Yzedin Hima - Poezi - Trill

Trill

Poezi 1999
Shtepia botuese Jonalda

 


Tani është natë

Në diskoteka pellgjesh
marrosen bretkosat
Dita përgjon nga sytë e maces
Lumi i përgjumur me yjet mbi shpinë
rrjedh nën harqe puthjesh.


Heshtje

Rruga dremit
Nga strehët e shtëpive
pikon heshtje,
Heshtin tigrat në bluzat e vajzave
Me njëra – tjetrën macet
flasin me gjeste.
Lumi i mpirë mezi fshihet
brenda lëkurës ujore
Klithmat e pulëbardhave tretën
ne heshtjen mizore.
fjalët letra pa vlerë
fluturojnë në rrugë
Brenda mermerit gri të heshtjes
qyteti pozon si statujë.


Dhembje

Mungesa e hapave në rrugë
u dhemb rrugëve
Në kutinë e vjetër të lapsave
lapsat dhembin te paprerë
Nuk është thjeshtë një kravatë
por dhembja e qiellit një ylber.
Tek rruzulli i lotit
dhemb deti


Mali i Tomorit

Flokëbardhë dhe hijerëndë
Netëve,
vesh pelerinën yjore.
Yjet janë pelegrinët e tij
teksa nata gremiset honeve.
Në shtjella erërash të kaltra
Mali-princ fle tani.
Ndërsa unë rropatem kot
që të fus në poezi.


Kur bien urat

U ndamë,
Si ndahen zogjtë shtegtarë
nga foletë e tyre në vjeshtë
si ndahet qielli në funddimër
nga retë.
Kur më sheh tani me një tjetër
nga sytë e tu shkrepin rrufetë,
Bien urat, e dashur,
po s mbahen dot peng lumenjtë.


Mangalemi

Plakat çelin karafila të kuq
Gurët e përgjumur pijnë diellin
Një mace ka humbur rrugët
dhe gërvish qiellin.
Një rrugicë zgjatet në kujtesë
një tjetër tretet tek një derë
Lumi i magjepsur nga mijëra sy
s` harron kurrë të rrjedhë.


Muret

Ranë muret.
Nën gurë
Ata që s`deshën muret kurrë.
Nga gjoksi i shqyer i qiellit
Dolën skifterët.


Gruaja

Gruaja është dhembje
dhe imazhi saj
gruaja është trishtim
dhe mbarimi i tij
Pas shiut të rrëmbyer
Gruaja është ylber.
Gruaja është pritja
dhe nisja jonë e përditshme
Gruaja është ura
nga marrin jetë dy brigje.
Pa dorën e gruas
Bota do të ishte akulli vetë
Vështro në sytë e gruas që do
A nuk rrjedhin gjithë lumenjtë?


Ti je i braktisur, miku im

Ti je i braktisur, miku im
si kjo rrugë në periferi
ku mbollëm dikur pemët e shpresës,
Tani zhvesh e zhvesh lëkurën e fjalëve
nga fruti delikat i gënjeshtrës.
Ti je i braktisur, miku im,
Tani qëndron tek kjo rrugë
thjesht si gur kilometrik,
T`i tregosh vetes dhe të tjerëve
sa larg ecën miqtë e dikurshëm
në rrugën e suksesit a të poshtërsisë.


Dinosaurët

Erdhën dinosaurët
Rrugët u fshehën në kujtesë
Në një pellg gjaku
turmat zhysin duart
të rrëmbejnë pasqyrimin e yjeve
Kalldrëmeve bredh një qen
me hënën e vjedhur ndër dhëmbë.


Kosova

Të fundit pushkatuan një bli
I vetmi që kishte mbetur gjallë.
Po qielli i Kosovës
ku është fshehur vallë=
Tek sytë e fëmijëve strukur rri
i tmerruar.


Ekspozitë

Erdhën veprat e Barbarit,
Në telajot e ditëve
Ditëgri
Ditëblu
Ditëprangë
Ditëflakë
Ditëgjak.
Në këtë fundshekull
Europa u trondit estetikisht.
Në ç`sallë moderne vallë
do ta hapë këtë ekspozitë?


Perëndimi

Me lëkurën e shelgut lotues
ajrin e ngjyen me brengë
një arixhi,
teksa dielli bie e zhytet
ne detin e derteve të tij.


Gjiri i Vlorës

Gjiri i Vlorës, gji i Shqipërisë
mbetur shkretë
si gji nëne
që braktis fëmijët.


Je krejt e zakonshme

Ti nuk ke sy të magjishëm
që edhe kur pejzazhet ndërrojnë
qanë të vetëmjaftueshëm
për të qënë të bukur
ndaj qëndrojnë indiferentë dhe statikë
Ti je krejt e zakonshme
dhe gjithnjë në kërkim
herë baticë
herë zbatice
herë pellg tmerrësisht i qetë
herë gjeratore plot rrezik
Ti je krejt e zakonshme
ndaj dhe unë të kam frikë.


Pranverë

Flokët e gjelbër pylli
i ter në erë
Pas shiut të rimët
si vejushë e re nata u shfaq.
dridhen e dridhen disqet e pellgjeve
e nën korin e bretkosave
harbon nata (vejusha) deri në ag.


Në kishë

O Zot, sa vajza ta bukura
hyjnë në kishë
në sytë e bukur Jezusi
kryqëzohet sërisht.
Koha digjet ethshëm
në flakët e qirinjve
i shqetësuar shfaqet Onufri
mes ikonave shëtitëse.
kur vajzat hyjnë në kishë.
Ndërsa unë dhe miku im Onufri
në gjunjë para bukurisë.


Nëse ju besoni

Nëse besoni
Blini një libër tek vogëlushi në cep të
rrugës
Ai nuk di të lexojë ende
por ka besim tek librat e tij të vjetër
Mos u çuditni kur vogëlushi
Do t`ju tregojë me pak fjali
subjektin e Don Kishotit
Megjithëse nuk di të lexojë
dhe këto libra I ka gjetur diku,
në një biblotekë a library të djegur
Nëse ju vërtet besoni
një libër tek ky vogëlush blijeni patjetër
Ai është krejt i pafajshëm dhe i
besueshëm
Si këta libra të vjedhur.


Monumenti

Dikur ishte një dordolec i thjeshtë
dhe tmerrin u kallte zogjve
Pastaj format e tij të frikshme
u derdhën mbi mermer
tani njerëzit, jo zogjtë
e shihnin me tmerr.


Ti po kalon në rrugë

Ti po kalon në rrugë
dhe rruga u bë e bukur.
Me hapat e lehtë
si rënia e gjetheve
Ti kalon në rrugë
thjesht si kojrilla në qiell
dhe qielli u bë i bukur.
Unë pak çaste të mbaj në sy
dhe sytë e mi u bënë të bukur.
Ti po kalon në rrugë
si qiellit kalon një vetëtimë
Tek sytë e mi hyn e më s`del
në sy më ngrin si rubin.


Rehova

Këtu nuk ka rrugë me emra të shquar
As vija të bardha, tabela qarkullimi
apo trotuarë,
Nuk ka reklama çoroditëse,
gazetashitës,
shoqata joqeveritare e lypsarë,
Nuk ka seli partish, neone hipokritë
dhe kusarë.
këtu zot është ajri i dlirë
pylli, mali, burimi
dhe ky qiell si portë e hapur.


Pasaporta ime

Pasaporta ime e përflakur
me gjak muresh
Në kapak
një shpend me krahë të nderë
Ranë muret,
me gurët e tyre
u ngritën mure të tjerë,Pasaporta ime
një shpend me krahë të prerë.

 

Kuajt

Në sytë e një kali digjet Kartagjena
Nga Troja kuajt ende janë të fyer
tek sjellin përmes shekujve
lavdinë me trok,
Të lodhur nga lufta dhe lavdia
me heronjtë mbi shpinë
ngrijnë në bronx.


Dikur

Dikur njoha një vajzë të bukur
Tek sytë e saj
i lashë sytë e mi,
me zgavrat bosh
dhe nëpër terr
vrapoj pas vajzave tani.


Altruizëm

Në liqenin blu të erërave të marra
deri në vetsakrifikim gjatë netëve
kërkova shpirtërat e kaltër të poetëve
e me të sajova një margaritar.
E dashur, si dhuratë dhembjeje
a do t`ma pranosh vallë?


Qyteti ynë ka një rrugë

Qyteti ynë ka vetëm një rrugë
Ku shëtitin të njëjtët njerëz
me të njëjtin hap,me të njëjtin mendim,
brënda të njëjtit kostum.
Qyteti ynë ka vetëm një rrugë,
Vajzat,
të dashurit e braktisur
i varrosin brënda një rruge
që të mos i njohin prapë,
Ndërsa lumi që kalon pranë
nga frika e përgjasimit me rrugën
në çdo stinë ndërron shtrat.


Lasgush Poradeci

Në Pogradec nisi bora e parë
nën vellon e argjendtë
dremit qyteti,
Liqeni çan gjoksin e tij si nosit
për t`u shfaqur si dikur Poeti.


Dimër

Yje të kanë ngrirë mbi flokë,
Brenda syve të trishtë
vrapojnë drerë të trëmbur
Erërat të ulen tek buzët
dhe mërmërisin sonatën pa emër
Trokas tek qelqi i zemrës tënde
Unë, zogu i kaltër mbi semafor
Po ti qëndron e ftohtë si statujë
marrosur pas drerëve me kurorë.


Shën Valentin `99

Në ditën e Shën Valentinit
Një karficë të thjeshtë në flokë
i vura të dashurës sime, Erës.
Ajo veç më ledhatoi flokët.
Me gishtat e ftohtë të 14 Shkurtit.
Ndërsa një tufë mimozash
i vendosa pranë qiparisit ku prehen
dashuritë e mija të humbura.


Ti je e bukur

Ti je e bukur
Ti je hyjnore
të gjithë e dimë
po kokën e magjishme
e ke lart tek qielli,
Unë tokësori
po pres vetëtimat
po pres ylberin
që bashkë me shiun
këtu poshtë të të sjellin.


Në rrugët e zbathura
të Atdheut

Në rrugët e zbathura të Atdheut
pa dyshim
nuk do të endem në vetmi,
nëse do të mungojë etja
natyrisht
do të kem uri.


Ti ende je këmbanë e bukur

Në rrugën e thjeshtë për tek ty
mbinë gjëmbaçët e harresës,
fjalëve iu zbehën tingujt dhe shkronjat
në shiritin delikat të kujtesës.
Ti ende je këmbanë e bukur
po nuk lëshon as tinguj e as zë.
Unë kambanari kam humbur rrugët
dhe nuk poi gjej dot më.


Bli i vetmuar

Yjet dalin netëve
kalimtarëve të vonuar
ua hollojnë paksa terrin
ndonëse drita është e paktë
ndonëse yjet janë larg,
si drita e shpirtit të poetit
bli i vetmuar
në pyllin e errët.


Sa shumë gjethe
kanë rënë këtë natë

Sa shumë gjethe kanë rënë këtë natë
mbi tokën e ngjethur që u përgjak
pastaj nisi të bjerë bora e parë
lehtë-lehtë si fashat mbi plagë.


Rrugët

Në ditëlindjen time më 25 dhjetor
erdhën edhe rrugët,
Gjethet e rëna dhe udhëkryqet
më sollën si dhuratë.
Pastaj u grindën për kalimtarë e
shquar
dhe për dështimin tim në zgjedhjen e
rrugëve
debatuan gjatë.
i qetësova miket e mia endacake
duke fajësuar vetëm hapat dhe
gjurmët
mbi fytyrën e dlirë të rrugëve.


Kur qelqet qajnë

Ti më mungon.
Siç u mungon hapave rruga
Siç i mungon pyllit era
Siç i mungon trokitjes dera.
Kur qelqet qajnë nën shi
ku të të kërkoj?
Unë nuk e di.


Vizitë në harresë

Në albumin e harresës sime
sin ë një rrugë të braktisur
hyra pa vetëdije.
Takova miq të rremë,libra mediokër
idhuj fals si mbetje toksike.
Takova kohën e gurëzuar në formë
idiote,
vajza egoiste ,plot trille.
E midis tyre një vajzë,një margaritar
një njeri,
me flokë të gjatë, ngjyrë lajthi,
tek më priste ende pas derës së
ftohtë
të një salle provimi.
Nuk e din ë qe gabim e pakujdesi
rrodhën vitet, gabimi u rrit si
përbindësh
dhe më mundon kaq shumë tani.


Emigrantët në Omonia

Turma të lagura nga e përditshmja
xhepat plot me varfëri,Brenda syve nj qiell i thyer
e natyrisht pak Shqipëri.
Pëllumbat me dhembjen e tyre
ngjiten lart,
dhe qielli blu i Athinës
bëhet i jargavantë.


Njeriu vetëm

E braktisën drurët pyllin
Pylli mbeti pa fytyrë
Imazhi i tij vrapon pas drurëve
Ndonëse drurët s`i arrin kurrë
Mbetën pa strehë kafshët e egra
dhe zogjtë dhe bari në lëndinë
Zërat e pyllit të dikurshëm
Brenda njeriut të vetmuar ulërijnë.


Nisi të bjerë shi

Nisi të bjerë shi
edhe mbi pemë,edhe mbi shkurre
edhe mbi lulet në park.
Ej, kopshtar,-thirri bari i etur në
brinjë,
Vetëm zoti na trajton si të barabartë.


Maskat

Maskat tani janë në modë
nga rruga në zyrat komode në
parlament
ku njerëzit pozojnë hallet e njerëzve
me maskën komforte si personalitet
Maskat janë trajta jonë e përditshme
në fshat e qytet, në çdo udhëkryq
Nga çorapet e pista në fytyrë
deri tek togat e zeza në gjyq
Kur njerëzit humbvën tiparet njerëzore
maskarada e maskave u shfaq
Mjafton vetëm cilësia e maskave
të dish se nga vjen maska ndërkaq.


Flugeri

As nga Lindja
as nga Perëndimi
nuk po fryn erë,
Në një udhëkryq
trishton pa fytyrë e sens
njeriu fluger


Shkëmbi i Sizifit

Sizifi, mbret i Korintit
u çlirua nga shkëmbi mitik,
me veturë luksi shëtit tani.
Në Greqi,
Pa asnjë faj
Me shkëmbin e Sizifit mbi shpinë
enden vëllezërit e mi.


Trill

E pashë detin një pasdite dimri
tek zemërohej
dhe griste pallton e tij të vjetër
Një pulëbardhë
mbizemëriminblu
endte një qiell të dhembshur.

Copyright © 2008