon" e Kievit, por edhe albitri qëlloi kinez." Sapo qemë prishur me kinezët.
Gjindja u fut në Galeri dhe përpiqej të lexonte diçka në fytyrat enigmatike të miqve kinezë.

***
Mëngjesin e ditës së martë, më 20 prill 2004, një ditë pas transmentimit maratonë të Top- Show nga kanali televiziv Top- Channel, me të ftuar nga qyteti i Beratit dhe nostalgjikë beratas që punojnë e rrojnë në Tiranë, në Berat u panë disa nga të larguarit nga Berati, me banim në Tiranë. Ata u ulën në kafenenë "Kolombo" dhe në kafene të tjera rreth e rrotull e po gjerbnin të trishtuar kafe.Ishin inxhinjerë, arkitektë, piktorë, mësues sqimtarë, mjekë, ndërtues, pensionistë.Rrallë i shihje dy-tre bashkë.
Te kafe "Kristal" piktori i njohur nga Berati, ndërsa po pinte një birrë me kikirika dhe limon, i telefonoi shefit në Tiranë:"Mirmëngjes, shef! Jam në Berat te prindërit e mi."
Ende pa u sqaruar për arsyen e largimit nga Tirana, madje pa thënë as mirmëngjes, shefi i thirri me zë të lartë:"Po ku je, mor ashik berati, po ku je, mor…"
Piktori e la shefin të harxhonte tërë arsenalin e tij, frymëzuar nga emisioni i mallkuar i një nate më parë në Top- Channel. E kishte mik shefin, ndaj nuk donte të acarohej me të. Sidoqoftë kthimi më i shpejtë në Tiranë po i dukej edhe më i largët.
"Mbarove, shef?- e pyeti. Tani më bëj një nder.Më jep lejën e zakonshme, se dua ta kaloj, këtu në Berat, tani në pranverë. Nuk e dua në gusht, siç e kisha planifikuar."
"Po pse tani, mor jashik berati?!"
"Pse të pëlcasin, shef"-mendoi me vete, ndërsa me zë të lartë i foli:"Sepse dua të harrohet ca ai mut emision me jashikë, bylyshë, dylberë, preshë. Nuk dal dot në lagje, as në kafene, pa le aty në punë."- përfundoi piktori nga Berati.

***

Ari, stundenti i mjeksisë në universitetin e Bolonjës, qe në Berat për kremtimin e Pashkëve. U ngrit vonë nga gjumi dhe pa se kishte mbetur vetëm në shtëpi. I ati dhe e ëma qenë në punë. Po gjyshi me gjyshen ku të kishin shkuar? Ndoshta kishin dalë në parkun e qytetit.
Shkoi në dhomën e gjyshit, ku qe edhe biblioteka e familjes. Aty gjeti të hapura dokumentat e gjyshit, gjë e pazakontë për të. Nisi të lexonte disa nga këto dokumenta me letër të zverdhur nga koha. "Vdekje Fashizmit- Liri popullit. Komandës së Zonës së Parë Operative. Falënderojmë shokun….., për eleminimin e tradhëtarit të Partisë, intelektualit borgjez Anastas Lula, në Qafën e Gllavës.Taras." Pastaj lexoi një dëng me dekorata, për mbajtjen ndezur të luftës së klasave, eleminimin e armiqve brenda dhe jashtë partisë, dënimin shembullor të armiqve të klasës, zbatimin e politikës penale të partisë për dënimin me vdekje të elementëve armiq etj. etj.
Aty gjeti edhe një dekoratë nga Rusia, dhënë nga presidenti rus Putin, me rastin e 50 vjetorit të rënies së Berlinit.
Dokoratat vazhdonin edhe pas viteve '90. Në çdo përvjetor të ç(liri)mit nga një dekoratë nga presidenti i republikës. I tërhoqi vëmëndjen një letër me stemën e bashkisë në krye. Qe një projekt-vendim, ku i propozohej këshillit të bashkisë që gjyshit t'i jepej titulli "Nderi i qytetit".
"Do t'i them gjyshit t'i shkrijë tërë këto dekorata.Bronxi i tyre mjafton për t'i bërë gjyshit një bust e t'ja vendosim në mes të parkut, tani për së gjalli."- mendoi Ari. Gjyshi i tij, kur ishte fëmijë, në vend të përrallave më ujqër, luanë, dhelpra dhe ketra që tregojnë zakonisht gjyshrit kudo në botë, i kishte rrëfyer tregime me armiq të klasës që donin të përmbysnin pushtetin popullor, me partinë nënë që i kishte zbuluar dhe me atë lulen e kuqe, të cilën ua qëndiste ai, dora vetë, pas koke.

***


Në një mbledhje të këshillit të bashkisë së Beratit, e zhvilluar kohët e fundit, mori pjesë edhe një diplomat i një vendi mik. Ai u ul pa u prezantuar te karriget e caktuara për qytetarët e thjeshtë, pas karrigeve të anëtarëve të nderuar të këshillit të bashkisë. Askush nuk e mori vesh se kush ishte zotëria i veshur sportiv, ulur pas një anëtari të këshillit të bashkisë, të cilit i mungonte fare dogana te goja.
Mbledhjen e hapi kreu i këshillit, zëri i të cilit pas fjalisë së parë:" Mbledhjen e deklaroj të hapur",- nuk u dallua më. Të gjithë e morën fjalën njëherësh, ndaj përkthyesi i skuqur deri te veshët, i kërkoi ndjesë diplomatit. Nuk dinte kë të përkthente e kë të linte në atë kakofoni zërash. Diplomati buzëqeshi dhe i tha të mos shqetësohej fare.Kuptonte gjithëçka edhe pa përkthim. Pas një orë "debati" të tillë, një përfaqësues i popullit përdori një fjali "magjike", që në fillim shkaktoi të qeshura, por më vonë vendosi qetësinë. Diplomati për herë të parë u kthye nga përkthyesi dhe i kërkoi ndihmë për të mësuar fjalinë "magjike", e cila vendosi qetësinë. Përkthyesi i tha se gjuha e tyre e madhe, ndonëse flitej nga gati 100 milionë njerëz në Europë, këtë fjali nuk e kishte, ndaj nuk ishte e mundur të përkthehej.
"Po tingëlloi bukur në gojën e asaj zonjës"-tha diplomati-"Ma përkthe në mënyrë të përafërt",-ngulmoi ai. Përkthyesi i tha se qe thjesht një sharje vënçe.
"Sipas një studjuesit tonë, i cili ka studjuar në vendin tuaj, kjo sharje ka 36 variante në gjuhën shqipe, ndërsa në gjermanisht mungon."
Kur dolën, një nga vendasit u mundua t'i spjegonte të huajit se ky këshill nuk përfaqësonte plotësisht qytetin e tyre.
"Unë mendoj ndryshe",-tha diplomati,-"M'u duk një parlament shumë përfaqësues dhe domethënës."


***

Në Muzeun "Onufri" u promovua albumi Ikonat e Beratit me autorë Drishtin dhe Cikën. Mungonte njëri nga autorët e albumit dhe pothuaj të gjithë ftuarit nga Tirana, të cilët do të flisnin për vlerat e albumit. Pas nja dy fjalimeve dhe një punimi rreth vlerava të albumit, si zakonisht , në atë vend të shenjtë, ku nuk mungojnë edhe vlerat e artit mesjetar, nisën llogjet. Dikush kërkoi që ikonat e Beratit të shoqërohen më tanket e Majkos, ndërsa lëvizin nga Berati për Tiranë e anasjelltas dhe solli një shembull, ku një pikturë e Vinsent Van Gogut u shoqërua nga Europa për në Amerikë nga një luftanije. Një tjetër u ngrit , ndërsa përgatitej të fliste dikush që edhe ishte përgatitur me shkrim për vlerat e albumit, dhe me vrap mbërtheu mikrofonin dhe tha vetëm këtë fjali: "Djemtë e Beratit janë të zotë dhe këtë e tregojnë këto vepra këtu."
Pastaj nisën ankesat për ikonat e Onufrit , të cilat na i ka marrë Korça, na i ka marrë Tirana, s'kemi këtë e s'kemi atë. Albumi u harrua fare. Drishti, një nga autorët e albumit rrinte si një personazhi i Cehovit, i cili qëndronte në pajton dhe dëgjonte hallet e karrocierit. Karrocieri i famshëm i tregonte hallin e tij çdo personi që hipte në pajton.
Nga fundi nisën të qeshurat, kur nga celulari i një të gazetareje u dëgjua zilja me muzikën e filmit "I treti". Të qeshurat arritën kulmin, kur një zyrtar i lartë i bashkisë u ul pa e vënë re, mbi mikrofonin e gazetares së një televizioni të Tiranës. Ajo zgjati dorën për të shpëtuar mikrofonin nga pesha e rëndë dhe i tha: " Hej, shef! Ky nuk përdoret andej."

***

Më 5 Maj , ditën e Dëshmorëve të Atdheut, pozita dhe opozita shkuan për të nderuar të rënët në orë të ndryshme. Pozita bëri homazhe në orën 10, ndërsa opozita bëri homazhe në orën 11. Pozita me bandë, me kurora të shtrenjta me lule, me benza, fuoristrada, pionierë,veteranë të vërtetë dhe veteranë të rremë, me prani të policisë etj. etj.
Opozita erdhi në këmbë, pa zhurëm, pa bandë, pa polici, pa makina , pa pionierë, me kostume të ronitura, me një kurorë të thjeshtë.
Të zotët e shtëpisë në fillim pritën pozitën dhe ende pa marrë mirë frymë, u ngritën përsëri për të pritua opozitën.
"Po si jeni , more trima?"- i përshëndeti dëshmorët kryetari i veteranëve.
"Mirë jemi ne, po ju si po ia kaloni atje lart? Kemi dëgjuar se jeni bërë kameleonë të mëdhenj.Në fillim u prishët me aleatët tanë angloamerikanë, u bashkuat me sllavët, pastaj me kinezët më vonë me kubanezët, në fund me koreanoveriorët. Ne kurrë nuk na pyetët. Bëtë pallë 50 vjet duke u mburrur me gjakun tonë dhe e dhjetë Shqipërinë, sa që edhe po të na luten, ne nuk ngjitemi më lart. Ne na kujtuat 50 vjet luftën e klasave, ndërsa tani lëpini atë që keni pështyrë 50 vjet. Minj të ngordhur keni nxjerrë nga goja për Amerikën, Europën, kapitalizmin, tani u serviloseni atyre më keq se sllavëve dhe kinezëve.Jetoni në luks të madh dhe fëmijët i keni bërë kapitalistë, pa derdhur asnjë pikë djersë. Edhe me kapitalizmin silleni me urrejtje, vidhni çfarë u bie në dorë (ndonëse keni gjithëçka në dorë). Lapanjozë të mëdhenj jeni bërë. Thotë mirë ajo poezia: "Ka njerëz që për atdheun japin gjak e gjithëçka, ka të tjerë që atdheut i hanë gjak e gjithëçka. Të parët jemi ne , ndërsa të dytët jeni ju.",- përfundoi mikpritësi. Kryetari kafshonte buzën dhe pëshpëriste: "Mirë, mirë, po ule zërin, se po na dëgjojnë armiqtë!",- dhe tregoi me dorë varret e thyer.
Edhe opozita nuk u prit krahëhapur. Të rënët bënë tërë ato vrejtje edhe për ata.
"Ju predikoni bashkimin, kombin nderimin për të rënët , të drejtat e njeriut atje lart, ndërsa këtu vini koqe-koqe."
"Po këtu është ndërprerë lufta e klasave?"- pyeti një anëtar i koalicionit opozitar, një vendas që rrinte i mënjanuar.
"Lufta e klasave? Më e egër se sa atje lart. Nuk e sheh si na janë thyer pllakat e varrit, na ka mbuluar gjëmbaçi? Nuk e sheh si na kanë lënë këtu mënjanë si dikur aty lart, në internim në fshatrat e Myzeqesë? Ishim mirë atje larg, te përroi, në një varr të përbashkët e të humbur. Të paktën ishim të barabartë dhe nuk na përbuzte kush, siç po na ndodh këtu."
Qenë nacionalistët e pushkatuar nga komunizmi, rivarrosur në një cep të vorrezave të Dëshmorëve të Atdheut.


***

Ka nisur një garë e madhe midis krahinave, fshatrave për të hyrë në histori. Mijra e mijra njerëz janë punësuar për të shkruar monografi për fshatrat e Shqipërisë. Jnë mbledhur lekët nga biznesi, korrupsioni, prostitucioni, madje është hequr edhe kafshata e gojës për të shkruar monografi për fshatrat e vendit tonë heroik. Ndonëse fshatrat janë fshirë nga harta për shkak të largimit të banorëve të tyre drejt Tiranës, Durrësit, Beratit, Vlorës etj., vazhdon pa rreshtur shkrimi i historisë së katundeve. Historia e Shqipërisë ka nja 250 faqe, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nja 450 faqe, ndërsa historia e çdo fshati ka 600 faqe e sipër. Të gjithë dalin heronj, trima, atdhetarë, të paepur. Se nga kanë dalë ata bij kurvash që vjedhin, vrasin, trafikojnë nëpër Europë, këtë një Zot e di. Te këshilli i Qarkutit po vijnë fshatarë apo edhe bij fshatarësh të larguar për t'u ankuar se pse iks fshat mori titullin "Fshat Martir i Luftës ll Botërore", ndërsa për ata nuk kujtohet askush. "
"Le të na japin një titull, se këtu kemi jetuar edhe ne. Le të jetë çfarë të jetë, vetëm të jetë titull, qoftë edhe "Fshat hajdut", "Fshat kopuk", "Fshat trap" apo edhe "Fshat shkërdhatë", një titull e duam."- ankohen fshatarët.

******
Një ditë pune e zotit Kadri Kuka
(Dy herë drejtor për kulturë, rini, sport e festime)


Drejtori i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve të bashkisë Berat zoti Kadri Kuka dhe drejtor i qendrës kulturore të Beratit (i komanduar) zotni Kadri Kuka u çua nga gjumi fiks në orën 7. Pasi kreu ritualin mëngjesor, u paraqit te garderoba: të vishte kostumin e drejtorit të drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki apo? Po të vishte kostumin e përditshëm gri të drejtorit në bashki do të injoronte postin tjetër shumë të rëndësishëm atë të drejtorit të qendrës kulturore. Si t’ia bënte? Pasi i hodhi një sy garderobës, më në fund e gjeti. Aty gjendej një kravatë flakë të kuqe, të cilën e mbante dikur, tutje viteve 90, kur ishte emëruar drejtori i Teatrit të Beratit. Nëse do të varte atë kravatë, punonjësit e qendrës kulturore (ata që kanë mbetur janë pothuajse ata që kanë qenë në atë kohë) do të kujtonin menjëherë drejtorin e dikurshëm të këtij institucioni. Me kostumin e përditshëm gri të drejtorit në bashki dhe me kravatën e kuqe të dy simbolet do të bashkoheshin në një: Kadri Kuka hëm drejtor në qendrën kulturore, hëm drejtor në bashki. Pasi u vesh doli. Po ku të shkonte më parë, në zyrën e drejtorit në bashki apo në zyrën e drejtorit në QK? Askush nuk i kishte dhënë ndonjë udhëzim. E zgjidhi edhe këtë çështje. Në përgjithësi artistët fillojnë punën në orën 9.00, ndërsa punonjësit e bashkisë fiks në 8.00, ndaj u nis për në zyrën e bashkisë. Pasi u ul në tavolinë nisi të hartojë shkresën e parë:
Republika e Shqipërisë
Bashkia e Beratit
Drejtoria e kulturës, rinisë dhe sporteve
Nr.x i protokollit
Drejtorisë së Qendrës Kulturore
Ju njoftojmë se preventivi juaj për pagesën e organizatorëve dhe artistëve për periudhën përgatitore të grupit folklorik të Beratit, i cili do të shkojë në festivalin folklorik të Gjirokastrës 2004 është tepër i ekzagjeruar dhe bashkia nuk jep asnjë lek. Ndani 200 000 lekët nga fondi i qendrës kulturore.
Drejtoria e kulturës, rinisë dhe sporteve
Drejtori
Kadri Kuka
Firma
Pasi e përfundoi shkresën e futi në zarf dhe e nisi për në qendrën kulturore me shënimin urgjent sipër. Sa të mbërrinte letra me post ekspres në qendrën kulturore, u ul të pinte një kafe. Pasi e mbaroi kafenë, nxitoi për në qendrën kulturore. Në dy lëndinat e bukura me bar të gjelbër, nën hijen e cedrave po e prisnin punonjësit. Drejtori i qendrës kulturore u ngjit rëndë-rëndë në katin e dytë. Nuk i ngjante hiç drejtorit të drejtorisë së kulturës në bashki që vrapon edhe kur ngjitet shkallëve të bashkisë. Sapo u ul në karrigen e rehatshme të drejtorit të qendrës kulturore, ra dera.
“A mund të hyjmë shoku drejtor?”, foli me një zë një grup artistësh të grupit folklorik të Beratit.
“Hyni, hyni!”, u foli me dashamirësi drejtori.
“Kemi ardhur të ankohemi, shoku drejtor për pagesën e premtuar nga kjo drejtori. Na është premtuar e na takon të marrim 30 000 lekë për kokë për këta muaj provash që kemi bërë për festivalin e Gjirokastrës. Akoma nuk i kemi marrë, por siç e dini edhe juve, as zogu nuk cicëron në majë të cedrës pa para. Nëse nuk na paguani do të bojkotojmë festivalin.
“Mirë, mirë!”, u përgjigj i qetë zoti Kadri Kuka, pres një përgjigje zyrtare nga drejtoria e kulturës në bashki dhe do të flasim. Besoj se përgjigja do të vij tani”. Artistët folklorikë shqyen sytë.
“Po sikur është i njëjti drejtor...?!”, belbëzoi dikush.
Më në fund letra mbërriti. Postieri e lëshoi zarfin mbi tavolinë dhe mori firmën e marrësit. Drejtori i qendrës kulturore (i komanduar) zotni Kadri Kuka, pasi e hapi letrën dhe e lexoi me vëmendje, foli me zë të lartë ta dëgjonin edhe vartësit:
“Po këta të drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki, s’janë në vete! Në fillim kërkuan preventivin, premtuan paratë, tani të tregojnë gishtin e madh të ngritur përpjetë. Vafshi në djall!”, shqiptoi më në fund. Artistët e folkut i bënë të ditur zotit Kadri Kuka, drejtor i qendrës kulturore në Berat, se nuk janë aspak dakort me mendimin e zotit Kadri Kuka, drejtor i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki. Ata njoftuan komisionin e ardhur nga Tirana për të bërë seleksionin e grupit që do të shkojë në Fest Folk 2004 në Gjirokastër, se nuk do të marrin pjesë për arsye financiare. Zotni Kadri Kuka, nën lëkurën e drejtorit të qendrës kulturore, kritikoi , shau, mallkoi, drejtorin e drejtorisë së kulturës në bashki, zotni Kadri Kukën, që nuk qe i zoti t’i mbushte mendjen titullarëve të bashkisë dhe këshillit bashkiak për të paguar artistët folklorikë të Beratit. Nisi të hartonte një shkresë të fortë.
Republika e Shqipërisë
Drejtoria e Qendrës Kulturore Berat
…………………………
…………………………
Pasi shkroi tekstin, ku protestonte fort kundër drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki e dërgoi letrën në postë dhe sa të shkonte ajo në bashki, doli të pinte një kafe.
Kur Kadri Kuka, drejtor i drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve në bashki, po hapte letrën e dërguar nga Kadri Kuka, drejtor i qendrës kulturore të Beratit, ora po shkonte 16.00. Kishte mbaruar dhe një ditë pune e zotit Kadri Kuka.
***

Një militant i partisë më të madhe opozitare doli në rrugë dhe sapo pa figurën (kështu i thërriste kryetarit të seksionit ku bëntë pjesë), e ftoi për kafe.
"Eja pimë një kafe!"- e ftoi kryetarin. Pasi u ulën, nuk duroi pa e pyetur për atë çështjen e "shoqërisë civile", të cilën e dëgjoi në radio dhe, për siguri, edhe në TV.
"Si është ajo puna e "shoqërisë civile", më qafsh! E përmendën të gjithë sot, deri edhe Shefi i Madh. "Do t'i zgjedhim krytarët e partisë nga shoqëria civile!"- tha.
Po ne që jemi në parti nuk jemi civilë? Unë nuk kam veshur kurrë rroba ushtarake. Edhe ushtri nuk kam bërë. Babai i dha shefit të degës një milion e gjysëm dhe ai e futi kartelën time te të vdekurit jashtë shtetit, në emigracion."
Figura e pa me vëmëndje dhe po përpiqej t'ia shpjegonte taktikën e partisë për të hequr qafe ca kryetarë degësh që vetë nuk kishin ndërmend të shkuleshin. Nisi t'ia shpjegonte, por militanti nuk po i binte hiç fare në të. Kryetari i seksionit, i lodhur, ia bëri disi më konkrete situatën: " E di? Kur i vajtën Nastradinit dhe i kërkuan litarin, ai iu tha se nuk e jepte dot, se do nderte miellin me të. Ata u çuditën me përgjigjen e Nastradinit dhe e pyetën se si mund të nderej mielli.Nastradini iu përgjigj se kur nuk donte ta jepte litarin, si t'u thoshte? Edhe shefi ynë priti e priti të jepnin dorëheqjen ata kryetarë, ata nuk e dhanë. Tani u thotë se do t'i caktojmë kandidaturat nga shoqëria civile, si Nastradini që do nderte miellin në diell. E kupton apo jo?"
Militanti pagoi kafetë dhe u betua se do të fillonte gjimnazin me korrespodencë në Urën Vajgurore, që t'i ftillonte vetë këto gjëra.

***


Para një dyqani argjendarie në Tiranë u shfaqën disa burra të moçëm, të cilët mbanin në duar letra dhe stilolapsa. Në thilenë e xhaketës mbanin stemën e një shoqate “joqeveritare.” Më pas burrat nisën të shtoheshin, derisa u bë një turmë e madhe mbi 200 shpirt. Pritej të vinte kryetari i shoqatës. Kur ai u shfaq në krye të rrugicës nisën brohorimat: President! President! President! President! President! President!
Kryetari i shoqatës, sapo doli në krye të turmës, nisi fjalimin e rastit:
“Shokë! Siç edhe e keni marrë vesh na kanë sulmuar. Jemi këtu për t’u kthyer përgjigje armiqve.”
Njëri nga burrat e moshuar, spiun i vjetër i sigurimit të shtetit, i cili kishte rrasur në burg disa nga shokët dhe kolegët e vet gjatë diktaturës komuniste, i pëshpëriti diçka në vesh kryetarit. Kryetari i nervozuar iu kthye me zë të lartë: “As që pyes fare! Këtu jemi të gjithë tanët, barku i shënmërisë!”
Pas fjalimit të kryetarit, të gjithë u sulën drejt tavolinës.Nisi të shkruhej artikulli për gazetën “Në shërbim të kulturës”, gazetë e shoqatës, vazhduese e denjë e revistës “Në shërbim të popullit”, për nga trashgimia në ide dhe në njerëz. Dyqind shpirt njëherësh nisën të vrisnin mëndjen dhe të shkruanin artikullin.U bë një katrahurë e madhe. Mbi letër u turrën kalema të vjetër jugosllavë, stilografë sovjetikë, pena kineze, kalema kopjetivë, me të cilët ishin përpiluar qindra fletë spiunime te sigurimi komunist. Njëri kishte marrë me vete edhe një sqepar.
Artikulli drejtohej kundër një shkrimtari, publicisti e përkthyesi të njohur dhe dy piktorëve të afirmuar. Filluan nënshkrimet në fletë. Dikush nga të pranishmit në vend të shënonte emrin që i kishte vënë e ëma, për shkak të urrejtjes klasore që e mbërtheu në atë çast solemn, shkroi pseudonimin që i kishte vënë sigurimi.
Kur mbaroi gjithçka, doli artikulli më i çuditshëm i shkruar ndonjëherë : me 200 e ca autorë dhe listë të hapur. Kushdo mund të shënonte emrin në fund të artikullit.

* * *

Një emigrant nga Berati erdhi me tragetin e Triestes në Durrës dhe me makinën e tij “Wolksvagen” po i drejtohej me mall qytetit të lindjes. Kur po futej në qytet e ndaluan nja dy policë rrugorë. Emigranti, që kishte tre vjet pa ardhur në vendlindje, u ndje disi i bezdisur nga ndalesa e policisë dhe pasi hapi krahun, po priste në timon. Polici iu afrua makinës me targa gjermane të emigrantit dhe me iu drejtua:
“Ama burrë qënke ti! Goxha burrë!”
Emigranti po e vështronte i hutuar policin. Nuk po i binte në të se me kë kishte të bënte. I hodhi një vështrim policit dhe nuk gjeti as edhe një tipar të ndonjë të njohuri.
“Më fal, zoti shef! Si është puna, nuk po ju kuptoj?!”
“Po çfarë lesh shefi!”, iu drejtua polici i mërzitur. Pastaj duke i treguar rripin e sigurimit me të cilin ishte lidhur emigranti, i tha : “Si ore ti, goxha burrë, vete e lidhesh për 2 mijë lekë?”
* * *

Në degën e Partisë Demokratike një zyrë qëndron e hapur deri vonë në mbrëmje. Zyrtari partiak del aty nga mesi i natës nga zyra dhe ngjitet për në shtëpi i lodhur e i këputur. Tërë ditën e Perëndisë ka punuar pa pushim. Edhe për drekë u mjaftua me një hamburger. Nuk mund t’i linte qytetarët të prisnin në radhë. Një vërshim i tillë anëtarësimi në PD kishte ngjarë vetëm në vitin 1996, kur makina e PD-së shkonte në Tiranë 2 herë në javë për të marrë tesera. Në vitin 1997 pas djegies së bashkisë, këshillit të rrethit, gjykatës, selisë së PD-së, policia bëri mjaft ndalime midis kryengritësve. Gjatë kontrollit u vu re se shumë nga “revolucionarët” e ndaluar kishin nëpër xhepa teserat e Partisë Demokratike!? Me ç’duket era e vrullshme që fryu nga lindja qe aq e papritur, sa që nuk patën kohë t’i hidhnin ato dreq tesera. Tani për t’i dalë të keqes para, (Era ka nisur të fryjë nga perëndimi), janë rreshtuar sërish para PD-së. Kot nuk thotë frëngu “vdiq mbreti, rroftë mbreti!”

***

Një banor i lagjes "Jani Vruho" kishte nja 7 vjet që nuk kishte paguar energjinë elektrike. Faturat qenë bërë mal, por qytetari ynë as që ishte kthyer nga ai krah.
Kohët e fundit sikur u shtërngua ca litari. Emri i banorit që nuk paguante faturat shkoi te policia elektrike. Inspektori u nis me tërsëllëm drejt shtëpisë së të pabindurit.Qëlloi një nga kongresmenët e famshëm. Ai trokiti fort në portën e banorit të lagjes "Jani Vruho" dhe mjaft serioz u drejtua për te telat me një pincë të izoluar. As që nuk e përshëndeti shkelsin e ligjit.
"Nuk kemi para të paguajmë!"-nisi të shfajsohej qytetari, ndonëse kishte një goxha garazh privat, ku punonte e fitonte nja pesë rroga zyrtari të mesëm.
Kongresmeni nuk ia vuri veshin, por nxitoi drejt telave. I kapi me pincën e izoluar dhe me tërë forcën i këputi në çast.. Nga gjoksi nxorri edhe një ofshamë të thellë. Qe shprehje e kënaqësisë së detyrës së kryer.
"Mirë, mirë! Ti e di! Me shtetin nuk matemi!"- ndryshoi tonin papritur qytetari i pabindur.
I nspektori futi pincat në çantë dhe u drejtua nga porta.
"Kur të paguash të gjitha faturat, t'a lidhim ne energjinë!"- iu drejtua të zotit të shtëpisë.
"Si t'i keni rregullat!"- u përgjigj qytetari.
Pa kaluar ende rrugicën inspektori kongresmen,banori ia dha të qeshurit me gjithë shpirt.
"Eja , moj eja!"- i thërriste gruas që po gatuante diçka brenda. "Eja shiko se ç'na bëri kongresmeni!"
Gruaja doli në oborrin e shtëpisë. Nuk e mbajti të qeshurit, kur pa se kongresmeni kishte prerë telat ku ndereshin rrobat, në vend të telave që sillnin energjinë.

***

Fatos Nurellari është dashamirës i artit dhe letërsisë, ndonëse studimet i ka kryer për agranomi. Meqënëse është opzitar i spikatur dhe i vetdijshëm, u zgjodh anëtar i këshillit të komunës së Vërtopit. Në fshatin e tij Fushë - Peshtan ai doli në vend të parë në garën për kreun e komunës. Thonë se arriti të merrte dy herë më shumë vota se subjekti që e kandidoi.
Pasi lexoi vëllimin e fundit poetik të Balil Gjinit, "Po e Zi", i zgjati autorit një bllok me kapakë të ronitur, ku mbante shënim datat e zhvillimit të tenderave që nga viti 1992 dhe i kërkoi t'i linte një autograf.
Me pak pyetje që i drejtoi autorit, arriti të kapë thelbin e artit dhe i emocionuar i premtoi Gjinit pesë shishe verë falas, nga vera e tij shumë e mirë. Kur autori i librit nuk shprehu ndonjë entusiazëm për dhuratën, Fatosi e pa me vëmëndje, u mendua pak dhe i tha: "E gjeta! Do të bëjmë “Fshatar Nderi” të Fushë - Peshtanit, fshatit tim të lindjes! E kam lexuar listën e Bashkisë së Beratit për figurat që do të nderohen dhe ti nuk figuroje gjëkund. Kryetari i komunës për këtë çështje ma dëgjon fjalën. Do ta festojmë me mish keci në Fushë!"- përfundoi fjalimin z.Fatos, edhe biznesmen, edhe dashamirës i artit, edhe prodhues i verës, edhe opozitar i palëkundur.

***
Në një orë të caktuar, në kodrat e Beratit nisin të bien në të njëjtën kohë daullet. Ky është sinjali se linja është gati për transmetimin e mesazheve. Në fillim përcillen lajmet që nga lagjet periferike drejt qendrë së qytetit. Nga kodra e Kondasit nis të bërtasë tellalli i parë drejt kodrës së Shën Thanasit :
“ Lajmëroni Luanin në lagjen Clirim të paraqitet te miku në Tiranë. Miku pakon e mori të plotë. Agroni”
Tellalli i Shën Thanasit e përcjell lajmin tutje, drejt tellallit të kodrës së Bregut. Ky i fundit, krahas daulles, përdor edhe një klarinetë. Nga Bregu lajmi kalon në kodrën e Shëndellisë dhe që aty drejt e në Kala. Kalaja luan edhe rolin e serverit; i shpërndan lajmet në shumë drejtime: në Goricë, Clirim, dhe në Qendrën e qytetit. Në Kala punojnë disa tellallë njëherësh, duke thirrur drejt lagjes përkatëse. Për shkak të telekomit dhe vendimit të Qeverisë për trefishimin e tarifave të telefonit fiks, rrjeti i tellallëve nuk pranon të përcjellë asnjë njoftim që ka të bëjë me qeverinë ose persona të afërt me të.

***

Në një martanitet të Qarkut tonë pritej nga çasti në çast të lindte një fëmijë. Të gjitha shenjat klinike tregonin se gruaja duhej mbajtur në vëzhgim të plotë… por kaluan orë, ditë dhe fëmija nuk po delte në dritë të diellit. Babai, që këtë e kishte fëmijën e shtatë, u bë merak:
“Të keqen, doktor! Na bëj derman!…”, dhe i futi një shuk të hollash në xhepin e përparses së bardhë.
“Edhe unë po çuditem! Është një rast i pazakontë, të cilin nuk mundem ta spjegoj dot, tani për tani!”
“Megjithëse jam nga fshati, operacion gruan nuk e bëj! Le që ajo ka lindur gjashtë!”, foli me ton babai.
“Nuk ka nevojë për operacion, jo!” i foli i besdisur doktori.
Pastaj shkoi të shfletonte literaturën në zyrën e tij. Nuk po gjente asnjë rast të përafërt.Shtypi çelsin e dritave, po nuk kishte rrymë. Mori dikë në telefon dhe nga ana tjetër e telit dëgjoi shprehjen standarte : “Pas kongresit, doktor! Pas kongresit!” Këtë shprehje e kishte marrë në formën e përgjigjes për disa probleme të institucionit dhe të të tijat.
“E gjeta! Më në fund! Kur mbaron kongresi?”, pyeti infermieren qe po e vërente me ca sy të çuditshëm. “Nesër, shef!” iu përgjigj infermierja.
Doktori doli jashtë dhe takoi burrin që priste të bëhej baba për herë të shtatë: “Nesër do të lindë, nesër. Nesër është dita pas kongresit dhe shqiptarët të gjitha punët i kanë lënë… pas kongresit.”

***

Familja Besimi u kthye për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri. Ndonëse kishin jetuar për një kohë të gjatë në Perëndim, e pritën jo pa emocion mbrritjen në atdhe. Në port, një nëpunës po u kërkonte qiqra në hell dhe nuk kishte zot t’i mbushte mendjen se e kishte gabim. I kërkuan ndihmë djaloshit pranë dhe ai u sqaroi se çështja zgjidhej vetëm me 20 euro. Le t’ia jepnin zyrtarit dhe kaq, mjaftonte, ndryshe do të humbnin mjaft kohë. I paguan 20 eurot për hesap të xhepit të doganierit dhe vazhduan rrugën. Sa kaluan qytetin port, në fytyrë gati iu përplas një tabelë polici. Frenuan dhe polici u kërkoi dokumentat. Burri i dorëzoi dhe po priste i qetë.
“Me shpejtësi, zoti qytetar!”, foli polici dhe nisi të mbushtë fletën e gjobës. Burri zbriti nga timoni dhe po kërkonte të sqarohej, duke thënë se po ecte fare normalisht. Gruaja tij e kapi prej cepit të xhupit dhe i dha 10 euro. Polici i fshiu ende pa rënë mirë në dorë të burrit.
“Ec, nxito, se na bllokove qarkullimin!” , i bërtiti të porsaardhurit.
Pas disa ditësh familja Besimi po bënte gati valixhet për t’u nisur përsëri andej nga erdhi. Ndonëse kishin kursyer ca të holla, ato do t’u mbaroheshin shpejt. Për të hapur një librari burrit i kërkuan goxha para. Gruaja inxhiniere nuk mund të fillonte punë. Dhe qe e vështirë të gjeje vendin se ku duheshin paguar paratë për punën e saj.Vajza gjimnaziste u detyrua të regjistrohej ne kurse private për 7 lëndë nga 11 që zhvilloheshin gjithësej në shkollë. Nuk kanë të treguar endjet nëpër zyra të tjera.
“Ky nuk është atdheu ynë, ky është një vend armik”, fliste me vete Besimi, teksa përgatiste valixhet e udhëtimit.


***


Në furgonin me targë BR 0027 A, ditën e Shën Valentinit më 14 shkurt, udhëtonin disa tregtarë çikërrimash për në Tiranë. Midis tyre qe edhe një djalë i veshur me një xhup lëkure, që gjatë gjithë rrugës vështronte i heshtur peizashin gri dhe hejet e akullit që zgjateshin nëpër strehët e ndërtesave. Dita u gdhi e akullt, disa gradë nën zero. Djali heshti edhe kur nga valët e Top-Albania-Radio gurgullonte humori dhe ironia therëse e Aldos.
Një telefonuese nga Korça, bëri të shkrihej gazit tërë dëgjuesit e Top-Albanias në atë orë:
“ Aldo, i dashuri im, është tepër i lezetshëm. Dy herë në javë ha dru për shkakun tim. Çdo mashkulli që më hedh mua ndonjë vështrim, ai i turret me tërbim. Fundi dihet, mor Aldo. Ai ha një dru të mirë.”
Kur Aldo e pyeti 19-vjeçaren rreth tij, përgjigja e saj qe vërtet befasuese: “Eh, mor Aldo, unë atë e kam thjesht një gomë rezervë.”
Djali nuk buzëqeshi nga marrëzitë e Topit.
Te “21 Dhjetori” ai zbriti pastaj i hutuar dhe e pyeti shoferin e furgonit nëse do të nisej menjëherë. Kur shoferi i furgonit i tha se do të vonohej vetëm 30 minuta, ai iu lut ta priste pak çaste te dyqani i luleve.
“Do të shkoj të ble disa trëndafila për vajzën time, - i pëshpëriti shoferit, - dhe erdha.”
“Halle-halle është kjo botë”, tha shoferi duke ndjekur me sy djalin që po bënte 250 km për t’i dhuruar vajzës së tij një tufë trëndafilash për Shën Valentinin.
***
Te dera e një spitali të Jugut të Shqipërisë ndaloi një veturë luksoze. Nga makina zbriti një burrë dhe një fëmijë. Kapur prej dore u ngjitën në shkallët drejt pavionit të kirurgjisë. Aty, djali që po ecte i qetë, befas u shtrembërua në fytyrë dhe nisi të qante. I ati e qetësoi duke i përkëdhelur flokët. Te dhoma e mjekut burri e pyeti për doktor X. Infermierja i tha se doktori po pinte një kafe në barin aty pranë. Burri la djalin me infermieren dhe zbriti shkallët drejt barit. Në bar ndeshi disa të njohur. Ndërsa foli me ta, vuri re se doktor X nuk qe në bar. Kontrolloi edhe barin tjetër në anë të rrugës dhe nisi të ngjisë shkallët drejt pavionit të kirurgjisë. Djali i tij do të qe mërzitur në shoqëri me infermieren. Kur hyri te dhoma, miku nuk gjeti as djalin, as infermieren, as mjekun. Doli në korridor i shqetësuar dhe ndeshi një mjeke të re me stetoskop në gjoks.
“Më falni, doktoreshë, ku shkoi kjo infermierja që e ka zyrën këtu? Lashë tim bir me të dhe kur u ktheva, nuk i gjeta te dhoma e mjekut.”
Doktoresha ndaloi dhe tërë mirësjellje iu kthye: “Sapo hynë në sallën e operacionit së bashku me doktor X. Më duket se do të operonin një djalë të vogël.”
Burri u tmerrua dhe vrapoi drejt sallës së kirurgjisë. Dyert qenë të mbyllura, por ai nuk u ndal. Filloi të bërtiste dhe godiste me grushta derën. Te dera u shfaq infermierja, e cila i buzëqeshi ëmbël dhe i tha: “Erdhi doktor X. Djali ka apendiksin dhe do ta operojë vetë doktori.”
“Mos!- bërtiti burri-djali s’ka asgjë. Kam ardhur, thjesht, për ta bërë synet.”
***
Në një nga restorantet e qytetit u ul një grup miqsh për të pirë diçka. Në fillim u bë zhurmë për llojin e verës. Disa preferonin njërën markë, disa tjetër. Dhe nisën të flisnin njëherësh për cilësitë e verërave të preferuara. Më në fund erdhën në një mendje se vera e prodhuar në kantinën e kandidatit për kryetar komune qe më e mira. Porositën verën konsensuale dhe hapën sërish menytë për të zgjedhur diçka për të shoqëruar verën.
-Gjuhë, -tha njëri.
-Jo, është e shtrenjtë, - u përgjegj tjetri.
-Kofshë, - tha tjetri.
-Pa shikoje çmimin! Të ikën kapaku i kokës! - foli tjetri.
-Gjoks pule,- thirri tjetri.
- Shtrenjtë edhe gjoksi! - foli një nga miqtë.
Kamarieri që rrinte në këmbë në pritje të porosisë së tyre, i mërzitur iu drejtua klientëve: “Zotërinj! Nëse më lejoni mund t’ju sugjeroj tru... Truri është më i lirë. Më i lirë dhe se një pjatë me tranguj të konservuar Maqedonije.”
“Edhe këtu paska rënë çmimi i trurit?- foli njëri nga miqtë .
Porositën të gjithë tru të lirë dhe tranguj Maqedonije.


“Lajmetari i Beratit”, 2003-2005

 

 

Copyright © 2008